Leonard LITI
Leonard LITI

Leonard Liti ka lindur në Tironë më 12 qershor 1961. Pas arsimimit të mesëm, studimet e larta i kreu në ILKF “Vojo Kushi”: Me diplomën mësues i edukimitfizik” ushtroi detyrën e arsimtarit deri në vitin 1992, kohë pas së cilës, ai merret me bisnes privat.

Me futbollin, është aktivizuar pa u shkëputur asnjëherë. Me ekipet e “17 Nëntorit” (sot KS “Tirona”), e nisi nga paratërinjtë dhe të rinjtë. Në kampionatin e të rinjve u shfaqën dukshëm karakteristikat e tij: grinta dhe intuita e lojës mbrojtëse e organizuese. Pikërisht këto tregues të vlefshëm e renditën atë edhe në ekipin kombëtar të kësaj moshe. Ai shkëlqeu sidomos në kampionatin ballkanik të zhvilluar në vitin 1979, ku u cilësua mbrojtësi më i mirë i këtij aktiviteti dhe, për këtë, mori kupën përkatëse.

Në karrierën 10 vjeçare me të rriturit, nga viti 1980 deri më 1990, ka zhvilluar qindra ndeshje zyrtare dhe, duke u bërë një nga protagonistët kryesorë të skuadrës, ka fituar disa trofe, ku, sigurisht, më të rëndësishmit janë fitimi i katër titujve në kampionatet kombëtare (1982, 1985, 1988, 1989) dhe i tre kupave të Republikës (1983, 1984, 1986). Në atë skuadër cilësore, mbrojtja mjaft elastike dhe e sigurtë, ku bënte pjesë edhe Liti, jo rrallë vihej edhe në veprime sulmuese.

Kontributi i tij është mjaft i rëndësishëm edhe në aktivitetet ndërkombëtare të klubit në kuadrin e kupave ballkanike dhe europiane (kupa e kampioneve dhe kupa e fituesve të kupave). Dihen rezultatet mjaft të mira të këtij brezi të shquar futbollistësh, duke kaluar madje edhe në turet e dyta të këtyre aktiviteteve. Më të veçanta për te mbesin dy fitoret ndaj skuadrës së fortë e të njohur “Dinamo” e Bukureshtit, përveç rezultateve pozitive me skuadrat malteze etj…

Ai ka qenë pjesëtar i ekipit kombëtar “Shpresa” (U-21), me të cilin ka zhvilluar mjaft ndeshje ndërkombëtare, nga të cilat më të rëndësishmet janë ato të zhvilluara në vitin 1983 për eliminatoret e kampionatit evropian, ku ekipi ynë u fut në tetëshen më të mirë.

Për lojën e tij plot angazhim dhe me mirësjellje, ishte bërë i dashur dhe simpatik jo vetëm për shokët e skuadrës, me të cilët ishte gjithnjë partner i denjë, por edhe për dashamirësit e futbollit të Tironës.

Burimi: Shoqata Tirana

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.