Selman Kukaleshi
Selman Kukaleshi

INTERVISTE NE VITIN 2002 NE GAZETEN SHQIPTARE NGA ILIR BUSHI

Rrëfimi i Hysen Kukaleshit, djali i ish-komisarit të Policisë së Tiranës, që të gjithë e njohin si krahu i djathtë i Qazim Mulletit.

Si e mbani mend babanë tuaj gjatë viteve të luftës?
“Im atë, Selman Kukaleshi, ka ikur nga Shqipëria në muajin tetor të vitit 1944, kur unë isha tetë vjeç. Data e saktë e ikjes nuk dihet nga askush. Disa, madje, thonë se ka ikur në shtator. Duke qenë në moshë të vogël unë nuk mbaj mend shumë gjëra, sepse ai ishte vazhdimisht i zënë me punë. Ne tironcit e respektojmë punën dhe gjithmonë i kushtojmë kohën e duhur. Megjithatë, mbaj mend se kur kthehej në shtëpi, ai ishte shumë i dashur me mua dhe motrën. Edhe nënën e respektonte prandaj të gjithë ata që e njohin thonë se Mon Kukaleshi ishte njeri-familjar”.

Çfarë arsimi kishte ish-komisari i policisë së Tiranës?
“Babai kishte shkollën e mesme. Para se të caktohej si drejtor i Policisë së kryeqytetit, babai ka bërë punë të ndryshme për të mbajtur familjen me bukë. Për ca kohë ka punuar si sekser shtëpish, por nuk fitonte shumë. Ndërsa nëna ishte shtëpiake”.

Çfarë lidhjesh kishte Mon Kukaleshi me prefektin e atëhershëm të Tiranës, Qazim Mulletin?
“Lidhje pune. Të dy ishin njerëzit kryesorë për mbarëvajtjen e punëve në Tiranë. Sipas protokollit komisariati varej nga prefektura. Kuptohet, për shkak të detyrës ata kishin lidhur edhe miqësi të afërt me njeri tjetrin.

Përveç punëve a i lidhte dy drejtuesit edhe pija ose bixhozi?
Jo. Mon Kukaleshi nuk luante kurrë bizhoz. As poker dhe as xhol. Gjithashtu asnjeri nuk e mban mend që të ketë pirë ndonjëherë përtej masës. Por edhe Qazim Mulleti ka qenë njeri familjar dhe pa vese.

Cila ka qenë marrëdhënia e Mon Kukaleshit me të burgosurit e Tiranës?
Babai im kishte një parim: Çdo muaj, nëse burgoset një njeri më pak, atëherë shoqëria ka reflektuar një hap më shumë drejt emancipimit dhe respektimit të rregullave qytetare. Ai përpiqej që t’i ndihmonte të varfrit duke i falur dënimet, ose duke i zbutur ato. Në shtëpinë tonë çdo ditë vinin hallexhinj, të cilët babai i ndihmonte.

A sillnin peshqeshe ata që vinin për të zgjidhur hallin?
Jo. Babai nuk pranonte asnjë qindarkë. Shumica që vinin ishin gra të vjetra e të këputura, për të cilat tim-eti i vinte keq. Por nga ana tjetër ai i e kishte në parimin e tij njerëzor, se, “kush merr nga racioni i fukarait bën mëkat ndaj zotit”. Theshethemet që janë përhapur për të, janë të gjitha gënjeshtra. Unë dua që këto thashetheme të marrin fund. Këtë që them e bazoj tek fakti se pas luftës, asnjë qytetar i Tiranës nuk më ka thënë gjysëm fjale për babanë. Po të kishte marrë rryshfete do vinte ndonjeri të më thoshte, pas luftës, atëherë kur familja jonë u persekutua nga komunistët. Por ndodhi që megjithëse shteti komunist na quajti “armiq”, njerëzit e thjeshtë na donin dhe ata vazhdonin ta kujtonin me respekt babanë tim.

Por Besim Levonja, ka shkruar në komedinë e tij se Qazim Mulleti përdorte Mon Kukaleshin si mbledhës të rryshfeteve?
Ato janë gënjeshtra të trasha që atëherë u ngritën në art prej politikës së pushtetit. Po ju them vetëm një gjë. Në një pjesë të komedisë, Qazim Mulleti i thotë atyre që i japin rryshfete: Jepjani Mon Kukaleshit se ka një vatër kalamaj’. Shiko çfarë budallallëku. Atëherë e gjithë Tirana e dinte se Mon Kukaleshi kishte vetëm një djalë dhe një vajzë. Vetëm Besim Levonja bënte sikur nuk e dinte dhe thoshte “një vatër kalamaj”.

Ku jetoi Mon Kukaleshi pas vitit 1944?
Ai në fillim shkoi në Rexhio-Emilja të Italisë. Pastaj udhëtoi drejt Egjiptit. Më vonë shkoi në Siri dhe në fund në Liban. Gjatë gjithë kohës ne nuk kemi pasur asnjë kontakt me babanë. Shtëpinë tonë tek Pazari na e mori shteti. Ndërsa në vitin 1983 na erdhi lajmi që babai kishte dhënë frymën e fundit në Liban. Por as atëherë dhe as tani nuk morëm vesh vendndodhjen e varrit të tij. Aktualisht ne nuk kemi para as për të rregulluar shtëpinë që po na shembet dita ditës. Unë jetoj me gruan sepse dy fëmijët (djalë e vajzë i kam të martuar) vetëm me pensionet. Po të kishim pasur ndonjë lekë nga babai, nuk do të ngroheshim akoma me sobë druri, por do të blenim të paktën një sobë me gaz apo me korrënt.

Por emrin e Mon Kukaleshit e kanë përmendur edhe deputetët si një lloj përgjithësimi për të korruptuarit e pushtetit të sotëm?
Kjo gjë më ka krijuar trishtim dhe revoltë. Mon Kukaleshi nuk ka vjedhur kurrë, por për 50 vjet publiku u ushqye me një përrallë komediografike. Atëherë s’kishim ç’të bënim sepse ishte diktaturë. Pas 90-tës thamë më në fund “shyqyr që erdhi demokracia, ku vlerat të thirren me emrin e tyre të vërtetë”. Unë kam vuajtur për 50 vjet duke punuar në punë të ndryshme, për të siguruar bukën. Ime shoqe, gjithashtu është cilësuar si “nusja e djalit të armikut”. Por, pas 90-tës kujtuam se shpëtuam nga ky keqkuptim. Për ca kohë ushqyem iluzionin se sistemi i ri do t’i zhdukte çmenduritë e vjetra. Megjithatë u trishtova pa masë kur papritur dëgjova në televizor deputetin Vili Minarolli që përmendi emrin e Mon Kukaleshit. Donte të cilësonte si të korruptuar disa zyrtarë socialist dhe tha “Mon Kukaleshët e rinj”.

Çfarë bëtë kur dëgjuat fjalinë e Minarollit?
U vesha dhe shkova menjëherë në zyrën e tij. Isha shumë i stresuar. Ai nuk më njohu, por më ftoi brenda. Unë e pyeta menjëherë se me ç’të drejtë ai përgjithësonte hajdutët e sotëm nën emrin e Mon Kukaleshit. Ai e kuptoi dhe u tërhoq. Më tha vetëm se gjithçka kishte mbetur si shprehje nga komedia “Prefekti”. Unë e sqarova dhe ai m’u zotua se nuk do ta përsëriste më atë gabim. Kur dola nuk i dhashë as dorën. Me këtë rast kam përgatitur një letër për drejtuesit e lartë të politikës ku kërkoj që t’i jepet fund spekullimeve me babanë tim. Unë jam krenar për Selman Kukaleshin sepse ai nuk ka pranuar kurrë si rryshfet asnjë kokërr vezë e jo më të kërkonte napolona floriri.

Për cilin kandidat do të votoni në zgjedhjet e Pushtetit Lokal, të vjeshtës?
Sistematikisht kam votuar për të djathtët, por këtë rradhë kam vendosur të abstenoj. Gjatë këtyre 13 vjetëve evoluimi i politikës ka qenë tepër zhgënjyes dhe i ngadalshëm, duke mbetur shumë prapa ritmit dhe kërkesave të popullit.

“Ja si kaloi im atë 83 vitet e jetës së tij”

“Babai im, Selman Kukaleshi ka lindur në qytetin e Tiranës në vigjiljen e shekullit të 20-të, pikërisht në vitin 1900. Kur mbushi moshën 14 vjeç (viti 1914) ai ka kryer shkollën shtatëvjeçare të kryeqytetit, ndërsa më 1919-ën, kreu studimet e mesme në gjimnazit e Tiranës”. Kështu shprehet, djali i ish-shefit të Policisë së Tiranës, Hysen Kukaleshi. Ai tregon se pas mbarimit të kësaj shkolle, Selman Kukaleshi është marrë me punë të ndryshme në kryeqytet, ndërsa për 2 vjet punoi si sekser privat. Sipas bashkëkohësve, në karakterin e tij spikati pasioni për zbatimin me korrektesë të detyrave, prandaj gjatë Luftës së dytë Botërore, u caktua shef i Policisë së Tiranës. Ishte pikërisht periudha kur në detyrën e prefektit të Tiranës ishte një bashkëqytetar i tij, i cili quhej Qazim Mulleti. Selman Kukaleshi është martuar në moshën 30 vjeçare me bashkëshorten e tij, e cila quhej Zonjë. Nga kjo martesë ai lindi dy fëmijë, Hysenin, (18 korrik, 1936) dhe vajzën e tij më të madhe Ikbalin, (1931). Ndërsa largimi i tij nga Shqipëria ka ndodhur në fund të muajit tetor, të vitit 1944. Vendet ku ka ndenjur gjatë pjesës së dytë të shekullit të 20-të, kanë qenë Italia, Egjypti, Siria dhe Libani. Thuhet se ka vdekur në vitin 1983 në Liban.

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.