22 vjet në rrugën e Saraçëve në Pazar të Ri. E gjithë mahalla aty e njeh shumë mirë Mirin, berberin tek i cili jo vetëm mund të qethësh flokët, por mund të diskutosh për më gjerë për sportin, imobiliaret, politikën e shumë tema të tjera. Madje aftësitë e tij bashkëbiseduese ai i praktikon në një nga radiot lokale, që dëgjohen në Tiranë, duke sajuar batuta të rastit. Për gatishmërinë e tij dhe informacionin që ka ai ngjan pak me Figaron, tek Berberi i Seviljes. Kushdo që i drejtohet atij, ai i përgjigjet: Jam këtu.

Ky është Fatmir Kajimi, 52 vjeç, apo siç e njohin të gjithë në lagje, Miri. Ka lindur pikërisht në Pazarin e Ri, është rritur po aty, dhe për më shumë se 22 vite rresht ka shërbyer po aty në Pazar, dhe me disa periudha shkëputje ai ka 36 vite që i qeth, i rruan dhe iu shërben njerëzve rrotull.

Ai kujton nga babai i vet Agimi, dhe nga gjyshi i vet Mehmeti, se kanë mbi 300 vjet që jetojnë në Tiranë dhe se janë nga 30 familjet më të vjetra tiranase. Megjithatë ai flet pastër dhe komunikon lirshëm me të gjithë ata që hyjnë në dyqanin e tij. Tip shumë i qetë dhe si të gjithë pazarxhinjtë aty ditën e nis me kafen e sabahut me shokët e vet. Një palë gërshërë, një krehër dhe një brisk janë mjetet e tij themelore të punës me të cilat ai fiton ndershmërisht jetesën për veten dhe familjen e vet. Në pritje të klientëve për t’u qethur e rruar ai del për ditën në dyqanin që ka hapur te rruga e Saraçëve dhe aty nuk mungojnë revistat dhe gazetat e përditshme, që i lexon vetë, por edhe për klientët që presin radhën.

Nga viti 1979 ai e ka filluar këtë zanat pasi ka mbaruar shkollimin e mesëm. Madje edhe kur ka shkuar ushtar ai vazhdoi të ushtrojë zanatin e berberit. Për pak kohë ka shkuar te një dyqan pranë shkollës së Bashkuar, e ndonjë vend tjetër, e më pas në një dyqan brenda në Pazar të Ri, te Selvia, dhe pas 1991 në rrugën e Saraçëve. Nuk mungon ta hapë derën e dyqanit të vet në ora 9 të mëngjesit me një pauzë në drekë, dhe më pas punon deri në mbrëmje.

Madje nuk i mungon një shënim që e le në xhamin e dritares, kur largohet për pak kohë sa të kryejë ndonjë punë, kthehem shpejt. Ai kujton me mall e respekt ustallarët e vjetër me të cilët ka pasur rastin të punojë dhe të përfitojë prej tyre, ku disa prej tyre kanë ikur prej kësaj bote, Hasan Xibri, Ferit Çali, Isuf Qefalia, Murat Karaj, Mustafa Meta etj. Dalloheshin për burra të mirë e të qetë, që dinin si e prisnin klientin dhe t’i shërbenin.

Kur të mbarosh klienti duhet të duket tjetër njeri. Berberi është zanat artisti, e të zbukurosh kokën është art,- thotë Miri. Nëpër duart e tij kanë kaluar me mijëra njerëz gjatë këtyre viteve, dhe falë këtij zanati ai i ka zgjeruar njohjet e veta, të cilat e ndihmojnë në një tjetër profesion me të cilin ai e shfrytëzon për të fituar, real estate. Merr e jep informacione për prona, apartamente, qera etj.

E gjitha kjo ndodh gjatës kohës që ai pret klientët e vet në dyqan. Atij ia kanë besuar kokën për t’i qethur edhe vipa të ndryshëm. Nga bota e sportit mund të përmendim volejbollistin legjendë Leonard Tasen dhe komentatorin e famshëm të ndeshjeve të futbollit Ismet Bellova, mjekët e mirënjohur Hamdi Sulçebe dhe Panajot Boga, ndërsa nga bota e artit Mevlan Shanajn, Maks Velon e Jorgo Papingjin.

Po ashtu ai së bashku me dy shokë, Gimin dhe Tukun del në valët e një radio lokale në një orar të caktuar të shtunën dhe bashkëbisedojnë për tema të ndryshme me dëgjuesit. Në raste festash kombëtare presin e përcjellin urime, apo i urojnë ditëlindjen dikujt. Rrëfejnë histori e barcaleta të ndryshme për të kaluar kohën.

Miri është një bashkëbisedues i mirë, madje edhe gjatë kohës që shërben në dyqan i vijnë njerëz dhe i tregojnë hallet e veta, dhe ai i dëgjon me vëmendje e më pas iu jep ndonjë këshillë dhe i përcjell njerëzit me shumë dashamirësi dhe respekt.

Kushdo që hyn në dyqanin e Mirit mbetet i kënaqur nga pritja dhe nga puna e tij. Pjesa më e madhe e klientelës së tij e njohin prej kohësh dhe nuk heqin dorë nga ai. Gjithmonë i respektueshëm e buzagaz jo vetëm ndaj klientëve, por ndaj të gjithë do ta gjeni Mirin tek ju shërben.

Burimi: TESHESHI

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.