Njazi Lleshi
Njazi Lleshi

Lindi në Tiranë më 12 prill 1934, në një familje vendase, të njohur e me tradita atdhetare. Rruga sportive e Njaziut filloi në shkollën 7-vjeçare Lidhja e Prizrenit”, ku mësuesit e tij vunë re të dhënat e përgjithshme për sportin dhe sidomos për basketbollin. Ka kryer studimet në Institutin e Lartë të Kulturës Fizike dhe Sporteve në vitin 1971.

Si sportist dhe më vonë edhe si trajner i po këtij sporti, është aktivizuar me klubet e kryeqytetit ”Partizani“ dhe ”17 Nëntori”. Ishte vetëm 16 vjeç (1950), kur, me KS “Partizani”, mori pjesë në kampionatin kombëtar të basketbollit. Titullin e tij të parë të kampionit, të fituar në vitin 1956 me skuadrën ”Partizani”, e përsëriti edhe një vit më vonë (1957), por me bardheblutë e Tiranës. Pas kësaj, për tre vjet rradhazi (1958-1960), është përsëri kampion dhe përsëri me Partizanin, duke fituar edhe një kupë të Republikës (1960).

Me përvojën e tij të sportisit dhe me një kurs dymujor të kryer më parë për trajner të basketbollit, gjatë viteve të fundit të karrierës, ai ndërron drejtim. Eshtë trajner me ekipin e të rinjve të Partizanit, me të cilin fiton dy tituj kampionë (1972-1973 dhe 1973-1974), krahas detyrës së ndihmëstrajnerit të ekipit të parë të po këtij klubi.

Njazi LLeshi
Njazi LLeshi

Në mars të vitit 1974 merr detyrën e trajnerit të parë. Përsëri i sukseshëm, KS ”Partizani” është kampion dhe fitues i Spartakiadës më 1973-1974 si dhe kampion dhe fitues i kupës së Republikës më 1974-1975. Lufta e klasave nuk e lejon të punojë te KS “Partizani”, kur, në të kundërt, KS ”17 Nëntori”, duke u përkujdesur për të, si një specialist të përgatitur e ofron si trajner me ekipin e të rinjve; ndërkohë që punon si arsimtar në fshatrat e Tiranës, e më pas në qytet. Në vitin 1979 rikthehet te KS “Partizani“ me detyrën inspektor-metodist. Prej vitit 1981, ai është trajner i skuadrës së femrave të po këtij klubi, puna pasionante e të cilit e ngjiti këtë skuadër nga vendet e fundit deri në titullin kampion (1988-1989), si rast i parë dhe i vetëm në historikun e këtij klubi.

Për merita të veçanta në sportin e basketbollit, Njaziu është vlerë- suar nga Komiteti i BFSSh me titullin ”Kuadër i dalluar në sport” (1971); ndërsa nga Bashkia e Tiranës me “Mirënjohja e Qytetit të Tiranës” (2000).

Ai është dekoruar me Medaljen “Naim Frashëri” (1981), me Urdhërin Naim Frashëri” të klasit III (1986) dhe II (1989) dhe me Urdhërin ”Naim Frashëri” i Artë (1996).