Nikolla Hobdari
Nikolla Hobdari

Nikolla (Alqi) Jovan Hobdari
1882 – 1960
DEPUTET – 1943

Nikolla (Alqi) pinjoll i familjes të njohur ortodokse Hobdari, mjaft të vjetër, autoktone e me tradita kishte lindur në Tironë më 1882, ku edhe vdiq në vitin 1960.
Pas arsimimit fillor në shkollat e atij qyteti dhe në ato të Durrësit, përfundoi në Athinë, më 1905, studimet e larta për industrinë ushqimore.

Të mirënjohur si qytetarë të ndershëm tiranas, bashkë me vëllezërit e tij Jorgjin dhe më pas, me më të riun, Aleksandrin, janë ndër bisnesmenët e parë të industrisë ushqimore jo vetëm në Tironë, por edhe në krejt Shqipërinë.

Falë mentalitetit progresiv të industrialistit modern; teknologjinë artizanale të sapunit, që e kishin filluar shumë herët në një godinë diku pranë Selvisë në rrugën e Dibrës, e zevendësuan me një bashkëkohore. Veç kësaj, në vitin 1917, ata ndërtuan edhe një mulli bloje që, ndryshe nga tradita e shfrytëzimit të energjisë së ujit, punonte me energji elektrike.

Më tutje, Firma ”Vëlleznit Hobdari”, e drejtuar nga Alqi, ngriti edhe objekte të tjera: fabrikë për akull, distileri alkooli, linjë për pije freskuese, një kompleks me teknologji e makineri të kohës të ardhura nga Italia dhe Gjermania dhe sa e sa të tjera me eskluzivitetin e firmës gjermane “Sinalco” A. G. Detmold.

Ata prodhuan edhe arançiatën ”Augusta” me polpë portokalli të importuar nga një firmë italiane si dhe ujin e gazuar me shishe me valvolë. Alqi ishte njëherësh aktiv edhe në sferën e kulturës. Bashkë me Xhuf Koliakën dhe Ferit Vokopolën, përmes Kinema Teatër “Nacional”, ngritën në Tironë, në vitin 1925, shoqërinë e parë kinematografike në Shqipëri, e cila më 1930 ju shit vëllezërve Jusuf dhe Hysen Beshiri.

I nderuar për personalitetin e vet, Alqi Hobdari, ai burrë gjithnjë i respektuar nuk mund të ishte jashtë problemeve shoqërore dhe atyre të politikës. Gjatë periudhës 1925-1927, ka qenë zgjedhur anëtar i Këshillit bashkiak të Tironës, detyrë që, në dobi të bashkëqytetarëve të vet, e ka kryer më së miri.

Ai shkoi më tej, kur u nderua deri në pozicionin e njërit prej 10 deputetëve të Tironës ndër 203 të Asamblesë Kombëtare, të atij institucioni historik që, nën juridiksionin e tij, përfshinte edhe një pjesë të mirë të territoreve shqiptare të lëna padrejtësisht dhe që në vitin 1913 jashtë ku finjve natyrorë.

Burimi: Shoqata Tirana

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.