Minella Jorgoni
Minella Jorgoni

Lindi në Tironë më 6 janar të vitit 1905. Mësimet e fillores, gjatë periudhës 1914-1921, i bëri në Janinë dhe në Tironë; ndërsa ato të mesme për ekonomi, i përfundoi gjatë viteve 1922-1926 në Bukuresht të Rumanisë.

Sikurse vëllai më i madh i tij Jorgji, studimet e larta i kreu edhe Minella, por ndryshe nga ai, për ekonomi. Ato i filloi në Rumani, ku i vazhdoi deri në vitin 1930, për t’i mbyllur në vitin 1931 në Leçe të Italisë, madje edhe me një specializim për ekonomist kontabël.

Kur kthehet në Shqipëri emërohet në Doganën e Portit të Durrësit. Si një kuadër i përgatitur, atij ju besua zbatimi i ligjshmërisë në detyrën e ekonomistit dhe të doganierit, çka e kreu me profesionalizëm, ndërgjegje dhe devotshmëri të lartë, duke dhënë njëherësh ndihmesën e tij edhe në Portin e Sarandës.

Prej vitit 1932, kur filloi me këtë detyrë, e gjatë gjithë jetës, ai punoi dhe jetoi në Durrës, ku më 1936 krijoi edhe familjen e vet, duke u martuar me vajzën tironase Kthansipi Vava, i ati i së cilës, Vasili, kishte shkuar atje për probleme tregtie. Kështu, duke shpalosur vlerat e tij, ai vazhdoi deri në mbarim të luftës së dytë botërore, kur edhe për të, si dhe për intelektualë të tjerë nisi kalvari i vuajtjeve.

Keqtrajtimi i kësaj shtrese nga regjimi komunist preku edhe Minellën, i cili donte të punonte jashtë politikës. U burgos për disa vite me akuzën ”Për tradhti të lartë karshi Atdheut”, por, gjithsesi, nuk u mposht edhe pse më vonë, deri sa doli në pension, punoi si kopshtar i thjeshtë në Muzeun arkeologjik të Durrësit. Pas vendosjes së demokracisë, falë kulturës së tij dhe njohjes së disa gjuhëve, Minella e tregoi veten edhe si ciceron i aftë, veçanërisht me të huajt.

Ai i shpjegonte vizitorëve për lashtësinë e vendit të tij; për luftërat e kryera në Shqipëri; për Cezarin, që kreu Akademinë ushtarake në Iliri dhe që luftoi në Qafë të Palit, diku te mali i Robit; për Astin, predikuesin e parë të krishterimit në vitet 50-60 të erës sonë e për sa e sa ngjarje të tjera. Ai shpjegonte gjithashtu edhe për figura të ndryshme historike e të ekspozuara në vende të ndryshme të Europës.

Në karakterin e tij, kishte pasion lulet, madje duke dërguar farërat e tyre edhe te ata që e kishin porositur, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Kështu jetoi ai, gjithnjë punëtor e i ndershëm, deri kur vdiq në vitin 2001.

Po me ndjenjën e dashurisë për punën dhe të dëshirës për liri e demokraci, ai edukoi edhe të shtatë fëmijët e tij, katër djem dhe tre vajza; prej të cilëve, më i madhi, Nikolla është mjek i njohur dhe ”Qytetar Nderi” i Durrësit; ndërsa Pavli është diplomuar inxhinier mekanik.

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.