Mall për Tiranën

Dëgjoja bisedat e të rriturve, me sa nostalgji ata kujtonin kohën kur shtëpitë e tyre ishin përdhese  dhe mëhalla përbëhej nga shumë pjesëtar të një fisi apo komshi me të cilët ato kishin pasur marrëdhënie kaq të mira sa i konsideronin si të afërm. Sipas tyre, oborret ishin plot pemë frutore e lule dhe fëmijët kalonin pjesën më të madhe të kohës duke luajtur sëbashku nëpër rrugica të cilat gjithashtu ia lehtësonin komunikimin me njëri tjetrin. Kur ata flisnin për to, unë udhëtoja në mendime pranë shtëpisë së IJES, gjyshes se babait tim, stërgjyshes time, një grua zemërmirë e gojë ëmbël, me “merhamon” të bardhë borë në kokë. Ishte shtëpia e dytë, sa kaloje shkollën e mesme “Partizani”, shtëpi që ekziston edhe sot.

Ndërsa, shtëpia jonë ishte një apartament, ishte gjithmon plot me njerëz, dera rrinte e hapur, ishte “Derë e madhe”. Kishte kaq shumë dashuri dhe mirëkuptin, të paktën kështu e preceptoja unë, në këndëvështrimin e një fëmije. Gjyshja thonte se mund të vinin Myzyrt, Tufinsit, Ballukt, Rrelt, Fortuzt…. Unë prisja të vinte një person por jo ishin tre a katër. Më vonë kuptova se i referohej me mbiemrin e tyre, pra pritej të vinte një familje. Kam mësuar gjatë jetës se në familjet Tiranase kur vjen MIKU ai duhet të respektohet dhe i serviret çdo gjë e mirë që ndodhet në shtëpi. Shpesh herë gjyshja ose ime më më vendoste lekët në dorë dhe unë vrapoja për të blerë diçka. Tirancit janë bababxhan dhe të bëjnë të ndihesh si në shtëpinë tënde, kjo që nga mënyra se si të presin, se si të hapin derën, 90 gradë e jo sa të të duhet vetëm fytyra.

Mendoj se jam rritur me shumë dashuri falë fisit të babait tim (Zajmi) dhe të mamasë time (Zalta). Njerëz të mrekullueshëm.

Më vonë ne morrën “zgjerim”, kështu quhej në atë kohë, nuk do jetonim më me gjyshërit por në një apartament më vetë. Gjithësesi, unë dhe vëllai im e kishim kokën te shtëpia e gjyshes, pallati ballë për ballë “Librit Universitar”, ngjitur me shtëpinë e Haxhi Lleshit (udhëheqës në kohën e diktaturës). Aty kishim kaluar fëmijërinë dhe kishim shumë shokë e kujtime të ëmbla.

Tirancit kishin një shprehje “ kur vendos të marrësh shtëpi duhet të pyesësh më parë se me çfarë komshish rrethohesh”. Më dukej e çuditshme. Por gjithësesi, prindërit e mi u lumturuan shumë kur shtëpia e re ndodhej po në atë zonë (afër shtëpisë së gjyshes). Në shtëpinë e re vinin përsëri njerëz por ne, si fëmijë që ishim nuk ndiheshim aq komod. Nuk i njihnim komshitë dhe nuk kishim vendosur akoma kontakte me ta. Te shtëpia e gjyshes ishim mësuar të hynim sa në një derë në tjetrën, të hanim në shtëpitë e njëri tjetrit, të luanim, të bënim ndonjë rreng…

Shumë shpejt filluam të ndërtonim dhe atje marrëdhënie të cilat forcoheshin dita ditës. Ime më bënte kurabie për gjithë fëmijët e pallatit. Lagjia ishte një vend i sigurtë për fëmijët. Edhe në rrugët kryesore nuk kishte makina, ndonjë tek tuk. Çdo gjë dukej e bollshme, e rregullt. Pasdite, gratë e pallatit merrnin fëmijët dhe shkonin nga Liqeni artificial, nga “Kisha” sipas të moshuarve (më vonë e kuptova se pse quhej kështu) ose në ndonjë kënd lojrash. Lodrat e Rrugës së Elbasanit ia kalonin të gjithave. Në fushën me jonxh ku kalonin pasditen fëmijët më të rritur të lagjes, disa vite më vonë u ndërtuan “Këndi i lojrave” dhe “Pishinat” (tek Diga e Liqenit). Më erdhi keq për fushën por ja vlente, vërtet, ishin dy ndërtime gjigante. Fatkeqsisht, këndi i lojrave nuk ekziston më, si shumë vende të cilat u shuan pa lënë gjurmë dhe rrinë të strukura vetëm në kujtimet tona.

Pikat kufitare për Tiranën ishin Stacioni i Fundit i Tiranës së Re, Kinostudio, Stacioni i Trenit, Lapraka, Kombinati. Ishte një qytet i bukur megjithatë të gjitha fotot që kam nga fëmijëria janë bërë tek Skëndërbeu.

Sot Tirana është kaq e madhe, kaq e lakmuar, destinacion i preferuar për këdo por mendoj se ka humbur shumë nga identiteti i saj. Ndoshta proces normal në një metropol. E dua kaq shumë Tiranën sa çdo ndërhyrje barbare që i bëhet nga babëzia kolektive e qeverisja kaotike më dhëmb.

Punoi:

Marinela (Zajmi) Çani

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.