Gezim Kasmi
Gezim Kasmi

Gëzim Kasmi ka lindur në Tiranë më 20-2-1942. Pasi kreu studimet e larta në ILKF ”Vojo Kushi”, ku u diplomua ”mësues i edukimit fizik”, ka punuar në disa shkolla të Tiranës dhe prej vitit 1973 deri më 1993, pedagog i edukimit fizik në Institutin Bujqësor të Tiranës. Sporti, veçanërisht futbolli, që në moshë të vogël, ka qenë pjesë e jetës dhe e familjes së tij. Falë aftësive që kishte, përfshihet në ekipin e të rinjve të futbollit të KS “17 Nëntori” të Tiranës, ndërsa më 1960 edhe në ekipin e të rriturve të këtij klubi.

Në 12 kampionatet (1960-1972) që luajti, Gëzimi ka zhvilluar qindra ndeshje zyrtare dhe është fitues i tre kampionateve kombëtare 1965, 1968 e 1970, i një kupe të Republikës (1963) dhe i Spartakiadës III Kombëtare. Eshtë dalluar për lojë cilësore dhe, duke treguar futbollin e kohës në rolin e mbrojtësit të majtë, ka qenë i pakalueshëm për sulmuesit kundërshtarë. Absurditetet e atëhershme politike dhe lufta që i bëhej KS “17 Nëntori”, bënë që, Gëzimi, megjithëse kishte mbaruar arsimin e lartë, të kryejë
edhe shërbim të plotë ushtarak gjatë viteve 1966-1967. Me ekipin e futbollit të Çorovodës, ku ai u dërgua për të kryer këtë detyrë, mbajti peshën kryesore të të gjitha ndeshjeve dhe për këtë, ai mbetet edhe sot në kujtesën e dashamirësve sportivë të këtij qyteti si dhe të gjithë rrethit të Skraparit.

Kontribut me vlerë, ka dhënë edhe në aktivitetet ndërkombëtare, brenda dhe jashtë vendit. Me klubin e tij, ka një bilanc të pasur ndeshjesh për kupat ballkanike, kundër “Rapid”, “Beshiktash” etj., dhe për kupat e Europës, kundër ”Kilmarnok”, “Ajaks” etj.. Me ekipin kombëtar të futbollit ka zhvilluar mjaft ndeshje zyrtare, përveç atyre miqësore, ndër të cilat janë ato për eliminatoret e Lojrave Olimpike dhe të kampionatit europian. Të paharruara mbeten për Gëzimin sidomos ndeshja ndaj Irlandës së Veriut (1965) dhe eliminimi i saj nga Europiani, ndeshja me olimpiken bullgare, ajo me Danimarkën për Europianin e vitit 1964 etj., për të cilat nga trajnerët dhe mediat ka marrë vlerësimet më të mira.

Pas mbarimit të karrierës së tij të sportistit, për tre vjet (1973-1976), ai kreu detyrën e trajnerit të ekipit të futbollit të KS “Dajti” të Tiranës, pjesëmarrës në kategorinë e dytë dhe me të cilin arriti rezultate të kënaqshme.

Për merita sportive është dekoruar me Urdhrat ”Naim Frashëri” të klasit III dhe II.