Monumenti i Lirise 1938
Monumenti i Lirise 1938

Në morinë e monumenteve, busteve shtatoreve që kemi, mendoj se duhet të kishim një monument kushtuar Lirisë, por ja që nuk kemi. Megjithatë, në (thuajse) 105 vitet e shtetit të pavarur, Shqipëria ka pasur përgjatë një periudhë të shkurtër, një monument kushtuar Lirisë, për të cilin do të bëjmë fjalë këtu.

Në vitin 1938, me rastin e festimeve të 10-vjetorit të Mbretërisë u vendos që të ngrihej “Monumenti i Lirisë”. Projekti u përgatit nga arkitekti Qemal Butka, në qershor 1938). Sipas preventivit, punimet për rregullimin e vendit ku do të vendosej monumenti do të kushtonin 5.766 franga ari, ndërsa ky i fundit 15.000 franga ari, (Shtypi, 22 qershor 1938). Monumenti u realizua nga prof. Bassit nga Trani, i provincës së Barit, dhe u vendos aty ku sot është sheshi “Nënë Tereza”.

Monumenti i Lirisë ishte 12 metra i lartë; siç mund ta shikoni në foto, ai kishte formën e një harku triumfi me një shqiponjë përsipër. Shqiponja i kishte krahët e hapura, gati për fluturim. Nën hark ishte vendosur një altar graniti i zi, në të cilin mund të ngjiteshe nëpërmjet shkallëve prej guri të kuq, të sjellë nga Kruja. Në ballin e tij ishte shkruar me germa kapitale: “Për lirinë kombëtare”.

Ceremonia e inaugurimit u zhvillua më 31 gusht 1938, në ora 10.30, në kuadrin e festimeve të 10-vjetorit të shpalljes së Mbretërisë. Morën pjesë autoritetet e larta të shtetit: Kryetari i Parlamentit Pandeli Evangjeli, kryeministri Kostaq Kotta, anëtarë të qeverisë, deputetë dhe trupi diplomatik. Megjithë motin e keq dhe shiun aty ishin mbledhur shumë njerëz. Altari ishte mbuluar me një flamur të madh. Një kompani ushtarësh së bashku me bandën frymore ishte vendosur aty për nderimet e rastit, (Gazeta Shqiptare, 1 shtator 1938).

Në momentin që Princesha Ruhije mbërriti e shoqëruar nga Princi Salih, banda frymore ekzekutoi himnin mbretëror. Ajo shkoi pranë monumentit ku mbajti një fjalim të shkurtër, që u transmetua nga Radio Tirana. Pastaj mes duartrokitjeve të rastit, Princesha zbuloi monumentin.

Monumenti i Lirisë e pati jetën e shkurtër; ai u çmontua pas pushtimit, me justifikimin e ndërtimit të bulevardit dhe kompleksit të ndërtesave, që ndodhen në sheshin që sot mban emrin “Nënë Tereza”.

 

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.