Njazi Petrela
Njazi Petrela

Lindi në Tironë më 24 prill të vitit 1924, në njërën prej familjeve të njohura vendase e themeluese të qytetit.

Arsimin fillor, të nisur në shkollën Hoxha Tahsin që ndodhej në rrugën me të njëjtin emër, falë prirjeve artistike të tij dhe bindjeve familjare, e vazhdoi në një kolegj të Davozit në Zvicër. Atje, mësoi për violinë dhe pikturë. Më pas, i kthyer në Shqipëri, mësoi edhe për skulpturë në Gjimnazin e Tironës.

I ati i tij, Besimi, një njeri i kulturuar e arsimdashës dhe të cilin e kishin zgjedhur kryetar të Këshillit të prindërve të Gjimnazit, e regjistroi të birin në Universitetin e Vjenës për të studiuar në arkitekturë. Por aspirata e tij nuk mund të realizohej, ajo u ndërpre për shkak të kushteve të përkeqësuara nga lufta e dytë botërore. Madje, me ardhjen në fuqi të komunistëve në Shqipëri, ajo u shua përgjithmonë. E vetmja mundësi që ju ofrua atij ishte fakulteti i Histori-Filologjisë në Shqipëri, të cilit ju përkushtua me moton “sine ira et studio”, që e citonte shpesh.

Për shkak të origjinës, ai u përndoq e u shpronësua. Në vitin 1951, me “Coup a la Fouche” siç e quante ai ”bombën në ambasadën sovjetike”, e transferojnë mësues në Skrapar. Megjithatë, duke respektuar etjen e vendasve për dije, edhe atje punoi me përkushtim. Kthimin në shkollat e Kamzës dhe të Farkës të rrethinave të Tironës e shoqëroi po me të njëjtin pasion.

Gjithsesi, mërzitja prej vetmisë ishte e pranishme, e për këtë, shoqërinë e gjente te libri dhe te recitimi i Dantes apo i Nolit. Për t’u rikthyer në qytetin e tij, e abandonoi mësuesinë. Me hobin për violinën, prej vitit 1958, ai bën pjesë në orkestrën e Estradës së Tironës, që në atë kohë realisht ishte një orkestër ]azzi (periudha më liberale e regjimit që politikisht reflektohej në bashkekzistencën paqësore midis dy superfuqive, BS dhe ShBA).

Me ndihmën e një shoku të tij të gjimnazit, në vitin 1961, Njaziu kthehet përsëri në arsim, këtë herë si mësues i letërsisë në Shkollën Pedagogjike të Tironës, por që më pas, i ndjekur si gjithnjë nga origjina e në varësi të dallgëve të luftës së klasave, përfundon në pasionin e rinisë, mësues muzike. Megjithatë, falë miqve të tij, në një ulëtirë para dallgës, arriti më në fund mirënjohjen administrative, atij iu dha Urdhëri “Naim Frashëri”.

Pushoi në tetor të vitit 1999.

Motoja e Njaziut ishte ”Pasioni shpesh të ndihmon në jetë dhe ideale është kur ai përkon me edukimin, çka në eksperiencën time më ka nxjerrë nga vështirësitë”. Librat, violina, pikturat dhe fotografitë e lëna prej tij, mbeten kujtime që familja i ruan gjithnjë.

Burimi: Shoqata Tirana

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.