Partizani dhe Dinamo si shembulli i rusifikimit i kulturës kombëtare. – Prof. Besnik Dizdari.

  • Gjithçka ishte bërë si e prerë me thikë në një imitim të pashembullt të modeleve sovjetike. Është ajo që studiuesi i shquar i shoqërive komuniste të Evropës Lindore, Vladimir Tismaneanu, e ka përcaktuar si “Rusifikimi i kulturës kombëtare” të vendeve komuniste.

  • Kur u përurua mjedisi i Dinamos i ndërtuar prej Regjimit. Duke prerë shiritin e përurimit, befas Ramiz Alia pyeti: “Për kë e kemi ndërtuar këtë”? “Për klubin Dinamo, shoku Ramiz”, – i thanë”. “Gjithë këtë për klubin Dinamo? Kjo nuk shkon?”, – tha i çuditur ai. Ndoshta si tifoz i vjetër i Partizanit ndërmendoi se si mund të ndodhte që Dinamo të kishte kaq shumë më tepër mjedise se sa Partizani “i tij”.

“Shoqërija fiskulturale vullnetare ‘Dinamo’, – ribotoj lajmin e vitit 1950, – krijohet në bazë të vendimit të Komitetit Central të PPSH mbi zhvillimin e fizkulturës, të interesimit të vetë ministrit të p.brendshme e sekretar i PPSH, Gjen.Lejt. Mehmet Shehut dhe udhëzimeve të Kk.f.sp. të Republikës. Shoqërija Dinamo, nën shembullin e Dinamos së BRSS, emrin e të cilës e ka marrë, do të përfitojë sa më shumë nga eksperienca e saj dhe do të bëjë të gjitha përpjekjet për t’u bërë një shoqëri e fortë masash, rreth së cilës të grumbullohen mijëra aktivistë dhe enthusiastë të sporteve, duke dhënë një kontribut të math në zgjerimin e lëvizjes sonë fiskulturale”.

Dinamo nuk është një zbulim apo themelim tradicional sportiv shqiptar. Dinamo nuk është një Vllazni, një Sportklub Tiranë, një Besë, një Teutë, një Elbasan, apo një Skënderbe. Dinamo është një imitim sovjetik, si të gjithë Dinamot e tjera të shteteve komuniste të asokohe. Madje, në të gjitha kahet. Në varësinë e njëjtë të Ministrisë së Punëve të Brendshme siç lindi, në emër, në dizenjon e germës “D” deri në imtësi si e Dinamos së Moskës që ka mbetur deri sot.

Katër vjet para Dinamos, më 1946, plot 100 ditë mbas themelimit të Partizanit të Beogradit, në Tiranë formohej Partizani shqiptar si përfaqësues i Ushtrisë Popullore. Kësisoj, nëse Partizani është një themelim i tipit jugosllavo-sovjetik, Dinamo është një themelim i tipit veçan sovjetik.
Zyrtarisht Partizani është krijuar më 23 shkurt 1946. Është themeluar duke imituar Partizanin e Beogradit, por është themeluar mû në ditën e themelimit të Ushtrisë së Kuqe të Leninit, 23 shkurt 1917, ajo që njihet si “Dita e Ushtrisë Sovjetike dhe Flotës Detare Ushtarake”.

Natyrisht që edhe këtu i duhej përngja Bashkimit të Lavdishëm Sovjetik.

Partizani i Jugosllavisë është themeluar më 4 tetor 1945. Ky është Partizani i parë në Evropë. Prej tij kanë rrjedhur gjithë “Partizanët” e tjerë. I dyti është yni, në më pak se katër muaj mbas të parit si një “binjakëzim” që vinte prej kancelarive të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, vasale e së cilës ishte Partia Komuniste e Shqipërisë, e cila po sundonte Shqipërinë. Ai ka dalë në fushën e lojës më 13 janar 1946, dy ditë mbas shpalljes së Republikës Popullore të Shqipërisë, në Tiranë si “Skuadra Përfaqësuese e Ushtrisë Kombëtare në një ndeshje me Vllazninë e Shkodrës”! Dhe vetëm pak ditë, andej nga gjysma e shkurtit, do të thirrej me emrin më jehues të kohës: “Partizani!”. Do të ishte si të ndërrohesh rrota e historisë. Ndonëse, sa për histori, do thënë se Partizani beogradas i Bobekut e Çajkovskit mbeti ushtarak vetëm deri më 1953, ndërsa i yni deri në vitet 90′ duke ushtruar fuqinë e tij absolute në sportin shqiptar.
Historia e bujshme garuese e Partizanit shqiptar ishte lënë të fillonte më 1947, në dy vjetorin e rënies së Berlinit, 9 maj 1947 dhe mu në këtë ditë dy Partizanët, “ati”, ai i Jugosllavisë, dhe “biri”, ky i Shqipërisë, takohen në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” të Tiranës, në një ndeshje impozante të përkujtimit të luftës partizane që sapo kishte mbetur mbas dhe të lirisë që “shkëlqente” në “zenitin” e haresë së frikshme të saj në krejt Evropën Lindore.

“Sot mbasdreke, – shkruan në drejtshkrimin e kohës, shtypi shqiptar, – në stadiumin kombëtar ‘Qemal Stafa’ të kryeqytetit, me rastin e festës së fitores kundër fashizmit, do të zhvillohet ndeshja miqësore e footballit në mes të skuadrës së ‘Partizanit’ t’Armatës Jugosllave dhe asaj të ‘Partizanit’ t’Ushtrisë s’onë Kombëtare”. Për popullin t’onë dhe për popujt e Jugosllavisë mike emri i Partizanit është simbol i luftës sonë të përbashkët kundër okupatorëve fashistë, është një epope e tërë heroizmash, është gjëja më e çmuar dhe më e përzemërt. Skuadra mike e ‘Partizanit’ është ajo më e mira e Jugosllavisë. Një javë më parë fitoi kampionatin Jugosllav të footballit”. Për historinë tonë ajo mbetet një nga ndeshjet më të bujshme. Fiton Partizani i Shqipërisë 1-0, aq sa të duket se qoftë dhe për këtë fitore historike ia kishte vlejtë të themelohej Partizani shqiptar.
Fotot tregojnë një ngjashmëri të çuditshme në fanellat: Ylli i kuq lart në anën e majtë të kraharorit për të dyja skuadrat. Ai yll që Parlamenti pluralist i Shqipërisë do ta hiqte nga flamuri kombëtar mbas plot 48 vjetëve!

Por, nuk ishte vetëm Shqipëria. Ishin disa “Partizanë” të futbollit në Evropën Komuniste: Partizani i Beogradit, Partizan Bardelov, Partizan Prevalje, Partizani i Tiranës, Partizanskje Sllovaki, Partizan Tabor, Partizani Russe, Partizani Bukuresht, Partizanul Lupeni, Partizani Medias, Partizanul Moreni, Partizanul Petrosani, Partizanul Ploeshti, Partizanul Reghin! Madje deri në Kosovë, por në hendboll, ku e pakta ka pasur nja shtatë “Partizanë”: Partizani i Vushtrisë, Partizani i Prizrenit, Partizani i Mitrovicës, Partizani i Startërgut, Partizani i Gjilanit, Partizani i Skenderajt, Partizani i Rahovecit! Nuk ekzistojnë më asnjeri. Sot kanë mbetur vetëm dy në gjithë botën: FK Partizan i Beogradit dhe Partizani i Tiranës! Vetëm në këtë binjakëzim emrash të këtyre dy klubeve sportive ne vazhdojmë të jemi ende të lidhur me Jugosllavinë e Titos apo me Serbinë e sotme!

Është e vërtetë, ndërkaq, se falë sundimit të një pushteti totalitar të pashembullt, për dekada ky Partizan shqiptar kishte të drejtën e pamëshirshme të rrëmbimit të sportistëve nga e gjithë Shqipëria duke shkatërruar klubet e qyteteve të Shqipërisë deri në pamëshirë. Kur vinte nëntori e dhjetori i çdo viti, vlonin zyrat e Ministrisë së Mbrojtjes për të përpiluar listat e rrëmbimit të sportistëve anë e kënd vendit, çka shpesh shoqëroheshin me episode rokamboleske për filma “western”. Kjo ngaqë ndodhte të kishte Sekretar të parë të Partisë të rretheve apo kryetar të Komiteteve Ekzekutive që rezistonin deri diku.

Në fillim të viteve ’60 me fanatizëm ai kërkonte vendin e parë edhe me skuadrën e dytë rezervë të futbollit, kur skuadrat e tjera nuk kishin lojtarë, ndonëse këta rezerva i kishin zbuluar mû qytet skuadrat e qyteteve të Shqipërisë.

Partizani është formuar më 1946-47 duke rrëmbyer lojtarët më të mirë të Tiranës e të Shkodrës dhe mû në këtë vit merr fund historia e bukur e dy klubeve më të vjetër të Shqipërisë, për t’u ringjallë mbas gati tri dhjetvjetshave, vetëm andej nga mesi i viteve ’60 dhe fillimi i viteve ’70. Kur më 1959 dukej se po rilindte 17 Nëntori i Tiranës, i cili papritmas bëhej Nënkampion i Shqipërisë dhe dy yje të ndritshëm shpërthejnë në nën fanellën e saj, Panajot Pano dhe Skënder Halili, ata do të rrëmbehen për Kampionatin e vitit 1960 prej “Partizan-Dinamos” dhe më 1960 17 Nëntori i shkatërruar kësisoj, nuk është më asesi rivale e dy të mëdhenjve. Më 1960 Partizani thuajse rrëmben krejt 17 Nëntorin, i cili vetëm me rikthimin te e pakta 5-6 lojtarëve të tij më 1964, nis e shkruan historinë e jashtëzakonshme tiranase me katër tituj rresht të kampionit: Halili, Frashëri, Bytyçi, Bukoviku, O.Mema, Gjoka. Për të ndryshuar kryekëput gjithçka, vetëm mbas vitit 1991, kur Regjimi bie, Partizani papritmas kërkon t’i shkëputet disi varësisë së Ministrisë së Mbrojtjes, çka ia arrin, madje me të mirënjohurin organizim të të ashtuquajturës shoqëria italo-shqiptare Abaco, papritmas Partizani bëhet klubi i parë i futbollit në Shqipëri që njeh sponsorin!

Nuk po shkojmë mandej te titulli i falur i vitit 1967 për Dinamon, çka edhe sot ia vlen të revokohet, sepse ka shkelje juridike unikale për historinë e krejt futbollit botëror. Shihet qartë se në disa prej 18 titujve dinamas ka sa dritë po aq edhe hije… Kështu apo ndryshe, më 1950, Dinamo është Kampione e Shqipërisë vetëm mbas pak muajve të themelimit të saj. Edhe në këtë rast duke shkatërruar skuadrat e qyteteve. Xhevdet Shaqiri dhe Zihni Gjinali vinin nga Shkodra, Tirana e Partizani, Qemal Vogli dhe Skënder Jareci nga skuadra e Durrësit, Qamil Teliti nga Besa e Kavajës, Bule Vathi e Besim Boriçi nga skuadra e Tiranës, Bahri Kavaja, Hamdi Bakalli dhe Pal Mirashi nga ajo e Shkodrës. E megjithatë, skuadra Dinamo e vitit 1950 është ndër më të bukurat në historinë tonë. Me trajner Ludovik Jakovën – origjinar i hershëm i Sportklub Tiranës – ajo është një 11-sh gati spektakolar për kohën. Kjo është historia e themelimit dhe e shfaqjes në botën e sportit e të futbollit shqiptar, të Dinamos, pa rrêna e zbukurime, siç për fat të keq, vazhdon të trajtohet shpesh, doemos prej të paditurve. Ata që i kanë jetuar ato vite, e dinë fort mirë se si u krijuan edhe Dinamot e tjera, që ashtu si Luftëtari i Shkollës së Bashkuar për Partizanin, lëshonin rezultate deri në 6 e 8 me zero për t’i dhënë titujt kampion Dinamos në duelin e ashpër me Partizanin.

Ky duel i heshtur i tifozerisë së rangut të lartë më tepër bëhej kryesisht midis ushtarakëve me spaleta të arta të Ministrisë së Mbrojtjes dhe atyre të asaj të Brendshme. Por, ndërsa të parët e shfaqnin krejt hapur dhe disi me zhurmë fanatizmin e tyre futbollistik, të dytët, më dinakë e më mjeshtra të mbrapaskenave, siç ishte vetë ministria e tyre, me gjithë Sigurimin famëkeq të Shtetit, nuk paraqiteshin zhurmëmëdhenj. Prej këtu ka dalë edhe epiteti i famshëm i shpikur nga i përkujtueshmi Myslym Alla, i cili e quante Dinamon “nëndetësja”, me kuptimin që i bën punët, komplotet sportive fshehtas, për të dalë mbi ujë në çastin e duhur. Një epitet që, për fat të keq, përdoret me një kuptim krejt të gabuar nga shtypi ynë i sotëm. Midis Partizanit dhe Dinamos kishte pra, edhe një rivalitet në kulisat e kancelerive partiako – shtetërore.

Partizani ishte më popullor se Dinamo dhe pjesa më e madhe e jerarkëve komunistë mbështesnin Partizanin. Ndërkaq, dy krerët, Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, nuk ndërhynin në prapaskenat e futbollit, madje nuk shfaqeshin as si dashamirë apo simpatizues fanatikë të ndonjë klubi. Ndonëse papritmas, andej nga fundi i viteve ’60, në Tiranë qarkulloi mendimi se Partizani dhe Dinamo do të bashkoheshin në një skuadër, madje kjo ide qarkulloi fort. Nuk dimë nëse qe e dy udhëheqësve të mësipërm, të cilët ndoshta nuk e duronin rivalitetin e heshtur midis dy ministrive, apo qe e diçkaje tjetër. Mbetën vetëm fjalë…

Burimi: Tirona Sport

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.