Nuri Gjoni

Shtëpinë e ka prapa malit të Dajtit, një orë e gjysmë larg Tiranës, por pasioni për kërcimin i ka dhënë mundësinë të shëtisë botën.

Në festivalin e fundit të Gjirokastrës, ai ka fituar çmimin si valltari më i mirë në Shqipëri. Gjithmonë vallja për të ka qenë një pasion i ushqyer që në fëmijëri, të cilën e ka mësuar mes burrave të fshatit dhe familjarëve.

Fakti që nuk ka bërë shkollë për kërcim, nuk e ka penguar që të shkëlqejë në skena, si brenda dhe jashtë vendit.

Personazhi për të cilin po flasim, quhet Nuri Gjoni. Ai nuk është vetëm valltar. Prej 42 vitesh, ushtron profesionin e mësuesit, jep mësim në lëndën Histori-Gjeografi, degë për të cilën ka përfunduar edhe studimet e larta, në Universitetin e Tiranës.

Vallja dhe mësimdhënia kanë ecur paralelisht në jetën e Nuriut. Nuk ka dashur të heqë dorë nga asnjëra prej tyre; pa një nga ato, nuk do të ishte ky që është sot.

Gjoni, për më shumë se 23 vite mban postin e drejtorit të shkollës së fshatit Zall Bastar. Është i martuar dhe prind i 6 fëmijëve.

E pyesim nëse e ka menduar ndonjëherë të marrë dy apo me shumë gra, pasi njohim raste të tilla në fshatin ku ai jeton. Nuriu, ul kokën, vë buzën në gaz, por mohon që t’i ketë shkuar ndërmend diçka e tillë për veten, e nga ana tjetër, thotë se në fshat ka bashkëmoshatarë të tij që e kanë bërë këtë veprim…

Duket se të kërcyerit e ka ndihmuar të mbajë trupin në formë, pasi edhe pse sot është 60 vjeç, ruan një fizik për ta pasur zili.

Paçka këtyre dy angazhimeve të tij, ai nuk ka hequr dorë nga jeta e fshatit. Për të, ajri i zonës ku ai jeton është shumë i rëndësishëm dhe nuk do e ndërronte me asgjë tjetër. Edhe pse ka pasur mundësi të lëvizë nga Zall Bastari, nuk e ka bërë, pasi Nuriu ecën me shprehjen: Guri i rëndë në vendin e vet.

Nuri Gjoni
Nuri Gjoni

-Z.Nuri, sa nxënës ka shkolla të cilën ju e drejtoni prej 23 vitesh?

Me gjithë shkollat mbartëse janë 217 nxënës. Kjo është shkolla më e madhe e Malësisë së Tiranës, nga e cila kanë dalë shumë nxënës të mirë ndër vite, nxënës që kanë ardhur në kryeqytet, por kanë emigruar edhe jashtë për të ndjekur studimet e larta dhe për këtë më vjen mirë.

-Ju keni 42 vite që jepni mësim. Keni nxjerrë breza, para dhe pas viteve ’90; në optikën tuaj, si është niveli i nxënësve, ka ardhur në rritje apo në ulje?

Ndryshojnë gjërat, pasi bëhet fjalë për dy periudha të ndryshme. Sot ka më pak nxënës, pasi shumë familje janë larguar nga fshati, në drejtim të qytetit. Po ashtu edhe stafi mësimdhënës nuk është ai i pari. Më vjen keq ta pranoj por, përpara viteve ’90, mësimi ishte më i rregullt dhe mësuesit më të rreptë, jo se tani nuk është, por kohët kanë ndryshuar.

Brezat që vijnë janë më të zgjuar, duket sikur lindin me vitet e para të shkollës. Pa dashur t’i bëj qejfin vetes, por unë kam një shkollë model si nga ana e jashtme edhe nga e brendshme. Këtë gjë e kam arritur së bashku me stafin me të cilin punoj. Kam pasur lidhje të ngushta me komunitetin. Kam pasur gjithashtu edhe ndihmën e nevojshme nga drejtoria arsimore rajonale në qarkun e Tiranës, duke sjellë rezultate të kënaqshme në shkollë. Nuk them që çdo gjë është perfekt. Sot që po flasim, shkolla ka nevojë për disa rregullime, siç janë dritaret sepse janë prej druri dhe nën efektin e lagështirës e të shiut, ndër vite, ato janë dëmtuar.

-Në shkollë i paskeni rregulluar punët, po me vallen, si shkoni?

Shumë mirë. Jam pjesëtar i grupit folklorik të Zall Bastarit, dhe si një nga përgjegjësit, kemi krijuar një grup të konsoliduar dhe interpretojmë valle, melodi, këngë burimore të anëve tona. Origjinale, ashtu siç i marrim dhe siç i kemi trashëguar nga më të vjetrit e zonës së Zall Bastarit.

Grupi i Zall Bastarit
Grupi i Zall Bastarit

-Sa vite ka që është krijuar grupi?

Fshati ynë ka grupin më të vjetër. Është një grup që është e rinovuar vit pas viti dhe e kemi mbajtur me mish e me shpirt që mos të shkrihet. Është një traditë e rëndësishme dhe e bukur e zonës. Në grup jemi tetë persona. Unë personalisht marr pjesë me fyell. Kam një dhunti që vetëm dy njerëz në Shqipëri mund ta përdorin. Unë i bie fyellit pa shkëputje edhe për tre apo katër orë. Përveç kësaj, në festivalin e Gjirokastrës 2015 jemi cilësuar si grupi me vallen perlë të festivalit, ndërsa unë si valltari më i mirë i festivalit.

-Grupi juaj përbëhet vetëm nga burra apo ka edhe gra në përbërje?

Këtë vit, për herë të parë kemi edhe dy femra në grup. Zona jonë e ka pasur të theksuar fanatizmin, por vitet kanë bërë të tyren, madje në këtë drejtim kemi thyer tabu duke futur për herë të parë dy gra të cilat ishin pjesëmarrëse edhe në festivalin e Gjirokastrës.

-Përveç se brenda vendit, keni marrë pjesë në ndonjë garë jashtë shtetit?

Sigurisht. Udhëtojmë herë pas here, kudo që kemi ftesa. Udhëtimi i fundit ishte në Burgas, Bullgari ku ishim me 11 shtete konkurrente dhe morëm çmimin si grupi më i mirë për të gjithë numrat që paraqitëm.

-Ju jeni edhe drejtor shkolle edhe drejtues i grupit folklorik të fshatit, apo këtë grup e drejton dikush tjetër?

Drejtues i grupit është Fatmir Veleshnja, të cilit i jemi mirënjohës për ndihmën që na ka dhënë. Kemi lëvizur në të gjitha fshatrat për të përzgjedhur numrat origjinalë dhe ia kemi arritur qëllimit. Këtë dua ta quaj Qytetar Nderi të zonës së Zall Bastarit, për interesimin që ka pasur ndaj asaj zone. Gjithashtu dua të përmend dhe u jam mirënjohës edhe Rexhep Çelikut, Kozeta Bakiut dhe Ramazan Bogdanit. Dëshira ime është që këta të katër t’i nderojmë me tituj nderi, si zonë.

-Cilat janë objektivat e grupit tuaj?

Po punojmë që në vitin 2020 të paraqitemi me disa numra të vjetër, mbi njëmijë vjeçarë, të cilët ruhen sekret nga ana ime sepse pirateria e muzikës është në aksion. Do paraqitemi me një jelek grash 700 vjeçar, i blerë në Stamboll, ku këtë jelek e merrte ajo grua që martohej dhe më pas e dorëzonte atje ku merrte.

-Z.Nuri, për çfarë shquhet Zall Bastari?

Zona e Zall Bastarit mund të quhet edhe si depo apo magazinë për Tiranën sepse nga ne, Tirana merr ujin e pijshëm të Selitës dhe Bovillës. Ka resurse të ndryshme të prodhimeve BIO që s’kanë nevojë për plehra kimike dhe as për spërkatje. Kemi një klimë fantastike dhe i ftoj qytetarët të kalojnë nga këto anë, qoftë edhe për të pirë njëherë ujë në burim.

Burimi: GazetaDita.al

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.