Osman MYDERRIZI
Osman MYDERRIZI

Osman Myderrizi (1891-1973)
Jeta e Osman Myderizit, njërit nga mësuesit dhe shkencëtarët më të parë të vendit tonë, ka qenë e gjallë dhe e mbushur me aktivitete sasiore e cilësore. Veprimtaria e tij nis fill pas mbarimit të studimeve të larta, kur pas kthimit nga Turqia, më 1913, ai hapi në Ndroq të parën shkollë shqipe të rrethit të Tironës.

Me punën hulumtuse e studiuese të tij, dhe duke përfaqësuar mendimin shkencor shqiptar, Osmani ka marrë pjesë gjallërisht në mjaft sesione shkencore brenda e jashtë vendit. Falë punës përkushtuese mbi gramatikën, ortografinë dhe leksikografinë shqipe, ai hartoi dhe botoi që më 1944 vëllimin ”Fonologjia dhe morfologjia”, pjesë e parë e librit ”Gramatika e re e shqipes”, që për shumë vjet, madje edhe pas çlirimit të vendit, shërbeu si tekst mësimor. Më 1955, në buletinin për shkencat shoqërore, ai botoi artikullin ”Vërejtje e rregulla për ortografinë shqipe”.

Ai është bashkëautor i ”Fjalorit të gjuhës shqipe”, botuar më 1954 nga Instituti i Shkencave, punim që konsiderohet si një nga realizimet më të rëndësishme të gjuhësisë shqiptare të asaj kohe. Por, veçse në gjuhësi e filologji, ai ka lënë gjurmë sidomos në historinë e letërsisë së vjetër shqipe; ku, me mjaft interes, sidomos për leksikografinë, është studimi ”Një fjalor i vjetër Shqip-Turqisht” (1954) si dhe ai filologjik i fjalorit aq të pasur në shënime të shumta gjuhësore.

Krahas këtyre punimeve, Osmani është marrë edhe me Historinë e Shqipërisë. I frymëzuar nga idealet rilindase, ku nisën dhe u formuan edhe bindjet politike të tij, këtë problem e ka konsideruar çështje kombëtare të dorës së parë dhe për çka ka dhënë kontribute të shumta e mjaft të rëndësishme.

Ata fillojnë që më 1933, me artikullin Albanopolis”, të lidhur me identifikimin e kryeqendrës së shtetit të Arbërit; për të vazhduar më 1944 me studimin ”Emni i Shqipnisë në kohën e mesme”. Atje trajtohen emrat kombëtarë të popullit tonë dhe  çështjet e formimit të tij, për të shkuar deri te puna mbi Historinë e Shqipërisë. Në vitin 1937, Osmani botoi librin “Tirana 1604-1937”, me 75 faqe, por, që përfaqëson të parën histori të shkruar për këtë qytet.

Ndjenjat atdhetare dhe përgjegjësia intelektuale e tij bënë që, ai,menjëherë pas mbarimit të studimeve, të ishte i pranishëm dhe madje aktiv edhe në zhvillimet shoqërore e politike që kalonte vendi. Sapo u shpall pavarësia, ai mori pjesë dhe parapriu sidomos në përpjekjet dhe në veprimtaritë patriotike, atdhetare e demokratike.

Me iniciativën e Osman Myderrizit, u krijua në Tironë shoqëria Dituria” (1917), organizëm shumë i rëndësishëm dhe i nevojshëm për ngjarjet politike të kohës. Po ashtu doli edhe e parë gazetë e Tironës, ajo “Zani i Ri” (1920), të cilën e botonte dhe e drejtonte përsëri ai.

Në vitin 1923, Osmani u bë kryeredaktor i një gazete tjetër politike, asaj me emrin ”Populli”, organ i Partisë Popullore, ku aderonte edhe vetë. Këto organe mediatike mbetën propaganduese të përherëshme të mendimeve patriotike e demokratike. Në krye të djelmërisë tironase, e cila më vonë do të kërkonte edhe zgjedhjen e tij si “kandidat të saj për në Këshillin e Naltë”, ai u angazhua sidomos gjatë viteve 1919-1920.

Për Vlerat intelektuale dhe politike, më 5 prill 1921, Osmani u zgjodh deputet i Tironës në Parlamentin e parë Shqiptar e që zyrtarisht u quajt Këshilli Kombëtar. Paraardhësi i këtij institucioni, me të njëjtin emër, që kishte dalë nga Kongresi i Lushnjës, megjithëse gjatë një viti luajti rolin e legjislativit, nuk kishte legjitimitetin e duhur, me që nuk kishte ardhë nga vota e popullit.

Siç e kemi thënë edhe më parë, në zgjedhjet e zhvilluara me sistem maxhoritar dhe ku, një deputet përfaqësonte 12000 shtetas, të drejtën e votës e kishin vetëm burrat me moshë mbi 20 vjeç. Prej 27 dhjetorit të vitit 1923 dhe po si përfaqësues i Tironës, Osmani do të ishte pjesë e Kuvendit Kushtetues (siç u quajt më pas po ai institucion), por këtë rradhë me 100 deputetë.

Pas dështimit të Revolucionit të qershorit të vitit 1924, ku ai ishte pjesëmarrës aktiv dhe për çka ishte dënuar, Osmani emigroi për disa kohë. Duke përfituar nga një amnisti, kthehet në Atdhe, por nuk mundi ta gëzojë lirinë, pasi u dënua përsëri. Megjithate, falë aftësive të tij, arriti të mbijetojë si një intelektual i mirëfilltë. Më 1928 është nën-drejtor i gazetës ”Telegraf”, e më vonë edhe në gazetën e përditshme Shekulli i Ri” të Durrësit. Ai, që në ditët e para të pushtimit fashist, provoi burgun dhe deri internimin rreth njëvjeçar në Itali.

Osmani, që vdiq në dhjetor të vitit 1973, do të mbahet mend për kontributet e frytshme në fushën e dijes dhe të shkencës dhe si njeriu që punoi për të nxjerrë në dritë vlerat historike, kulturore dhe gjuhësore të popullit shqiptar. Por, ai do të mbahet mend edhe për veprimtarinë e tij politike e atdhetare në interes të demokracisë.

Ndër të tjera, për meritat e tij në këtë fushë, është vlerësuar në vitin 2000 edhe me titullin ”Simbol i qytetit të Tironës”.

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.