Foto Gert Brojka
Foto Gert Brojka

Sapo hyn në Muzeun e Orëve, pranë një kusie bakri dhe ibriku bronzi shihet një syndyk me dekor metalik dhe lëkure. Është Baulja e Pajës, e mbushur me qilima, shtroje, dajre, papuçe, xhoke. Me shumë gjasë diçka i mungon baules, por natyrshëm që jo të gjitha objektet kanë rezistuar nga shekulli i kaluar për t’u prezantuar sot te “Kulturë dhe Vazhdimësi”, ekspozitë e organizuar nga Bashkia e Tironës, me 40 objekte në stoli ar, dru, mobilje dhe veshje, e hapur çdo ditë në Muzeun e Orëve, pranë Kullës së Sahatit. Këto punime të artizanatit datojnë qysh nga 1920-ta.

Në mure varen veshjet kryesisht të grave dhe fëmijëve. Futesh në botën e pëlhurave, mëndafshit, dantellave, kadifes. Asnjë nuk është lënë pa u zbukuruar me rruaza, temina, me fije ari në veshjet e familjeve më të kamura të kohës, aty edhe këmbëzat, apo kokat e jastëkut. Më i preferuar është zbukurimi me gjyrmish, kurse nga ngjyrat kremi, veja, e bardhë, vishnje. Valter Gjoni, shefi i kulturës dhe trashëgimisë kulturore pranë Bashkisë së Tironës, sqaron se kjo larmi stilesh vjen ngaqë “është ndërthurur bukur autoktonia me perëndimoren”. Ndryshon puna te zbukurimi i shtëpive, që duket qartë se është më pranë stilit oriental. “Banesa qytetare e Tironës është imitacioni i një saraji. Kurse në veshje, të parët e Tironës i gjejmë edhe me kostum, edhe me papijon, i gjejmë edhe me frak, ashtu si edhe me kostum popullor”, sqaron Gjoni.

Në ekspozitë shihet një kapak druri i zbukuruar me gdhendje, rozeta (zbukurime për tavanë të dekoruar, gdhendje në dru), mbulesa të rënda kadife vishnje të zbukuruara me lule të mëdha e të vogla, e fije ari.

Studiuesi vijon më tej bisedën duke u përqendruar te historiku i familjeve që prodhonin në Pazarin e Vjetër të Tironës që ishte prodhues-tregtar, kush i ka veshur, ku ndryshonin të kamurat nga të thjeshtat dhe çfarë ndodhi gjatë regjimit komunist, kohë kur kostumet popullore u kyçën në muze.

Z. Gjoni nga janë marrë këto veshje? Cilat janë familjet artizane që i kanë prodhuar?

Në shek XVI-XVII në Tironë u ndërtuan shumë dyqane të vogla, dyqane-punishte. Filloi të ngrihej gradualisht Pazari dhe qendrat e prodhimit. Filluan të duken njësitë e para prodhuese dhe tregtare. Zanatçinjtë e Tironës janë 44 profesione dhe 44 esnafe. Esnafi i parë ka qenë esnafi i Tabakëve, që ishte esnafi mjeshtër i përpunimit të lëkurës. Një fis me nam që prodhonte sidomos në qëndistari në Tironë është fisi Erebara, i cila ka gjurmë edhe sot. Ata njihen në këtë drejtim, ashtu siç njihet fisi Hobdari për industri, ashtu siç njihet fisi i Bunecëve për bakërpunues, ashtu siç njihen fisi Tafaj për noteri. Kacelët kanë qenë pjesëtarë të rrjetit tregtar të këtyre familjeve. Pastaj familje të mëdha mund të numërojmë me dhjetëra. Fillojnë disa familje Toptani, Refik Toptani, Murat Toptani, që ka qenë një nga intelektualët e shquar të qytetit, poet, piktor, skulptor, njëkohësisht edhe realizues i sfilatave. Të shohësh fotografitë e Murat Toptanit me veshje popullore, vërtet të krijohet imazhi i një sfilate. Kur dilte ky burrë me një veshje fisnike siç është fustanella, me qeleshen qytetare dhe me xhufkën e gjatë, e cila kuptohet që është e natyrës turke, krijohet vërtet një imazh i kësaj klase.

Kush i ka mbajtur?

I vishte banori i Tironës. Për veshje nuk ka kursyer.

Të kamurit i kishin me ar. Por kjo veshje e qëndisur bëhej edhe thjesht, edhe me pe. Në ekspozitë shihet një qiell me kometa, objekt i luksit të Sarajeve, që mund ta mbante familja Toptani, Jella, Tafaj, Kazazi, Kërçikët. Po të vihet re, zbukurimi i veshjeve është pak edhe islamik. Nuk shohim portret të pikturuar, shohim arabeska, zbukurime që vijnë nga tradita e hershme persiane, islamike, otomane, por edhe elementin e ri që vjen nga Venecia, Roma. Janë të gërshetuara. Kam rënë në gjurmë që shtëpitë e Tironës kishin piano. Kam një koleksion pllakash që dëshmon se në këto shtëpi kishte gramafona. Nëse lexohen kujtime të ndryshme të udhëtarëve, thuhet që kur kanë takuar sundimtarin e Tironës, ai ka qenë i veshur me frak. Gjithë aristokracia e Tironës në gjithë fotografitë zyrtare të del me frak, me redingotë. Siç duket, tironasve u ka pëlqyer kjo ndërthurje lindje-perëndim në veshje, ndryshe nga zbukurimi i shtëpive, me sizhade të rënda, me banda muri.

Çfarë e dëshmon se gjithçka është prodhim vendas?

Këto materiale që janë të ekspozuara, janë objekte monumentale dhe janë të regjistruara. Fisi Hobdari ka krijuar stemën e parë tregtare në Tironë, marka Hobdari. Sot kemi me qindra e qindra prodhime pa markë. Kurse më 1925-n shohim një markë të konceptuar aq bukur, atë  “Vllazën Hobdari”. Tirona e thithi shpejt zhvillimin, sepse ishte në mes të zhvillimit.

Megjithatë vlen të përmendet që Tirona nuk ka qenë orientale në veshjet e saj. Prodhuesit i kanë gërshetuar bukur. Nuk bëheshin vetëm opinga, bëheshin edhe këpucë, nuk vishej vetëm qeleshja, vishej edhe borsalina. Në kohën kur gjithë qytetarët e mesëm ose të varfër dilnin me qeleshe, inteligjenca dilte me republikë. Pastaj duhet thënë një gjë, që më duket se nuk është thënë asnjëherë. Tirona ka qenë vendi i klimës së mirë për shumë njerëz. Gjithë konsullatat në Shqipëri, që ishin në Shkodër, në Durrës dhe në Vlorë, para viteve ‘20 vinin i bënin pushimet këtu, sistemoheshin nëpër vilat e tiranasve, ose ngrinin godina.

A janë mbajtur rëndë gratë shqiptare siç thuhet?

Gratë edhe burrat. Është e gërshetuar shumë bukur autoktonia me prurjet sidomos perëndimore. Këtë ta jep elementi i brezit. Po të shohësh frakun francez, është me brez, është i prerë ashtu si është xhubja e Tironës. Këto elemente moderne janë sjellë, janë këmbyer. Po të shohësh zbukurimin e pisqollave me argjend anash, pisqolla të zbukuruara gjen në Austri, Itali, Francë, madje ka filluar edhe përdorimi i stampave. Përshembull: ushtarakët e lartë të mbretit Zog kishin pisqolla të gjitha me firmën e Zogut. Ne kemi dimit mermeri, por, a harrohet zhuponi i madh i damave franceze me fundet e fryra? Fustanet e vajzave të Tironës kishin një zhupon të bardhë kristal, të fryrë. Kemi pasur edhe protokoll në këto gjëra. Kur shihnim një nuse thjesht me kapelë, e konsideronim vajzë, ndërsa kur mbante një skufje të lehtë apo dupje, thoshim që ishte e martuar. Ajo dupje ishte dhuratë e burrit.

Çfarë ndodhi me veshjet me ardhjen e komunizmit?

Ra përdorimi i tyre. Në qoftëse një qytetar tirone në ditë të shtunë, të dielë, dilte në qytet me kostum kombëtar, pas viteve ‘45-‘46 nuk dilte më. Ai kostum vishej vetëm në ndonjë ceremoni, në ndonjë festival, siç ndodh edhe sot. Regjimi komunist i unifikoi veshjet, u bënë të gjithë njësoj pardesy, fëshfëshe, terital kombinati. Filloi të ikë ajo dëshira, lezeti për të shkuar për vizitë me këto lloj kostumesh. Veshjet u futën në ansamble, ekspozita, muze. Mos të harrojmë që kostumet popullore janë edhe të rënda financiarisht. Gratë që i vishnin ose i kishin dhuratë prindërore, ose bashkëshortore.

Unë entuziazmohem kur shkoj në zonat e veriut dhe shoh shumë gra të veshura me kësilloj kostumesh. Më vjen mirë edhe që shumë vajza tona kërkojnë të paktën të vishen në ceremoninë e martesës me kostum kombëtar.

Historia nis me…

Kur i afrohesh veshjeve të ekspozitës “Kulturë dhe Vazhdimësi” të hapur këto ditë në Muzeun e Orëve, rrëfimi i studiuesve për kohën nis nga përmendja e familjeve të vjetra tironase, që ngritën dhe mbajtën në këmbë Pazarin e Vjetër. “Industria” e Tironës ishte prodhuese-tregtare.

Bëhet fjalë për 44 zanate dhe 44 esnafe. Esnafi i parë ishte ai i Tabakëve, mjeshtër i përpunimit të lëkurës. Studiuesi Valter Gjoni kujton më tej fisin Erebara për qëndistari, Hobdari për industri, Buneci për bakërpunues, Tafaj për noteri. Ky fis bashkë me Jellat, Kërçikët, Maçët bënin pjesë në aristokracinë e qytetit.

Prodhimet vendase

Studiuesi Gjoni, i pyetur se nga vinin materialet për prodhimin e veshjeve, shpjegon: “Baza materiale ka qenë edhe e eksportuar, por edhe e prodhuar këtu. Pastaj kishte edhe copa të mira që eksportoheshin të zgjedhura, por që mbi to punoje, qëndiseshin këtu. Me rëndësi është të evidentohet fakti që nuk janë ngritur fabrika për prodhimin e veshjeve. Një fabrikë e parë që flet për luksin e Tironës ka qenë punishte çokollatash.

Hobdarët

Marka e parë e fabrikimeve në Tironë është ajo “Vllazën Hobdari” 1928, Tironë. Të mendosh që edhe sot shumë veshje nuk kanë një firmë të prodhuesve të tyre!

Marka publikohet bashkë me një foto të familjes së bashkësisë ortodokse Hobdari në një foto të vitit 1925.

Gastronomia

Ishte edhe ajo interesante. Kryesisht në mish, në zarzavate, në ëmbëlsira, tavat, fërgesa. Tirona kombinonte bulmetin me zarzavatet.

Kadaifi, bakllavaja e Tironës janë me nam. Kemi rrehaninë tipike tiranase, që është bukë sheqeri që e përdorim nëpër sebepe.

Veshjet dhe zbukurimi i shtëpive

Tirona nuk ka qenë orientale në veshjet e saj. Prodhuesit i kanë gërshetuar bukur autoktonen me prurjet sidomos perëndimore. Fraku francez ngjan në prerje me xhuben e Tironës. Të dy janë me brez. Dimiti i mermerit me zhuponin e damave franceze. Fustanët e vajzave të Tironës kishin një zhupon të bardhë kristal, të fryrë.

Zbukurimi i pisqollave me argjend anash ngjan me pisqollat e zbukuruara të Austrisë, Italisë, Francës, madje ka filluar edhe përdorimi i stampave. Ushtarakët e lartë të mbretit Zog kishin pisqolla të gjitha me firmën e mbretit. Ndryshonte puna te zbukurimi i shtëpive, i ndikuar së tepërmi nga orienti. Zbukurimin e shtëpive e kanë me sizhade të rënda, me banda muri, që gradualisht prodhoheshin edhe këtu.

Analizë

Po ikin gjërat me vlerë

Studiuesi Valter Gjoni, me një përvojë 20-vjeçare në drejtimin e e sektorëve që lidhen me artin, kulturën, ceremonialin e qytetit dhe marrëdhëniet ndërkombëtare pranë Bashkisë së Tironës, kthehet pas në të shkuarën dhe rrëfen për ruajtjen e fondit të trashëgimisë kulturore në Muzeun Etnografik dhe Historik, Drejtoria e Muzeve.

Këto kohë ky muze po i hap dyert për vizitorin e kryeqytetit dhe turistët, po i prezanton një pjesë të fondit etnografik dhe historik të tijin nëpërmjet ekspozitave në Muzeun e Orëve dhe Qendrën Multimediale “Ten”.

Muzeu ka dy pavijone: etnografik e atë historik dhe sektorët ndihmës: arkivin dokumentar, arkivin filmik, bibliografik, historik dhe magazinën e ruajtjes dhe mirëmbajtjes së vlerave e përbërë nga një fond prej 460 objektesh të trashëgimisë kulturore, ato që kohët e fundit po fillojnë të dalin nga magazina. Ky sektor merret edhe me evidentimin e gjendjes së vlerave të monumenteve të kulturës dhe veprave artistike me karakter historik në mjediset e hapura publike, siç janë 10 monumente, 17 buste, 16 lapidarë, Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, Varrezat e Dëshmorëve të Pezës, Varrezat e Ushtarëve anglezë, gjermanë, Varrezat e aviatorëve.

Muzeu ka pjesë të tij Kullën e Sahatit, Muzeun e Orëve dhe muzeun e shtëpisë ku u mbajt Konferenca e Pezës. Në bazë të dokumenteve dhe analizave fotografike rezulton që godina e muzeut u ndërtua nga familja Jella në vitin 1920 dhe u konceptua si shkollë brenda territorit të Kryqit të Kuq Shqiptar. Gjatë viteve të pushtimit italian godina ka qenë pjesë e Institutit “Nëna Mbretëreshë”, më pas në varësi të ndryshimeve që i ndodhën institutit, fillimisht ishte pjesë e Shkollës Pedagogjike dhe më pas klasë e Shkollës së Gjuhëve të Huaja. Në vitin 1980 u bë Muzeu i Arsimit dhe nga vitet ‘90 Muzeu Etnografik dhe Historik i Tironës (Drejtoria e Muzeve).

Këto kohë ka përfunduar procesi i dixhitalizimit të kësaj pjese të trashëgimisë kulturore që mban muzeu, por duket se ka akoma punë për promovimin e këtyre vlerave. Gjonit i vjen keq sot që nuk ekzistojnë ekspozitat e kulturës popullore. Para viteve ‘90, ai bashkë me kolegun Ramiz Xhani, organizuan pavijonin shqiptar për këto ekspozita dhe merreshin me mbledhjen e materialeve nëpër shtëpitë tiranase. Që nga koha për të cilën flet studiesi, Muzeu  Historik dhe Etnografi i Tironës ka ndryshuar disa herë vendndodhjen. Para viteve ‘90 ishte në varësi të Komitetit Ekzekutiv të Tironës. Ishte i vendosur në ambientet e jashtme të Shtëpisë së Partisë.

Drejtoria kishte nën administrim të gjitha vlerat muzeale dhe historike të qytetit dhe rrethit të Tironës. Çfarë ndodhi pas rënies së regjimit? “Nga vitet ‘90 pastaj sikur u fashit interesi i ministrisë, vëmendja për turizmin nuk ishte kaq sa ç’është sot. Në këtë kohë filluan edhe familjet të kërkonin pronat e tyre”, kujton studiuesi kohën kur gjithçka e kohës së Partisë Komuniste nuk kishte më vlerësimin e mëparshëm, bashkë me to edhe vlerat e trashëgimisë kulturore, të cilave u erdhi radha për të shkuar në duart e pronarëve.

Në vitet ‘92-‘94 dhe ‘96-‘2000, në të dyja këto mandate, Bashkia e Tironës mendoi që e gjithë kjo pasuri të shkojë te godina ku ndodhet sot Muzeu i Tironës, e konceptuar më tepër si një qendër muzeale me funksionin e ruajtjes së objekteve sesa për ekspozimin e tyre. Më vonë u krijua Drejtoria e Promovimit të Qytetit dhe Drejtoria e Turizmit që kanë detyrën t’i vënë në përdorim këto vlera. “Kam dëshirë të tërheq vëmendjen për rrjedhjen e tyre. Më është krijuar përshtypja që po ikin gjëra me vlerë”, thotë studiuesi duke e ditur se shumë vlera të trashëgimisë kulturore që gjenden në duart e banorëve të Tironës, “nuk u njihet vlera” nga institucionet muzeale.

Kurse vlerat që janë në muze, duhet t’i ekspozohen si duhet vizitorit dhe “duhet të jetë më i konsoliduar rrjeti i turizmit në vend”. Gjoni iu referohet guidave turistike të huaja, aq të sakta në shpjegimin në detaje të çdo vlere të qytetit. Ai mendon se janë hedhur hapat e para me hapjen dhe ekspozimin e përhershëm në ambientet e Muzeut të Orëve të fondit muzeal të Bashkisë, hapja e Qendrës Kulturore dhe ndarja e kulturës nga turizmi.

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.