Myrteza Topi
Myrteza Topi

Myrtezai, i njohur më shumë me emrin Riza, lindi në Tiranë, në muajin prill të vitit 1916. Ishte djali më i vogël i asaj familje të Vjetër autoktone dhe te i cili, me intuitën e tij i ati i vet spikati aftësitë e veçanta intelektuale. Ato ishin konkretizuar deri në atë, sa që brenda një viti mësimor, ai kishte marrë dy klasë të njëpasnjëshme. Po me rezultate shumë të mira kreu edhe shkollën e mirënjohur të Harry Fultzit.

Për këto vlera të tij dhe me shpen-zimet e vetë familjes, Myrtezai studioi në Stamboll, ku veç përgatitjes profe-sionale, u shqua edhe për përvetësimin shumë të mirë të gjuhës angleze. Falë aftësive të tij në këtë fushë, ai njihet edhe në një krah tjetër, do të bëhej spikeri i parë i Radio Tiranës në gjuhën angleze.

Në Tiranë, krahas punësimit me detyrën e ekonomistit në Kryqin e Kuq Shqiptar; në bashkëpunim të ngushtë me vëllezërit e tij, Ibrahimin dhe Aliun, u angazhua edhe në aktivitetet private tregëtare të familjes së vet të zhvilluara në pazarin e vjetër të qytetit.

Familja Topi, për shumë kohë, ka pasë në pronësi të vet edhe dyqanin e mirënjohur “Flora”, e tamam në atë kohë të okupacionit kur atje punonte Enver Hoxha. Sikurse dyqanxhinjtë e tjerë të qendrës së Tiranës, edhe vëllezërit Topi e konsideruan ate një figurë që duhej mbrojtur. Dhe këtë e bënë me bindjen, karakterin, besën dhe mentalitetin e ndershëm të tiranasit.

Me këto cilësi të shkëlqyera të vendasve, asnjë partizan apo patriot tjetër që veproi dhe luftoi në Tiranë në vitet e luftës nuk u ngacmua dhe nuk u tradhëtua nga ndonjë autokton; ato mbetën përherë të sigurtë në aktivitetet e tyre. Madje, përsa i përket Rizait, përmes rreziqeve të shumta, ai kishte dhënë kontribute të veçanta; nga depot e Kryqit të Kuq nxirrte pa rreshtur ndihma ushqimore dhe sidomos ilaçe.

E, megjithatë, pas çlirimit të vendit, kur ishte në kulmet e angazhimeve të tij si ekonomist mjaft i aftë dhe si spiker në Radio-Tirana, atij i vunë prangat. Kjo ndodhi në vitin 1952. Shkaku ishte se, nga i ati i tij dhe në vazhdim edhe nga aktiviteti tregtar, ai kishte pasuri në florinj dhe ato duhej t’i merreshin me çdo kusht.

Tortura të egra dhe të pamëshirshme për t’i marrë deri zbukurimin më të fundit, varësen e gruas së tij, ushtruan mbi të xhelatët e sistemit. Edhe se më vonë, pushteti i kohës u përpoq të korrigjojë diçka, shumë dëme nuk mund të rregulloheshin më; të gjitha këto, te familja e tij, që kishte jetuar vite të vështira, kishin pasë ndikime të ndryshme të karakterit politik dhe ekonomik.

Kur Rizai u lirua, përveç se, për një kohë të gjatë, vuajti traumën e trajtimit çnjerëzor dhe për këtë, në një farë mënyre u vetëburgos; por edhe nga puna që bënte, ai merrte vetëm sa për të mbajtur frymën.

Në situata të tilla, ai pat përkrahjen e përhershme të së shoqes së tij, fisnike e zemërmadhe, bijë e familjes së mirënjohur tiranase Karapici. Me të, rriti dhe edukoi me të gjitha virtytet më të mira tre djem. Më i madhi Flamuri, që ka mbaruar fakultetin e mjekësisë dhe i mirënjohur përmes televizionit shqiptar, është ai që prej disa dekadash drejton emisionin ” Trupi dhe Shëndeti”, sa të mrekullueshëm aq edhe popullor. Mentori, ai djalë brilant, që kishte mbaruar inxhinierinë e ndërtimit e që Vdekja e parakohëshme e ndau atë nga familja, ka qenë një konstruktor shumë i mirë, por që dallohej edhe si piktor e poet plot ndjenja e frymëzim. Bamiri, i arsimuar në veterinari dhe i suksesshëm në profesionin e tij, ka gradën shkencore Doktor” dhe titullin shkencor ”Profesor”.

Gjatë gjithë jetës, Rizai mbeti një intelektual qytetar e mjaft i ndershëm e i respektuar dhe njëherësh me shpirt thellësisht demokrat, liridashës e patriotik dhe që e donte vendin e tij. Me jetën e gjatë, plot 92 vjeç, por gjithnjë me një kthjelltësi mendore dhe me një kujtesë të vërtetë e impresionuese, ai arriti të përjetojë një ngjarje tejet madhore për të. Ishte i pranishëm në ceremoninë e kurorëzimit të të birit të tij, Bamirit, në postin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, çka nuk. e arriti e shoqja e tij, Haxhireja. Ndërkohë, ai, që e adhuronte aq shumë Kosovën, përjetoi edhe shpalljen e pavarësisë së saj.

Deri në ditët e fundit të jetës së tij, kur vdiq në vitin 2008, ai lexoi dhe lexoi pa reshtur në shqip e në anglisht. Falë kujtesës, ai ka vlejtur maksimalisht si një dëshmitar plotësisht i besueshëm, që nga ngjarjet familjare e deri në ato të historisë së vendit. Ndërkohë, ai mbetet po ashtu një simbol i çmuar dhe një përfaqësues i denjë i vlerave më të spikatura, dukshëm pozitive dhe të rralla të tiranasve, këtyre qytetarëve të ndershëm që nuk
morën vlerësimet e plota që meritojnë.

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.