Prof. Dr. Ing. Haxhi Sauku lindi në Tiranë më 1928. Që në fëmijëri shfaqi një dëshirë të fortë për shkollim. Rrethanat familiare e pengojnë vazhdimin sistematik, megjithatë përfundon rregullisht liceun më 1947. Po atë vit fiton të drejtën e studimit në Çekosllovaki, ku diplomohet më 1952 si inxhinier miniere dhe kthehet në atdhe. Caktohet si mësues në Politeknikumin e Tiranës, dega minerare. Gjatë viteve 1961-1963 vazhdon në teknikumin e ri të Prrenjasit detyrën e drejtorit të shkollës. Në vitin 1963 transferohet pranë Universitetit Shtetëror të Tiranës, Fakulteti Gjeologji-Miniera, ku punoi si pedagog deri në daljen në pension.

Ing. Haxhi Sauku

Prof. Dr. Haxhi Sauku, krahas fondit të madh të shkrimeve të botuara në fushën profesionale të xehtarisë dhe ndihmesën e saj në zhvillimin e qytetërimit njerëzor, ka botuar edhe një sërë librash mbi tejlashtësinë e panjohur të të folurës njerëzore. I dashuruar pas letërsisë dhe poezisë ka shkruar e botuar edhe albume shkrimesh e vjershërimesh të viteve 1943-1996.

Shkruar nga Prof. Dr. Ing. Haxhi Sauku.
— Një dhimbje shpirtërore

Jam lindur e zhvilluar si pjesëtar i një familjeje të Tiranës, me prejardhje stërgjyshore nga kjo trevë e Shqipërisë së Mesme. Problemet e jetës i kam kaluar si të gjithë, por nga ajo, si mua dhe të gjithë qytetarëve autentikë të Tiranës, më ka mbetur thellë në shpirt një pakënaqësi: trajtimi i pakulturuar për një periudhë të gjatë, mbas bërjes së saj kryeqytet, i të gjithë mjediseve të saj nga pushtetarë të ndryshëm, kryesisht qytetarë të ardhur, që pak njihnin në thellësi karakteristikat e këtij vendi. Qytetarët e Tiranës, ashtu si edhe të fshatrave që e rrethojnë, përgjithësisht janë njerëz të punës me natyrë të butë, tolerantë e të respektueshëm, qoftë edhe në mjedisin e të thjeshtë e të varfër që kanë patur. Ndërhyrjet në qytet dhe tek qytetarët e tij, shpesh tepër brutale, në fakt nuk kanë patur reagime të egra prej tyre dhe më tepër janë kundërshtuar me qortime të heshtura. Dëmtimi i qytetarëve të Tiranës është bërë kryesisht gjatë viteve të diktaturës komuniste, por edhe tani në tranzicion; pasuesit e tyre shpesh nën petkun e “demokratit” e kanë cënuar dhe dëmtuar më tepër atë. Kësaj dukurie i kam kushtuar shkrime, por që nuk kanë dashur t’i botojnë ose i kanë botuar me cenzurime të palejueshme. Më kryesori mbetet shkrimi poemë për Tiranën si më poshtë.

PSE HESHT TIRANË?!
I

Kush e din se kur linde
Ti Tiranë
Në kryqëzim udhësh për karvanë
u ndodhe.
Oaz i vërtetë rrugëtarësh
nga çdo anë.
Udhëtari i huaj
bukurinë tënde vlerësoi
e të çmoi
pllajë bukuroshe lulëkuqesh
në maj.

II
Dikur, një kalorës, shpatullgjanë
në një hije mani, pyeti një nanë
kur e gjet më lëmsh pambuku pranë,
ndërsa tirrte fije të bardha
si flokët e saj:
“Më thuaj nanë,
ç’po ban këtu n’anë
krojit të kulluar?”
I huaji nga xhepi nxori
nji vegël dhe shenjë mori.
“Tirr’anë, nana, tirr’ anë…”
“Po me kët’ ujë prroji
shëndritës, ndër peta guri,
e bardha zanë, këndon apo qanë?!”
“Ah, goca! Po lanë…, lanë…”
Dhe i huaji diku shkroi:
“Ish një vend, me hije shumë,
me një prrua e, jo lumë,
me emra Tiranë
dhe Lanë…”
Kish pyetur po ai burrë
plakën, që s’lodhej kurrë:
“Pa më thuaj, kësaj here,
si ju zbardhen k’to lëvere
e ato mure, pranë çdo dere?!”
“Botë, fijë e gëlqere
Zoti na dha plot,
për sot dhe për mot.”
“I bardhë mali, i bardhë guri
e bardhë rruga, i bardhë muri,
në të bardha vishet burri
e bardhë lija, këmishlehta
e bardhë dita, e bardhë jeta
të bardhë zemrën n’troje t’veta
në Tiranë seç e gjeta…”
Tha i huaji larg kur shkoi
dhe këtë vend e përshkroi.

III
Ah! Ti zonjë Tiranë!
Në kohët që vanë
ç’kroje e puse, gjithëfarë,
kishe, ngado, vendit mbarë.
Njerzit, si sytë për të parë
t’i çmonin ndër vite.
Diku tutje, mes lëndinës
shpërthente Kroj’i Shëngjinës.
Ti, aty faltore ngrite.
Dhe kur Hyjnia shkoi,
kisha të qëndroi
E gjurmë lëshoi.

IV


Oh! Sa vizitorë,
ftuar e pa ftuar
n’troje tuaja shkuan.
Me dëshirë provuan
çka puna e Zoti
ty të kish dhuruar.
Miqësi Ti mbolle,
kur prite përcolle
si, më lart, ndër stane,
ashtu poshtë, në hane.
Shumëkush dhe të shau
shpesh edhe të vrau,
por s’e pat të lehtë
të të prishë… përjetë.
Se kudo te Ti gjeti
fllad e shije xheneti…
Kush prej tyre qe me mend
e me zemër… pa me vend
Të ndërtojë, si më parë
faltore mbi faltore,
Për qetësinë shpirtërore e trupore,
që Ti falje,
në çdo gurë, çdo arë…

V
Ty, qyteti im, si timen nanë,
Sa të ëmbël, aq njerëzore,
sa të pjekur, aq fëminore,
gjithkush, të desh pranë.
Dhe ky fillim shekulli
bukurinë ta lavdroi.
Kush pranë teje kaloi
mbi qytete tjera të çmoi,
të përshkroi e të vlerësoi
si vajzë “koketë” 1
që e don Zoti vetë.
Çanë vitet nëpër luftra,
Tiranë
Shpesh, mbi Ty, të ashpra putra
ranë
E, kur Ty, të qetë e njerëzore
të panë,
Prap me lakmi deshi, kushdo
të të jetë pranë.
Edhe Kuvendi i Madh të gjeti
Si qendrën e një shteti 2
të ri, shqipëtar.
Por kësaj rradhe, vërshuan ngado,
si asnjëherë më parë.

VI
Më parë, Ti shihje
miq e armiq, gjithëfarë,
që turreshin mbi Krujë, Arbanë…
Por sot, te Ti po vijnë
Valë me njerëz, që lenë malësinë,
lenë krahina, muhaxhirë,
ca të mirë, ca të nxirë
dhe, ndër troje Ty t’u shtrinë…
Si s’e humbe qetësinë
e s’prishe zemërgjerësinë?!
Me at tënden bujari
i strehove e, pranove
bashkë me ta të jetosh.
Zemër Krishti pate
e simbol paqe mbete
edhe kur të tjerë,
thonjtë t’i ngulën në trup.
Ti vështrove e, prap, heshte
me sy vetëm, sikur u the:
“Të kini turp!
1 Përshkrim i shkrimtarit çek, Stanislav Neumann, në vitin 1916.
2 Kuvendi i Lushnjes
jeni mysafirë
e miq të lirë,
pse me ligësi, çdo të mirë
doni ta vrisni?!”
Si hibrid, këtu, kush të jetë
le t’kuptojë se kjo jetë
të keqen nuk e duron.

VII
Të mbretnisë a t’republikës
prap, Ty fort të qëlluan.
Humbën ndjenjën e etikës
bashkëjetesën keq ushtruan.
Dhe Ti, prap, heshte Tiranë.
Mendove si qëmoti:
të padrejtët i vret Zoti.
Si Krishti, ktheve faqen tjetër
tashmë t’ rreshkur e të vjetër.
Por i Keqi t’u bë ferrë
në çdo portë, në çdo derë
si murtajë të puçrroi trupin
me gota e piu turpin.
Shumëkënd shkatrroi e vrau
Dhe kokën fare s’e çau.

VIII
Të grabitën toka, troje
pa pikë mëshire e droje
se të gjetën të urtë, të butë
pullumbeshë që s’njeh skifterë.
Mbi kokë, si Krishtit të ndjerë,
kurorë gjembash për të therë
të vendosën, t’bënë të mjerë.
E, Ti heshte dhe prap hesht,
kur pe se n’theqafje ranë
ata, që i mbajte pranë
si miq e mysafirë,
shpifarakë, aspak të mirë.

IX
Por, prap sot turren n’bashkësi,
trupin më tej me ta gri
bashkë me hibridë të ri
gjithçka shqyejnë n’pabesi.
E, Ti prap hesht.
Hesht se të kanë mbyllur gojën,
se n’kurriz Tand luajnë lojën
e “njeriut të parë,
të mençur e të mbarë”.
Dreqit, që Zotin paska parë
e i paska thënë:
“Vazhdo! Grijë e copto!
Ku të mundesh vidh e shkatërro!”
Hesht Tiranë
edhe pse t’linjtat t’i hoqën
kopshtet, lulishtet t’i dogjën
t’veshën n’rrecka ngjyra-ngjyra
që t’ndryshojë trupi…, fytyra.
Koketë ishe e më s’je
Se vehten SFINKSIT ia le.

X
Por, thonë: “Jeta i ndrron vallet
e zjarri djeg mëhallet.”
Ndoshta, do të vijë një ditë,
që Ti ke me u përtritë,
dhe, si Krishti, që ringjallet.
do t’i fshijë të zezat, hallet.
Do t’hapet dhe gojë e thatë
e s’do ndihesh më e ngratë.
do lulzosh me blerim pranë
si kryeqytet…, Tiranë.
Do pastrosh vehten nga morrat,
që, ndër vite sollën horrat.
do kullojsh, në qytetërim,
ujrat që ke në vërshim.
I shtrenjti, qyteti im!
Mbase do bëhesh prap zonjë
Veshur në t’linjta ilire,
Mbush me bukuri e hire.

Epilog
Sot kjo zemër dhe kjo nanë
që kam me Ty, këtu pranë,
më thotë: “Më fort ngrije zanë!
Mos rri e heshtur, TIRANË!


Nëndor 1994

Nëndor 1994

*FALENDEROJ PERSONALISHT
Prof. as. Dr. Merita Bruci për materialin e babait të saj, e cila e ndau me shumë dashuri me mua. Pres materiale të tjera nga ti e dashur. Falenderime të ngrohta nga unë. Marsida T. Najdeni

Burimi: Najdeni.com