Omer Fortuzi
Omer Fortuzi

Ymer (i njohur edhe Omer) Fortuzi, që ka lindur në Tironë më 12 prill 1895, dhe për të cilin disponojmë vetëm informacione të shkëputura, është një ndër deputetët shqiptarë të vitit 1940 dhe kryetar i Bashkisë së Tironës për periudhën 1940-1943.

Pas arsimit fillor në Tironë, ai studioi për shtatë vjet në një kolegj anglez në Stamboll, prej nga, më tutje, u diplomua në Universitetin e Romës për shkencat ekonomike e shoqërore. I ati, Hamdiu, bashkë me vëllanë e vet, Mustafain, merrej me grumbullimin dhe eksportin e lëkurëve të gjësë së gjallë.

Në bashkëpunim me italianin Rafaelle Staccioli, mjaft i njohur në atë kohë, Ymeri nisi aktivitetin e tij si sipërmarrës për ndërtimin e rrugëve dhe të godinave të nivelit qeveritar apo edhe të tjerave të këtij lloji në Tironë, Durrës, Elbasan etj..

Në mbështetje të ligjit të sapodalë, mbi themelimin e odave të tregtisë” të datës 30 prill 1932, Ymeri zgjidhet kryetar i saj, në drejtim të të cilit qendroi edhe pas vitit 1940, duke qenë pra njëherësh edhe kryetar i Bashkisë.

Në të dy funksionet që mbajti, ai luajti rol të rëndësishëm për përparimin e bisnesit, të ekonomisë e të tregtisë. Krahas shumë tregëtarëve nga Tirona dhe Durrësi, ishte pjesëmarrës edhe në themelimin e Shoqërisë së përgjithshme “SAPRES”, për rindërtimin ekonomik të Shqipërisë.

Në vitin 1944, Ymeri. u largua nga Shqipëria, duke marrë me vete edhe familjen e tij. Fillimisht u vendos në Romë, për të kaluar më pas në Selanik të Greqisë, ku vdiq më 25 gusht 1980. Qeveria komuniste, ashtu si edhe të gjithë tregëtarëve, zyrtarëve të lartë dhe kundërshtarëve të saj politikë, i sekuestroi krejt pronat dhe pasuritë.

Shyqyri Rreli, njëri nga autorët e këtij vëllimi dhe për atë kohë trajner i ekipit tonë përfaqësues U-21, tregon se, në vitin 1976, Ymeri e pat takuar atë në Stadiumin e Selanikut. Para fillimit të ndeshjes, me shumë edukatë dhe mirësjellje, ai i ishte drejtuar Shyqyriut, duke treguar njëherësh se kush ishte, madje edhe detyrat që kishte pasur në Shqipëri.

Duke qenë se në ato momente, ekipi do të niste stërvitjen para ndeshjes dhe sidomos duke konsideruar edhe rrjedhimet politike, ai “takim”, nuk mund te zgjaste më tej. Megjithëse, kjo ngjarje mori shumë pak kohë, ishte më se e mjaftueshme për të parë njeriun e mirësjellshëm e të pushtuar nga ndjenja e mallëngjimit dhe e shqiptarisë, pavarësisht pikëpamjeve të tij politike.

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.