“Ne jemi Tirona”.Klubit me më shumë tituj në Shqipëri i është kushtuar një dokumentar me rastin e 95-vjetorit të krijimit. Një histori pasioni, dashurie, sakrificash, revanshi të brendshëm dhe mbi të gjitha trofe pafund.

Me regjinë e Armand Vellahut, skenarin e Gerti Selenicës, pjesëmarrjen si gazetar të Sajmir Demit është shfaqur dje premiera e dokumentarit “Ne jemi Tirona” në Kinema “Millenium”.

Dokumentari është ndjekur nga legjenda të këtij klubi si Agustin Kola, Ali Mema, Indrit Fortuzi dhe shumë të tjerë. Gjithashtu të pranishëm kanë qenë edhe një pjesë e mirë e futbollistëve aktual, bashkë me drejtuesit e trajnerit Muça. Dokumentari – Në rreth 1 orë e 10 minuta në dokumentar ishte përmbledhur historia 95-vjeçare e klubit me shumë trofe në Shqipëri. Nga gushti i 1920-ës, kur është krijuar skuadra, e deri në qershorin e këtij viti. Një histori gati 1-shekullore që ka lënë gjurmë në futbollin shqiptar. Skuadra ia del të fitojë titullin e parë kampion në vitin e parë që nisin zyrtarisht kampionatet. Selman Stërmasi është një prej atyre që bën gjithçka për klubin bardheblu dhe meritat për të janë maksimale. Regjimi komunist e godet Tiranën, në një kohë që favorizohen Dinamo dhe Partizani.

Në dokumentar vihet theksi edhe te fakti që, sipas bardhebluve, historia i është borxhli klubit që i mungojnë dy tituj kampion gjatë luftës. Breza të tërë lojtarësh dhe tituj vit pas viti. Vitet pas ’90-ës e gjejnë sërish Tiranën të përgatitur, pavarësisht ndryshimit të sistemeve. Një organizim i ri klubi dhe tashmë edhe futbollistë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë apo edhe nga jashtë. Futbolli është ndryshe. Përballje të shumta në Europë dhe rezultate historike siç është barazimi 2-2 ndaj Ajaksit. Vitet e fundit nuk janë ato që kërkojnë tifozët bardheblu. Një krizë titujsh kampion për skuadrën, ashtu si gjatë viteve ’60. Megjithatë, një gjë është e sigurt; Tirana është dashuria e madhe e drejtuesve. Refik Halili, presidenti aktual, deklaron se do të qëndrojë deri në vdekje pranë skuadrës. Ndërsa, Lutfi Nuri nuk i përmban dot lotët kur flitet për këtë klub.

“Edhe lidhëset e këpucëve nëse do të duheshin për Tiranën, unë do t’i hiqja dhe do t’ia jepja këtij klubi”. Shumë prej mbështetësve dhe tifozëve kanë nisur ta besojnë realisht se gjaku i tyre është bardheblu….

Burimi: Panorama.com.al
Besar Bozgo

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.