KUJTIM KASMI
KUJTIM KASMI

Kujtim Kasmi lindi në Tiranë në janar të vitit 1947 dhe prej një familje që nxorri sportistë të njohur. Pasi mbaroi shkollën e mesme, kreu studimet e larta në ILKF ” (sot AEFS) “Vojo Kushi, ku u diplomua “mësues i edukimit fizik”. Sikurse të gjithë moshatarët, edhe ai ka luajtur futboll, por në jo më tepër se në një spartakiadë pionerësh të zhvilluar në Durrës.

I aktivizuar edhe si basketbollist, specialistët e këtij sporti, të cilët nuk u zhgënjuan, e vlerësojnë atë për talentin dhe të ardhmen e tij.

Në moshën 17-vjeçare, Kujtimi bëhet pjesëtar i ekipit të basketbollit për të rritur të KS “17 Nëntori”, madje i pesëshes së parë. Me këtë skuadër, ai zhvilloi qindra ndeshje kombëtare dhe ndërkombëtare dhe u kurorëzua disa herë me titullin kampion kombëtar dhe me disa kupa të Republikës. Për kohën që luajti dhe që përputhet me një rritje të ndjeshme të basketbollit tonë, edhe Kujtimi u rradhit krahas emrave më të njohur dhe më të mëdhenj. Duke bërë gjithnjë figurë të mirë sportive në stërvitje e në lojë dhe po aq të mirë edhe në shoqëri, ai ka qenë edhe pjesëtar i ekipit kombëtar të basketbollit që nga viti 1965, madje që në moshë fare të re, kur ishte vetëm 18 vjeç. I vlefshëm dhe cilësor Kujtimi ka luajtur edhe në të gjitha ndeshjet ndërkombëtare të zhvilluara brenda dhe jashtë vendit.

Kontributi sportiv i tij evidentohet po aq cilësisht edhe në detyrën e trajnerit, pas vitit 1979, kur ai e la karrierën e sportistit. Nga viti 1980 deri më 1994 ishte trajner i ekipit të basketbollit për femrat e KS “Tirana”, të cilin, duke e drejtuar me mjaft kompetencë profesionale e ka nxjerrë disa herë kampione të vendit. Me detyrën e trajnerit të ekipit kombëtar të femrave, për mbi 10 vjet, ka patur rezultate të kënaqshme në shumë takime
ndërkombëtare të zhvilluara në vendet e Ballkanit, Europës dhe më gjërë. Një nga sukseset më të spikatura janë ato të Lojrave Mesdhetare (1984) në Latakia-Siri, ku ekipi i basketbollit i femrave shqiptare i drejtuar nga Kujtimi shpallet kampion dhe fiton Medaljen e Artë.

Për arrijet e shumta gjatë veprimtarisë së tij sportive 30-vjeçare, si sportist e trajner, dhe mjaft të pasura nga pikëpamja cilësore, ai mban edhe titullin “Nderi i Sportit Shqiptar”. Si një emër i shquar i basketbollit të klubit, me plot meritë, zen vend në ”Librin e Artë” të KS ”Tirana”.

Aktualisht punon dhe jeton familjarisht në ShBA.

Burimi: Shoqata Tirana

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.