Nga vjen emni i qytetit tonë? - nga studjuesi Gazmend A. BAKIU
Nga vjen emni i qytetit tonë? - nga studjuesi Gazmend A. BAKIU

Një nga pyetjet që studiuesit e kohëve të ndryshme kanë dashur t’i japin përgjigje, ka qenë dhe është problemi se nga vjen emërtimi Tiranë. Për etimologjinë e emrit të kryeqytetit janë bërë shumë hamendje, dhe janë dhënë po aq versione, përgjatë më shumë se një shekulli, të cilat do t’i përmendim të gjitha dhe me radhë.

Gazmend A. Bakiu duke mbajtur fjalimin e Pavarsisë, 26 Nandor 2014.

Tre shpjegimet e mëposhtme lidhen me legjendën e themelimit të qytetit të sotëm (1614), të treguar nga autorë të ndryshëm.

Në vitin 1901, A. Degrand dha shpjegimin sipas të cilit, themeluesi i qytetit, Sulejman Pasha e quajti atë Tehran në kujtim të një fitoreje të korrur në Persi; më pas ky emër u transformua në Tirana.

Ky version ka zënë vend në enciklopedi të ndryshme. Ahmet Gashi thotë se Sulejman Pasha pa një të papunë që luante me ranë (rërë), dhe kur Pashai e pyeti se ç’po bënte, ai iu përgjigj: “Jam tue tjerrë ranë”. Dhe kështu, ai e quajti qytetin Tir ranë, emërtim që më pas u transformua në Tiranë.

Në variantin e gojëdhënës së treguar nga Osman Myderizi, Sulejman Pasha pa një plakë që po tirrte në pragun e një kasolleje dhe e pyeti se ç’po bënte; përgjigja “po tir an” çoi në emërtimin Tiranë.

Këto versione kanë rënë pasi është e provuar se emri Tiranë (si emërtim i trevës), egzistonte përpara se të themelohej qyteti i sotëm. Në librat e Barlecit, e Muzakës, e të Biemit dhe në relacionet e udhëtarëve të ndryshëm, Tirana përmendet disa shekuj më përpara vitit 1614. Pra, kjo pjesë e legjendës ku pretendohet se ishte themeluesi i qytetit, ai që i vuri edhe emrin atij, nuk është e vërtetë.

Qyteti i sotëm kur u formësua mori emrin e trevës Tiranë, dhe ky është një rast i përsëritur në qytete të tjera anekënd botës. Varianti i katërt i pavërtetë është ai që e shpjegon emrin e Tiranës me Therandën, e cila është shënuar në hartën Tabula Peutingeriana të shekullit të III pas Krishtit. Duke u gabuar nga vendosja në hartë dhe nga ngjasimi i emërtimeve (Theranda-Tirana), është menduar se këtu kemi të bëjmë me Tiranën. Në fakt, Tabula Peutingeriana është një hartë itineraresh, dhe ashtu siç ka shkruar baroni Franz Nopcsa që e ka botuar atë, Theranda ndoshta ka qenë Suharjeka e motshme, dhe nuk ka të bëjë me Tiranën.

Pikturë e Sulejman Pashës nga piktori tiranas Arben Basha. Kjo është një fantazi. Pikturuar për librin e Bakiut.

Sipas versionit të parë që duhet marrë në konsideratë, emri Tiranë ka ardhur nga kështjella Tyrkanos. Këtë kështjellë me vendndodhje të papërcaktuar e ka përmendur historiani bizantin Prokopi i Cezaresë, në shekullin e VI pas Krishtit.

Milan Sufflay mendonte se kjo kështjellë duhet kërkuar pranë Tiranës.6 dhe ndoshta kemi të bëjmë me kalanë në mes të kryeqytetit, rrënojat e së cilës dolën në shesh së fundmi. Më herët akoma në veprën e tij, A. Boue ka shkruar Tyrcanus Tirana.

 Një variant tjetër (i dyti) paraqitet tek “Shqypnija e Ilustrueme”, Shkodër, 1929: Emri Tiranë erdhi nga fjala latinisht tyros e greqisht turos (në fakt, greq. tiri-djathë), që nënkupton një vend të bylmetit. Kjo hipotezë mbështetet nga burimet historike sipas të cilave ilirët ishin blegtorë të zotë, dhe djathi i deles i përgatitur nga ta ishte shumë i përmendur jashtë vendit.

Ndoshta, fusha e Tiranës u emërtua e tillë, sepse ishte vendi ku prodhohej bylmeti. I treti version mbështetet në hipotezën e transformimit të togfjalëshit vendas “të ranat” (të rana, të rëna), që nënkupton një fushë të formuar nga depozitimi i materialeve të ngurta, që sillnin ujrat që kalonin nëpër të. Po në të njëjtën mënyrë, Xhavit Maçi ka shpjeguar emrin e Lanës -“të lana” (të lëna), nga mbetjet e ngurta që linte pas përroi që kalon mes qytetit.

Kemi edhe një variant të katërt. Linguisti italian Graziadio Ascoli vërente ngjashmërinë ndërmjet emrave toskë e Tirana me emrat tuskë e tireni, si rrjedhojë e familjes së madhe tireno-pellazgjike. Duket se këtu është mbështetur Bardhyli (Llukë Karafili) kur thotë që Tirana e mori emrin prej emigrantëve tuskë, prej pellazgo-tirenasve që erdhën nga gadishulli italik në kohërat antike. Mirëpo, i pari që e ka ngritur këtë version ka qenë J. G. von Hahn, dhe këtë na e bën të ditur S. Juka në një artikull të saj.

Sidoqoftë, ne nuk kemi një version përfundimtar dhe bindës, për shpjegimin etimologjik të emrit të kryeqytetit tonë. I pasigurtë do të ishte edhe shpjegimi, që mund të vijë nga zbërthimi etimologjik i emrave të qyteve europianë, të ngjashëm me Tiranën, si p.sh. Tirano i Italisë. Jo rrallë, ngjashmëria e emrave nuk do të thotë asgjë. Ne mbetemi të errët përballë enigmës, e cila zor se do të sqarohet ndonjëherë në mënyrë bindëse. Nuk jemi vetëm ne që kemi të tilla “probleme”; edhe austriakët s’e kanë shkoqitur me siguri, se nga e ka prejardhjen emri i kryeqytetit të tyre, Vjena.

(Shkrimi u mor nga libri Tirana e Vjetër, një histori e ilustruar)

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.