Njazi Lleshi
Njazi Lleshi

Sot janë pak që e njohin basketbollistin me nr.5 në skuadrën e famshme të Partizanit në vitet 60-65 që me gjuajtjet e tij nga distanca me dy duart lart mbi kokë u bë problem për të gjithë mbrojtësit kundërshtar.

Por jo vetëm kaq, mbas një karriere të shkëlqyer si lojtar kampion, për shumë vite mori detyrën e trajnerit për të rinj, atje ku seleksionoi shumë tituj e trofe kombëtarë. Madje shumë lojtar të talentuar nga të rinjtë i siguruan klubit sportiv Partizani dekada me radhë tituj kampion me skuadrën e parë, shumë e mirënjohur në aktivitetet kombëtare dhe ndërkombëtare.

Trajnerët e mëdhenj janë ato që punojnë me moshat e vogla. Këtë e kemi dëgjuar shpesh të thuhet nga mjeshtrit e teoricienët sportiv. Të zbulosh talente dhe të përgatisësh teknikisht është puna më e vështirë. Në skuadrën e të rriturve shkojnë lojtarë të përgatitur dhe të formuar, ku trajnerët kanë më pak vështirësi dhe më shumë përgjegjësi. Njaziu i provoi të dyja, sepse përveç të rinjve pati sukses dhe me ekipet e të rriturve, si për meshkuj, ashtu dhe për femra, në të njëjtin klub sportiv Partizani.

Për 40 vjet radhazi i lidhur me basketbollin si trajner, Njazi Lleshi përbën një rekord në karrierën e tij të punës plot vështirësi dhe kënaqësi që të jep sporti. Është për të ardhur keq që nuk kemi materiale të arkivuara të këtij brezi trajnerësh model për brezat e sotëm dhe të ardhmes.

Puna e suksesshme e tij si trajner, përveç aftësive profesionale, krijonte në skuadër entuziazëm me batutat e tij humoristike. Kjo e bënte më të dashur dhe të respektuar jo vetëm për lojtarët, por dhe me kolegët, të cilët e kërkonin të ishin pranë tyre në çdo festë sportive apo familjare.

Të gjithë trajnerët kërkojnë të sjellin entuziazëm në skuadër, por Njaziu në këtë drejtim ishte origjinal në stilin e tij, aftësi që ia kishte falur natyra. Shumë diskutime dhe analiza rreth punës së Njaziut në basketboll ishte tema e shumë lojtarëve të tij, sot në moshë madhore, dhe të kolegëve, shokëve dhe familjarëve, të cilët në fundjavën e kaluar u mblodhën në një sallë të një hoteli lluksoz në Tiranë për të festuar 80-vjetorin e lindjes së këtij mjeshtëri.

Njazi Lleshi prej 40 vjetësh u bë një “makineri” që nuk pushoi së riprodhuari basketbollistë të rinj, atje ku shumë prej tyre u bënë lojtarë të mëdhenj dhe shumë cilësor. Ndjehem sinqerisht krenar dhe i vlerësuar në bashkëpunimin tim shumëvjeçar me mjeshtrin Njazi Lleshi, sepse basketbolli na lidhi miqësisht që në moshë të re si profesionistë jo vetëm në fushën e lojës, por më tej në familjet tona që sot me shumë nostalgji mbartin kujtimet më të mira të kësaj miqësie e bashkëpunimi.

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.