Ndricim Xhepa
Ndricim Xhepa

Ka lindur në Tironë më 21 janar 1957, ku, në gjirin e një familje intelektuale arsimdashëse dhe artdashëse, u rrit dhe u edukua me parime të vërteta qytetare.

Pas shkollës së mesme të kryer më 1975, ai përfundoi studimet e larta për aktor në Akademinë e Arteve, gjatë periudhës 1976-1979, për t’u angazhuar më tej në Teatrin Kombëtar.

Ndriçm Xhepa është tashmë aktor mjaft i njohur dhe po aq i shquar. Në karrierën e tij mbi tridhjetëvjeçare ka një bilanc shumë të pasur: rreth 75 role, nga të cilat 40 në skenën e teatrit dhe 35 në kinematografi. Në këto të fundit, dhjetë prej tyre, që i përkasin periudhës pas vitit 1997, janë interpretime në prodhime me bashkëpuntorë të huaj.

Për të gjitha këto, Ndriçimi ka marrë mjaft vlerësime, madje, dy medalje, që në fillimet e karrierës së tij. Eshtë dekoruar edhe me Urdhrin ”Naim Frashëri” të klasit të parë (1989) dhe ka titullin ”Artist i Merituar” (1989).

Ai është vlerësuar katër herë me kupën ”Aktori më i mirë”, në festivalet e filmit; tre herë, me çmimin ”Kult”, si aktori më i mirë i vitit; po kështu edhe ”Aktori më i mirë” në Festivalin ndërkombëtar teatror ”Kosova in Fest”, si dhe në festivalet mbarëkombëtare në Tironë (1986), Vlorë (1995), Fier (2004) etj.. Nga Presidenti i Republikës i është nderuar me Urdhrin ”Mjeshtër i Madh” (2010).

Por, ky personalitet i shquar i artit nuk mund të qëndronte jashtë politikës. Falë bindjeve të tij liberaldemokrate, ai kishte refuzuar të gjitha thirrjet e bëra për t’u antarësuar në Partinë e Punës së Shqipërisë. Duke qenë, për 15 vjet edhe pedagog i Akademisë së Arteve, megjithëse i jashtëm, ai ishte gjithnjë i pranishëm në qytetin ”Studenti” gjatë dhjetorit 1990. Në mbështetje të kësaj Lëvizje, Ndriçimi u bë ndër nënshkruesit e parë të kërkesës për legalizimin e Partisë Demokratike.

Më tej, ai pranoi kërkesën e kësaj Partie për të qenë kandidat për deputet në zgjedhjet e vitit 1996, por pa u shkëputur nga profesioni i vet, me të cilin tashmë ishte i lidhur përfundimisht. Në këtë Legjislaturë që, siç dihet zgjati vetëm një vit, ai u zgjodh anëtar i Komisionit Parlamentar për artin dhe kulturën.

Veçohet kontributi i tij në hartimin e Ligjit për kinematografinë; aprovimi i të cilit mundësoi raportet bashkëkohore artistike e juridike në prodhimet e kësaj gjinie. Ndërkohë, ai i kushtoi angazhimin e duhur edhe situatës problematike të infrastrukturës rrugore në zonën ku ishte deputet.

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.