Më kujtohet se çarçafët laheshin të dielave, që në atë kohë ishte e vetmja ditë pushimi.
Nëna i lante ato në oborr. Lavatriçja ende nuk kishte hyrë në shtëpinë tonë. “Paske larë çarçafët ? Lumja ti. Apo s’thahen shpejt me gjithë këtë diell ! E kisha bërë ndërmend t’i laj, por nuk të del koha.

Kë të bësh më parë ? Pazarin ? Gjellën ? Pluhrat ? Hekurosjen ? Apo radhat që më morën gjithë paraditen ? Kam tre ore në radhë për një kile patate ! ” – dëgjoja t’i thonin nënës komshijet që vinin për të mbushur ujë në çesmën e oborrit tonë apo që kalonin aty thjesht për t’u përshëndetur.

Më pëlqente, kur vinte pasditja, nën degët e hurmave, çarçafët e bardhë të nderë kryq e tërthorë mbushnin oborrin. Kur kaloja mes tyre ndjeja erën e sapunit.

Në mbrëmje, drita e qiellit i kaltëronte dhe, pothuajse të tharë, ata lëkundeshin mbi tela nga era. Të nesërmen, kur kthehesha nga shkolla, gjyshja më thërriste që ta ndihmoja për t’i palosur. Ndjehesha i rritur. Kapnim secili nga dy cepa dhe e palosnim çarçafin më dysh.

Gjyshja palëvizur, tërhiqte fort. Çarçafi tendosej. E palosnim përsëri më dysh.
Unë afrohesha drejt saj pa e lëshuar çarçafin, ajo më priste me krahët e ngritur në lartësinë e supeve. Kur ndodhesha pranë, edhe unë me krahët lart, ajo përkulej dhe më puthte. Ndieja erën e diellit dhe aromën e saj.

Shkeputur nga libri “Më kujtohet” me autor Ylli DEMNERI – Librin e gjeni ne librarite e Tiranes

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.