Luigj BYTYÇI
Luigj BYTYÇI

Luigji (Bixhi) ka lindur në Tironë më 11-4-1940. Ndonëse me prejardhje kosovare, ai ndjen kënaqësinë e të qenit tiranas si dhe të kontributit të dhënë për këtë trevë dhe komunitetin e saj të nderuar. Gjithnjë i interesuar për kualifimin e tij, ka kryer (pa shkëputje nga puna) ILKF “Vojo Kushi”, ku u diplomua “mësues i edukimit fizik”.

Po ashtu, në kurset për trajner futbolli, është liçensuar për kategorinë e tretë, të dytë dhe të parë. Gjatë gjithë jetës, ka ushtruar profesionin e radioteknikut.

Bixhi e ka filluar futbollin që në moshën e fëmijërisë duke u aktivizuar më vonë me skuadrën e të rinjve të Tironës dhe me të cilin ka dalë dy herë kampion kombëtar. Më 1959 u radhit me të rriturit e KS “17 Nëntori”. Ndjeu kënaqësinë e trofeut të parë kur atë vit fituan kupën e 25-vjetorit të çlirimit.

Thirret për të kryer shërbimin ushtarak dhe për kualitetin e tij luan me KS “Partizani”, ku aktivizohet rregullisht dhe bëhet fitues i dy titujve të kampionit dhe i dy kupave të Republikës. I rikthyer me KS “17 Nëntori” (sot KS “Tirona”), me intuitën dhe aftësitë e tij teknike dhe duke luajtur rolin e organizatorit, është pjesë e skuadrës së madhe të viteve 60-të, me të cilën shpallet katër herë kampion i vendit (1965, 1966, 1968 dhe 1970), si dhe një herë fitues i kupës së Republikës (1963).

Si pjesëmarrës në këto aktivitete kombëtare të kategorisë së parë të futbollit dhe në disa kupa të vëna me raste festash, ai ka zhvilluar rreth 400 ndeshje.

Me të dy klubet dhe me ekipin kombëtar, ka luajtur në shumë ndeshje ndërkombëtare. Spikasin për të sidomos ato për kupat ballkanike dhe kupën e kampioneve, ndër të cilat me “Kilmarnok” të Skocisë, “Standard” të Belgjikës, “Rapid” të Rumanisë e ndeshje të tjera të zhvilluara në Sofie, Stamboll, Algjeri etj.. Me KS “Partizanit”, ai është fitues i medaljes së argjentë në Lojrat e ushtrive të vendeve të lindjes të zhvilluara në Vietnam.

Bixhi ka dhënë kontribut edhe në rolin e trajnerit. Në KS “17 Nëntori”, për shumë vite, duke përgatitur ekipet e fëmijëve, të të rinjve dhe ato Shpresa” (U-21 vjeç), ka marrë edhe disa trofe.

Për një kohë të gjatë, është shquar edhe si anëtar aktiv i kryesisë së KS “Tirona”.

Për meritat e tij në punë dhe në sport, mban titullin ”Mirënjohje e Qytetit të Tironës” si dhe është dekoruar me “Urdhrin e Punës“ dhe me Urdhërin “Naim Frashëri” të klasit III.