Ndryshe nga më parë, në ditët e sotme kënga dhe vallja tironase që haset në dasëm nuk mund të thuhet se është e gjitha origjinale, tradicionale, e palëkundshme nga varianti autentik i zonës.

Përzierjet kulturore të popullsive të ardhura e të integruara në Tironë edhe në fushën e valleve dhe muzikës ka sjellë problematika të mprehta, të cilat e tejkalojnë konstatimin e faktit dhe mbërrijnë, madje, në rrafshe teorike estetike. Për këtë shkak, sa i takon ruajtjes së autencitetit të këngëve dhe valleve popullore tiranase të arealit të dasmës si dhe ndërhyrjes në to me invariantet apo deformime, jemi të po atij mendimi siç shprehet studiuesi Agron Xhagolli:

Për krijimtarinë folklorike, dihet tashmë, nuk është e domosdoshme të përcaktohet niveli apo përkatësia e fillesës krijuese individuale. Kushdo mund të krijojë, por që një krijim me autor të mund të përfshihet në folklor, është e domosdoshme që në harmonizim, në shkriije me një melodi të caktuar, të jetë përfshirë në qarkullimin folklorik, të ketë bërë jetë të gjallë folklorike….”

Ky mendim i drejtë, i shtjelluar më imtësisht nga autori edhe në një rrafsh teorik disa radhë më poshtë, risjell në vëmendje fenomenin e mënyrës së të jetuarit të folklorit si dhe të vlerësimit shkencor se çfarë është e ç’mund të konsiderohet si krijim i mirëfilltë folklorik, pra në këtë mes edhe të valleve e këngëve popullore tiranase në dasmat e sotme, ku rëndom konstatohen shmangje, largime, përpunime nga modeli origjinal te modeli i servirur nga shumëkush (orkestër,  këngëtarë, kompozitorë, valltarë, koreografë etj., të ekzekutuara më parë apo si përvoja të fituara nga festivalet folklorike, veprimtaritë artistike apo performime në rituale e ceremoni dasmash të fundme. “

Kjo kërkesë e parashtruar si më lart, në vështrim të parë duket sikur është e realizueshme lehtë. Por në të vërtetë e kemi thënë dhe vazhdojmë ta themi, është e nevojshme që të dihet se ka një shumësi parakushtesh. Kështu, mbi të gjitha, është e nevojshme që një krijim individual të jetë i përfshirë në një qarkullim folklorik brenda një komuniteti, krahine a zone etnografike. Kjo mund të jetë realizuar nëse janë mbajtur mirë parasysh nga krijuesit normat e traditës pararendëse. Nga ana tjetër, kur kjo ka ndodhur, janë mundësitë ta dallosh, nëse njeh dhe ke parasysh parimet krijuese të folklorit, si sistem parimesh, midis të cilave përmendim: shtrimi dhe zgjidhja e problematikës nga këndvështrimi i komunitetit; kontrasti i prerë; dinamizmi estetik; përgjithësimi tipologjik; parimi i zbukurimit; konciziteti; thjeshtësia, qartësia dhe spontaniteti; Simbolizmi i njohur; paraqitja e mendimit të komunitetit në figurën e heroit; gjallëria e figurës artistike; prirja drejt bukurisë sublime.

Një krijim individual ka gjasa të përfshihet në qarkullimin folklorik të një komuniteti të caktuar, nëse mbështet fuqimisht dhe nuk shpërfill traditën krijuese pararendëse. Kjo do të thotë se ka mbajtur parasysh karakteristikat dhe tiparet e poezisë popullore. Në fund të fundit, ky krijim, nëse dëshirohet që të përfshihet në qarkullimin folklorik, është krijuar pikërisht për këtë apo atë komunitet që do ta përfshijë në qarkullimin e vet folklorik, përcaktuese kjo për fatin e mëtejshëm të krijimit. Nuk bëhet kjo as me mbledhje dhe as me votim, por thjesht ka ndodhur të pranohet apo të përfshihet në qarkullimin folklorik.

Transformimi dhe transfigurimi i këngëve dhe valleve tironase nga ndërhyrjet e shumëfarta prej krijuesish popullorë, gjysmëprofesinistë apo profesionistë duket se e ka lëvizur folklorin nga shtrati i vet si dhe ritmi natyral që ai ka në vetvete, si kulturë me natyrë konservative, që lëviz ngadalë dhe me shumë maturi në rrjedhën e kohës, që ka prirjen të ndërtojë tipe këngësh dhe vallesh vështirë të lëvizshme (paçka se pranon dhe variantet), rrjedhimisht si kulturë bazike që ngujon brenda procesit të tij ruajtës dhe konservativ identitetin shpirtëror të krahinës së Tironës, më gjerë të kombit shqiptar.

Ka ndryshuar rrënjësisht veshja: kostumi i nuses, i dhëndrit, i dasmorëve dhe krushqve. Ato nuk kanë më një funksion utilitar, jetësor, të përditshëm, përkundrazi janë kthyer në “relikte”. ” Në ditët tona, – shkruan Andromaqi Gjergji, – vendi dhe roli i kostumeve popullore nga funksionet e tyre janë zbehur ose kanë humbur krejt. Kështu funksioni praktik i veshjes tradicionale është i papërfillshëm, sepse ato pothuaj kanë dalë krejt nga përdorimi. Ky funksion praktik ka kaluar në veshjen e re, që e ka bazën te veshja qytetare dhe që ka
zëvendësuar veshjet tradicionale. Ka megjithatë mjaft zona ku kostumet popullore ruhen si kostume ceremoniale dhe vishen jo vetëm në rast martese, por dhe në festa e veprimtari
të ndryshme kulturore-artistike.

Natyrisht për të tilla raste parapëlqehen variantet më të plota të kostumit festiv tës zonës,
por në këtë rrjedhë të ngjarjeve po ndodh një ngushtim gjithnjë e më i madh i veshjeve që riprodhohen duke lënë pas dore dallimet që ekzistonin në veshje në bazë të moshës e seksit,
gjendjes civile, shtresave shoqërore, stinëve të motit etj. Kështu gjithnjë e më rrallë po shihen në këto veprimtari kostumi- vajzash, fëmijësh, pleqsh, veshje dimri apo vere etj.

Po këtë mendim ndan edhe Afërdita Onuzi duke e diskutuar problemin në një rrafsh më institucional, në kuptimin e administrimit të procesit të kalimit të veshjes popullore
tradicionale origjinale në performime e ndryshme folklorike, duke e trajtuar atë tashmë përtej procesit të njëhershëm sinkretik të saj, domethënë si një veshje me funksione jetike për njeriun që e përdor dhe jo si riprodhim apo ekspozim. “ Ruajtja e identitetit kulturor, – thekson studiuesja, – aspekt i rëndësishëm i të cilit janë edhe veshjet popullore, merr vlerë edhe më shumë në ditët e sotme.

Në kushtet e hapësirave të reja kulturore shihet qartë sa shpejt ndodhin ndryshimet si në zonat urbane edhe në ato rurale. Brezi i ri jo vetëm në qytete, por edhe në fshatra, sa vjen e bëhet më indiferent ndaj traditave të sa kaluarës. Në këtë kuadër, prania në festivale e veshjeve popullore në variantet e tyre origjinale, mund të konsiderohet një luks i madh dhe meritë e pasionit të disa punonjësve të kulturës në rrethe. Gjithsesi duhet pranuar se ato po përjetojnë momentet e fundit të ekzistencës së tyre në variantet tradicionalë” .

Shkëputur nga libri “Rite Doke dhe Zakone” me autore Sabrina Vaqarri, librin mund ta gjeni në librarinë Adrion tek Pallati i Kulturës

Publikohet për her t`par në faqen Tirona

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.