Lluka HEQIMI
Lluka HEQIMI

Lindi në Tironë më 26 tetor 1943, nga një familje me baba të ardhur prej kohësh dhe me nënë nga familja tiranase Dimroçi. Ka mbaruar fakultetin e mjekësisë të Universitetit Shtetëror të Tironës në vitin 1966, dhe mori diplomën ”mjek i përgjithshëm”.

Pas emërimit në spitalin e Tironës, kryen specializimin në fushën e kirurgjisë. Më tej profilohet më ngushtë në atë të kardiokirurgjisë e të enëve të gjakut. Në vitin 1970 emërohet pedagog në fakultetin e mjekësisë prej nga, pas 4 vitesh, largohet për arsye qarkullimi. Transferohet në Krujë si kryekirurg i rrethit.

Rikthehet në Tironë pas 4 vitesh për t’iu kushtuar përfundimisht mjekësisë sportive, ku, ai tani ka krijuar personalitetin e tij shkencor. Filloi në Klubin “Partizani” dhe pas një specializimi në Vjenë të Austrisë, vazhdon të punojë në departamentin e mjekësisë sportive të Qendrës Kërkimore të Sportit, të cilën e ka drejtuar dhe e drejton prej një kohe mjaft të gjatë. Ka qenë për 22 vjet mjek i ekipit përfaqësues të futbollit.

Si punonjës i mjekësisë i sportive, ka kryer studime thuajse në të gjitha fushat e saj. Duke qenë kirurg dhe, duke studiuar gati në të gjitha ekipet kombëtare dhe së fundi në sportin për të gjithë, ai ka dhënë kontribut në drejtim të studimeve mbi traumatologjinë sportive, rehabilitimin dhe fiziologjinë ushtrimore. Sukseset më të mira kanë qenë ato me ekipin kombëtar të futbollit dhe me atletë të veçantë. Në vitin 1989 ka mbrojtur doktoratën “Vlerësimi morfofanksional i ekipeve kombëtare në testin PWC-160”.

Ai dallohet edhe në fushën e botimeve. Rezultatet e kërkimeve të tij, Lluka i ka paraqitur në mjaft artikuj shkencorë të buletineve të FM të UT dhe të sportit në përgjithësi. Është autor ose bashkautor në mjaft tituj, nga ato të shkollave të mesme sportive: “Anatomia normale e njeriut”, ShBLSh, 220 fq, 1986 dhe ”Fiziologjia sportive”, ShBLSh, 170 fq, 1989; e deri të tjera si:

“Sëmundjet kirurgjikale” (pjesa speciale), UT, 78 fq, 1971; ”Teoria dhe praktika e zhvillimit të forcës”, ShBLSh, 166 fq, 1985; ”Sport pa doping”, DShSh, 99 fq, 1990; “Bazat e mjekësisë sportive”, pj. II, 184 fq, 1992; ”Të ushqyerit në sport”, 184 fq, 1997; ”Visaret e sportit Shqiptar”, Erik, 250 fq, 2001 dhe ”Libri i fitnesit”, Erik, 220 fq, 2004; si dhe monografive për figurat e shquara të mjekësisë shqiptare, Petro Cani e Fejzi Hoxha.

Ka mbajtur detyrën e kryetarit të komisionit mjekësor të KOKS, të anëtarit të komisionit mjekësor të futbollit etj..

Burimi: Shoqata Tirana

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.