Lulzim Mema
Lulzim Mema

Lulzim Mema ka lindur në Tiranë më 10 mars 1961. Pas shkollës së mesme artistike “Jordan Misja”, diplomohet ”piktor monumentalist” (1985) në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve).

Me mbarimin e studimeve punon si studiues arti, fillimisht për ikonografinë në Muzeun
Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë (1985-1989) dhe në vazhdim pranë Qendrës së Studimit të Arteve (QSA) të Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Njëherazi, ai është edhe pedagog i vizatimit në katedrën e skenografisë të Akademisë së Arteve. Gjatë karrierës së tij profesionale, përveç profesioneve të fituara në shkollë: piktor në artet monumentale, piktor kavalete, dizajner i përgjithshëm, ka arritur edhe profesione të tjera:
grafist, piktor i librit, piktor i pullës postare shqiptare, skenograf, dizajner interieresh dhe eksterierësh, studiues arti, bibliograf, etj.

Në vitin 2000 ka mbrojtur disertacionin “Piktura murale në Shqipëri”. Ai ka mjaft botime. Në periodikun ”Studime për artin”, veçohen: Arti shqiptar para dhe pas vitit 1990”, nr. 1, f. 111-134, 1995; “Artet e bukura në Shqipëri-aspekte teknike”, nr. 2, f. 100-111, 1996; ”A. Buza, marrëdhëniet e pikturës së tij me artin popullor dhe etnografinë”, nr. 5, f. 23-37,
1999; në revistën ”Nëntori”, “Disa arritje të reja të pikturës monumentale shqiptare”, nr. 2, f. 35-45, 1987; në ”Les Lettres Albanaises”, “Vërtetësia kombëtare dhe popullore në artin e A. Buzës”, nr. 1, f. 24-32, 1996 etj.

Po kështu, për QSA, ka realizuar edhe studime (të ndodhura në arkiv): ”Artet pamore shqiptare para dhe pas vitit 1990”, 1992; ”Prirje të reja në artet pamore paskomuniste në Shqipëri”, 1994; “Artet pamore moderne shqiptare dhe teknikat e reja”, 1996 etj.. Njihen kumtesat e tij në simpoziume e kongrese të ndryshme si dhe artikujt dhe esetë në periodikë, gazeta dhe organe të specializuara. Ka përkthyer në shqip librin: ”Essays sur la creation artistique” (Esse mbi krijimin artistik) të autorit francez Liviu Russu, i botuar pjesërisht edhe në “Studime për artin” nr. 5 (1999).

Është anëtar i bordit përgatitor të Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, si dhe hartues dhe bashkautor i Fjalorit Enciklopedik të Artit Shqiptar. Ai ka marrë pjesë në ekspozita kombëtare dhe vetjake me mjaft punime të tij. Në konkurset për pullën postare e kopertina librash në Shqipëri e në Kosovë ka një pjesëmarrje të rregullt, duke u vlerësuar edhe me çmime të para.

Njeh gjuhët italiane dhe frënge.

Burimi: Shoqata Tirana

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.