Krijimtaria e Murat Toptanit
Krijimtaria e Murat Toptanit

Tre vjet pas themelimit të Galerisë së Arteve (1958), në sallën e Rilindjes u vendos skulptura e parë nga ajo periudhë, një bust i Skëndërbeut në bronz. Ishte krijim i Murat Toptanit. U cilësua si skulptura më e hershme nga arti i rilindjes. Tetë vjet më vonë (më 1966), u vendos karikatura në akuarel “Premtimet e Anglisë”. Përsëri krijim i Murat Toptanit. Përsëri, sipas shtypit të kohës, edhe kjo vepër u quajt si më e hershmja nga periudha e Rilindjes, që ruhej në Galerinë e Arteve1). Pra, u paraqitën dy krijime të vecanta nga i njejti autor, që më parë nuk figuronte në Galerinë Kombëtare. Në vitet më pas, me perjashtim të një artikulli në gazetën “Drita”2), për Murat Toptanin pati vetëm heshtje.

Nga dëshira për të mësuar shumë rreth këtij autori fillova humultimet (në fillim të vitit 1976) dhe, që në ditët e para u gjenda përpara një informacioni të pasur që ruhej në disa nga familjet e më të afërmëve të Toptanit, në Tiranë. Kujtimet e të gjithëve fillonin me shprehjen se Murati ishte biri i Said Seremedinit, patriotit të Rilindjes, që ishte bërë më i njohur për pjesmarrjen në Revolucionin Francez (të vitit 1848), duke kryesuar turmën e studentëve të huaj dhe duke vendosur flamurin mbi Panteon3).

Ndërsa nga humultimet e mëtejshme doli se figura e vetë Muratit zinte vend qendror në jetën shoqërore shqiptare të Rilindjes. Shtypi para dhe pas vitit 1900, i kishte rregjistruar thuajse të gjithë veprimtarinë patriotike. Faik Konica përshëndeste cdo veprim te tij atdhetar4) dhe i kishte përkushtuar një prozë poetike5). Naim Frashëri, pasi e kishte bërë dhëndër (gruaja e M. Toptanit, Asija, ishte vajza e Naimit), e bëri bashkëpunëtor të afërt6). Me Sami Frashërin bisedonte për hapjen e shkollave shqipe7). Arbëreshi Anselmo Lorekio i kërkonte bashkëpunime për ditoren e tij “La nazione albanese” dhe i lutej të ndërmjetësonte për t’u lidhur me Naimin8). Ndërsa Visar Dodani përmblodhi disa letra nga korrespondenca me Murat Toptanin, në një libër të vecantë, ku botuan edhe letrat e patriotëve më të njohur të Rilindjes9). Dhe më në fund, në aktin e Shpalljes së Pavarësisë, firma e tij gjendej pranë patriotëve më të shquar dhe dallohej për kaligrafinë më të bukur10). Të gjitha keto të dhëna që u grumbulluan pas disa muajve, u bënë objekt për monografinë “Murat Toptani, artist dhe patriot”, që u botua në vitin 1978,11).

Në studimin e mëposhtëm do të ndalemi vetëm në krijimtarinë artistike, pasi ky rilindas i shquar, me veprimtari të madhe patriotike, është njëkohësisht skulptori i parë që hap sallën e Rilindjes Shqiptare në Galerinë Kombetare.

Murat Toptani ka kryer studimet në Turqi, ndërsa për artin e skulpturës ka mësuar më shumë gjatë udhëtimeve të tij në Itali, Belgjikë etj. Ashtu si Spiro Xega në pikturë, Toptani ka qenë artist autodidakt në sculpturë. Mësimet e tij për artin i ka marrë nga vizitat nëpër muze dhe në studion e ndonjë artisti të huaj.

Si krijimi më i hershëm, tregohet një portret i Skënderbeut.

Gjatë kohës që u lidh me Naim Frashërin (mbasi u martua me Asijen, vajzen e Naimit) thuhet se Murati nderkohë që poeti shkruante Historinë e Skënderbeut, shfletoi nga biblioteka e Naimit disa libra për Skënderbeun dhe pa mjaft grafika dhe vizatime të autoreve të huaj. I nxitur nga ato krijime mori fletë të bardhë e laps dhe filloi nga puna.

Megjithese u bazua në grafika të autorëve të huaj, portreti që realizoi Murati i afrohej më shumë përfytyrimit mbi Skënderbeun dhe nuk u ngjante grafikave të autoreve të huaj. Mbasi e futi në kornizë, të cilën e bëri vetë (gjithnjë sipas kujtimeve të bashkëkohësve), ia paraqiti Naimit. Thuhet se poeti e pelqeu shumë vizatimin e Muratit dhe e inkurajoi atë të merrej më shumë me art. Portretin e Skënderbeut e vari në dhomën e tij, dhe sipas disa dëshmive, e mbajti aty gjate gjithë kohes, deri ditën që vdiq21).

Për Muratin qe një inkurajim i madh. Me tu kthyer në Tiranë krahas punës së madhe për cështjen kombëtare, i kushtoi më shumë kohë edhe krijimtarisë artistike. Në një dhomë të vecantë, atje ku mbante edhe librat shqipe që botoheshin në ato vite, Murati punonte deri vonë. Vizatonte dhe bënte skulptura në baltë. Kolegë të tjerë në Tiranë, me të cilët mund te shkembente mendime rreth krijimtarise artistike, nuk kishte. I vetmi piktor që njihej në atë kohë ishte Kole Idromeno. Murati vajti në vitin 1896 në Shkodër për përhapjen e librave shqipe, pikërisht kur piktori shkodran kishte realizuar disa nga veprat e tij më të mira, por nuk dihet me saktësi nëse janë takuar me njeri tjetrin. Nga ai udhëtim në Shkodër Murati mori si kujtim një foto të bukur, që bëri te studio Marubi. Toptani aty ka dalë me veshje kombëtare dhe ajo foto sot vlerësohet edhe si një nga me te bukurat e Marubeve. Figura e Toptanit me fustanellë në atë fotografi, është ndoshta një nga më tipiket që përfaqëson karakterin burrëror dhe krenar të shqiptarit, pikërisht ato vecori që kanë nxitur disa autore të huaj për të realizuar vepra arti me temë shqiptare.

Në korrik të vitit 1898 Toptani u vendos në Brindizi, midis arbëreshëve dhe shqiptarëve që luftonin për cështjen kombëtare. Pasioni për artin dhe sidomos dëshira për të nxjerrë një vepër dinjitoze për figurën e Skëndërbeut, që ishte shndërruar në symbol të bashkimit të shqiptarëve, e nxitën Muratin që punën e lënë përgjys në Tiranë ta përfundonte në Itali. Mblodhi baltë dhe filloi nga puna. Vec përvojës së fituar deri në atë kohë, nga udhëtimi në Itali ai ishte pasuruar edhe nga përvoja e mjeshtrave italianë, statujat e të cilevë i vëzhgoi në muzetë dhe sheshet e qyteteve. Ky ndikim ndjehet edhe në vepren e re të Toptanit.

Sapo e përfundoi bustin e Skëndërbeut, i dërgoi një letër V. Dodanit në Bukuresht dhe i shpjegon gjatë për krijimin e tij, për mundesinë e riprodhimit në disa kopje, për ti shpërndarë midis shqiptarëve dhe hollësira të tjera. “Këtë bust e kam ba pas një tabloje të Marqer Aulettës e Dora d’Istrias e Konfortit. Ishin tre, si njëra edhe tjetra. Tabloja e kish pothuaj plak, unë e bera më të ri, e mvesha me hekur, sikur shikon armikun me sy të egërsuar”13).

Letra e mësipërme, përvec të tjerave na jep edhe njoftimin se, në atë kohë edhe tre autorë të tjerë kishin realizuar figurën e Skëndërbeut në art, nga të cilët njohim më mirë Dora d”Istrian. Per Konfortin (Girando Confirti)*, V. Dodani në librin e tij shkruan se është një arbëresh i Italisë, një njeri me kulturë të gjerë, që punoi për cështjen kombëtare. Banonte në koloninë e shqiptarëve në Napoli.

Për skulpturën e Toptanit botoi një njoftim të vecantë edhe gazeta “La nuova Albania” e datës 6 mars 1899 nën titullin “Il busto di Scanderbeg”. Njoftimi i kesaj gazete është i rëndësishëm jo vetëm se është një dokument tjetër që dëshmon për datën e krijimit të bustit, por edhe për faktin se, nga krijimet e deritanishme, ky është i pari shkrim në gazetat e shekullit të 18-të që komenton një vepër arti të realizuar nga artistë shqiptarë.

Pasi tregohet se Toptani e ka skalitur në mermer figurën e Skëndërbeut, në gazetë bëhen dhe komente rreth realizimit të veprës dhe vlerave të saj. “Ështe një Skënderbej, por jo prej atyre që kemi parë në telajot, ku paraqitet mjaft i moshuar. Gjergj Kastrioti Skëndërbeu këtu na jepet në kulmin e moshës së pjekur, me përkrenare në kokë dhe me vështrim të ëmbël e krenar në të njëjtën kohë. Dhe ne duke marrë parasysh sakrifica jo të vogla, e pasi kemi kaluar mjaft prej tyre, mund t’ju ofrojmë kopje në terrakote, shumë të ngjashme me origjinalin, e me një vlerë aspak të kushtueshme. Do të bëhet edhe një kopje e bustit në madhesi naturale. Për këtë jemi të sigurt se asnjë shqiptar, asnjë bashki e vendbanimeve shqiptare në Itali, nuk do të donte ta linte t’i kalojë ky rast për të mundur tu tregojë të gjithëve që e admirojnë fytyrën e tij që me të drejtë pesëqind historianë dhe biografë e shënojnë ndaj prijësit më të shkëlqyer të ushtrive, e ishte mburojë e vetme e ushtrive të gjysmehënës, së cilës i rezistoi heroikisht për shumë vjet, pa pësuar asnjë humbje… prandaj dëshirojmë ta shohim të ngritur lart figurën e heroit tonë, mbi kolona e baza graniti, mbi altarë…”14).

Sipas kujtimeve te bashkëkohësve, Murati kishte krijuar shumë vepra edhe më parë, por kjo njihet deri tani si e para vepër e afirmuar për të cilën është shkruar, kemi edhe fotografinë. Njëkohësisht, kjo skulpturë vlerësohet si më e hershmja në artin e rilindjes shqiptare.

Origjinali i kësaj vepre, sic shkruhet më gjerë në studimin tjetër të këtij libri15) ka mbetur në Itali, por ndikimi të bashkëkohësit e tij në Shqipëri, ka qenë i ndjeshëm. Gazeta e mësipërme, mbështetur edhe në pohimin e vetë autorit, vlerëson paraqitjen në moshë të re të Skënderbeut, jo vetëm si vecori që nuk e gjejmë në veprat e tjera kushtuar këtij heroi, por edhe si gjetje artistike që rrezaton më shumë forcë edhe te vizitorët, të cilët sidomos në atë kohë, kishin më shumë nevojë për kurajë në përpjekjet për liri. Në këtë vepër gjen edhe interpretime të tjera, si në veshjen e heroit, në trajtimin e përgjithshëm plastik, dhe ndryshimi më i dukshëm është në përkrenaren e Skëndërbeut.

Në bustin e Toptanit nuk paraqitet përkrenarja që njohim sot, por një shqiponjë me krahë të hapura, me vështrim nga e majta dhe pjesa e poshtme përfundon me një rreth si kurorë. Nuk dihet me saktësi përse është bërë ky lloj trajtimi, ndërsa disa bashkëkohës tregojnë se Murati e ka sajuar një përkrenare të tillë, pra me figurën e shqiponjës, për të theksuar se Skëndërbeu u takonte shqiptarëve e jo ndonjë kombi tjetër, sic flitej në atë kohë. Në fakt pretendime të tilla nga të huajt ai i kishte dëgjuar edhe vetë, prandaj ka shkruar edhe këto vargje: “Cuditet ene cudia / Kur guxon e thotë Serbia / “Skëndërbeu asht i imi” / Në vorr habitet ene trimi…”16).

Pas këtij busti nuk ka të dhëna për realizimin e ndonjë vepre tjetër për aresye të levizjeve të shumta nga njëri shtet në tjetrin. Kur u rivendos në Konia (Turqi) pranë familjes pas vitit 1901, fillon një fazë e re në krijimtari. Shandani, një nga djemtë e Muratit, tregonte se ato vite i ati shoqërohej me nje mjek armen, qe ishte i apasionuar pas artit, i cili e inkurajonte dhe e ndihmonte per te realizuar skulptura.

Mbas vdekjes së mjekut, vila e tij për disa kohë mbeti bosh. Turqit supersticiozë, nuk futeshin aty, mbasi mesuan lajmin se mjeku u vra mizorisht natën nga disa hajdutë. Nga pakujdesia, vilës po i thyheshin xhamat dhe tjegullat. Murati duke e parë se shtepia mbeti në mëshirë të fatit, e riparoi dhe e rregulloi atë për vete, duke ndërtuar edhe një studio. Kushtet për punë tani ishin më të mira. Me baltën që mblidhnin fëmijët nga brazdat e vreshtave të ujitura, filloi të shtojë numrin e statujave në studion e re, të rregulluar nga dora e tij.

Në Konia Murati krijoi edhe disa vepra në pikturë. Sipas kujtimeve të fëmijëve të tij, Enverit dhe Shadanit (të vetmit që trashëguan nga i ati pasionin për art)* veprat që punoi me kënaqësi ishin Skenderbeu mbi kale dhe Prometeu i lidhur. Të dyja i bëri në madhësi natyrale. Krijoi edhe vepra të tjera. Një nga më të bukurat, fëmijët e tij cilësonin portretin e Asijes. Figura në gips ishte ndërtuar deri poshtë gjoksit. Edhe Muratit i pëlqente dhe e kishte vendosur në dhomën e pritjes ku shihej më shumë. Një ditë mblodhi gjithë fëmijët për të bërë fotografi përpara Asijes në skulpturë. Fotografi turk, fanatik, nuk pranoi të fotografonte përpara bustit të një gruaje të zhveshur (!). Murati, sic tregojnë fëmijët u detyrua të hedhë një shall të bardhë sipër pjesës së zhveshur. Por turku fanatik e kuadroi foton sipër gjoksit të mbuluar, për të dalë sa më i pakuptueshëm busti.

Megjithatë ajo fotografi mbeti i vetmi dokument nga gjithë ato krijime artistike që mbetën në Konia. Lëvizjet e tij nga Konia në Yskydar, në Kadikoj, e më në fund në Tiranë, nuk i dhanë atij mundesinë të marrë me vete vec një busti të vogël të Skëndërbeut. Kështu Murati u kthye në atdhe, duke lënë jashtë thajse gjithë krijimtarinë e tij artistike të kryer deri në vjeshtën e parë të vitit 1912, kur e vendosi përfundimisht familjen në Tiranë

Pak kohë pas shpalljes së pavarësisë, periudhë gjatë së cilës Murat Toptani ka qenë ndër aktorët kryesorë të jetës politike shqiptare, shtëpia e tij në Tiranë mori pamjen edhe të një studioje artistike. Në ato vite ai filloi të merrej edhe me gdhëndje në dru dhe realizoi punime të ndryshme. Fëmijët tregojnë se edhe mobiljet i ndërtonte vetë me modele të vecanta; edhe kavaletin e skulpturës e krijoi vetë, duke e zbukuruar me gdhëndje artistike. Tashmë Murati i kishte kaluar të 40-tat, kishte bërë disa udhetime të rëndësishme ku ishte njohur edhe me kryevepra arti; kishte realizuar edhe vetë shumë krijime artistike. Pra, kishte arritur një përvojë të pasur, kështu që edhe krijimet e kësaj faze i përkisnin një stadi më të lartë artistik.

Në studion e shtëpisë në Tiranë, tregonin Enveri dhe Shadani, Murati realizoi përsëri Skenderbeun mbi kale dhe Prometeun e lidhur. Krijoi edhe portretet e Naimit, Samiut dhe Abdylit. Vec skulpturave, gdhendjeve në dru, Toptani ka realizuar edhe afreske. Djemte e tij tregojnë si e përgatiste vetë murin me allci dhe pastaj punonte figura të ndryshme sipas fantazisë së tij. Brenda dy vjetësh shtëpia në Tiranë u bë si një galeri e vogël e mbushur me afreske, skulptura, piktura e gdhendje në dru dhe krijime të tjera. Bashkëkohësit tregonin se shtëpia e Muratit ishte kthyer si një muzeum nga vizitat e miqve të shumtë. Sot, pas shumë vitesh do te ishin shumëfishuar vlerat e atij “muzeumi”, por jeta e tij ishte fare e shkurtër. Gjatë vitit të mbrapshtë 1914 u dogj shtëpia e Murat Toptanit. U zhdukën keshtu disa nga krijimet më të rëndësishme të tij bashkë me gjithë pasuritë e tjera artistike që ruheshin në atë familje. Fëmijët tregojnë se në atë shtëpi u dogjën edhe mjaft libra shqipe, dokumente e letra të Naimit, Samiut, Konicës dhe të figurave të tjera të shquara të Rilindjes, me të cilët Murati kishte pasur leterkëmbim të rregullt. Mjaft prej atyre objekteve (libra, letra e dokumente) ishin kopje unikale, që ishin ruajtur me kujdes në atë familje. Sot ato do të përbënin një pasuri të cmuar për kulturën tonë kombëtare.

Pas kësaj ngjarje edhe qëndrimi i Muratit në Tiranë u bë i vështirë. Për disa vjet vendoset në Vjenë dhe sipas dëshmive, mësohet se bashkëpunon me një reviste humoristike. Pra, për herë të parë ai i futet një pune që i jep mundësi të merret me krijimtari artistike. Ende nuk kanë bërë humultime të sakta për të marrë të dhëna me të plota për gjithë krijimet që ai botoi në ato vite. Nga kjo periudhë ruhet karikatura “Premtimet e Anglisë”, që vlerësohet si një nga krijimet më të bukura të artit shqiptar të atyre viteve. Me këtë krijim Toptani paraqitet më i qartë për vlerat artistike që kishte arritur në atë periudhë. Karikatura e punuar në akuarel të emocionon me vizatimin e saktë, me teknikën e ngjyrave, ku janë përdorur me kujdes nuanca e kalime piktore me shumë shije.

I ndikuar nga qëndrimet politike të revistës që ia ka porositur karikaturën, në këtë krijim Toptani demaskon synimet e Anglisë, e cila duke vepruar në prapaskena (në karikaturen e vendosur poshtë shkëmbit buzë greminës), nxit popujt e vegjel për luftë, duke i përcarë e duke i cuar drejt greminës me qëllim që të fitojë prej disfatës së tyre. Fatkeqët në atë karikaturë janë Serbia dhe Mali i Zi, përfaqësuar nga Krajl Pjetri dhe Nikolla i Karadakut. Të hipur njeri në kale e tjetri në gomar, të ngarkuar me hejbe me pija alkolike (për Nikollën thuhet se ka qenë i njohur edhe si pjanec), Murat Toptani ka paraqutur disa vlera si Don Kishoti me Sanco Pancen. Të dy krajlat të etur per aventura, nuk shikojnë rrezikun që u kanoset poshtë këmbëve, por mundohen të arrijnë premtimet e bukura të Anglisë, që as me dylbi nuk shihen dot.

Në dhjetor të vitit 1917 Murati u kthye perfundimisht në Tiranë. Po atë vit filloi edhe krijimin e një busti tjetër për Skëndërbeun që e realizoi në baltë të pjekur. Kjo skulpturë ishte e fundit për Muratin (ai vdiq papritur po atë vit) dhe e vetmja që ruhet në ditët tona nga e gjithë krijimtaria e tij në këtë gjini.

Në krahasim me bustin e parë (atë të 1899-tës), kemi interpretime të reja. Ka gjithashtu ndryshime në pamjen e heroit. Perkrenarja eshte tjetër, ajo që njohim edhe sot. Skëndërbeu paraqitet më i mplakur se në bustin e parë. Është veshur me xhaketë si të ushtarakeve austro-hungareze, me gajtanë horizontal dhe përsipër i ka hedhur një xhoke nga ato që përdor Shqiperia e Mesme. Në përgjithësi vepra përshkohet nga një frymë romantike që shprehet më tepër në sytë e heroit, të cilët kanë një vështrim edhe pak ëndërrues. Gjejmë në atë bust të pasqyruar edhe gjëndjen shpirtërore të autorit. Toptani nuk e kishte me atë forcën e viteve të para kur krijoi bustin e 1899-tës. Gjendja e mjeruar e vendit, mosrealizimi i plotë i dëshirave pas pavarësise, kalimi i viteve të mbrapshtë pas 1914-tës, e bënë atë më të dëshpëruar dhe mundësia për ta parë Shqiperinë të lirë mbeti vetëm në ëndërrimin e tij.

Skenderbeu i 1917-tës është skulptura e fundit e Muratit dhe e para me të cilën hapet sot pavioni i Rilindjes në Galerinë Kombëtare të Arteve. Qysh pas mbarimit në baltë të pjekur (më 1917), në ekspozimin e parë (1931), në ekspozime të tjera e deri në vendosjen perfundimtare në Galeri ky bust ka një histori të vecantë qe vec humultimeve të autorit të ketij libri plotësohet edhe me kujtimet e Skulptorit të Polullit Odhisë Paskali, të shkruara posacërisht për plotësimin e monografisë së Murat Toptanit.

Historiku i ekspozimit te bustit

Pasi u vendos ne “Ekspozitën e parë Kombëtare” (Tirane 1931) Skenderbeu i Toptanit, është paraqitur edhe në Ekspozitën Ndërkombëtare te Artit dhe të Teknikës, të hapur në Paris në tetor të vitit 1937. Busti u ekspozua ne vendin qëndror të pavionit shqiptar, sic duket edhe për rëndesinë e figurës që përfaqesonte. Ndërsa për publikun shqiptar, busti i Toptanit bashkë me një portret te N. Martirit u vendosën në krye të sallës, të pajisur me nga një shirit të zi, për të nderuar kujtimin e të dy artistëve të vdekur. Në atë ekspozim të parë busti pësoi edhe dëmtimin e parë. Salla e ekspozitës ishte vazhdimisht e mbushur plot dhe njerëzit mezi leviznin përpara punimeve. Ditën e tretë, nga pakujdesia e disa vizitoreve, busti i vogël i Skënderbeut u lëkund e ra për tokë, anash bazamentit. “Sapo mesova këtë – kujton Paskali, – vrapova me hidhërim të madh, nxorra shaminë dhe i mblodha të gjitha pjesët e thyera që nuk ishin pak, por dhjetera copëra të vogla. Lajmërova së pari djalin e Muratit që ma kish dorëzuar me besim dhe e sigurova se do ta restauroja bustin dhe do ta derdhja ne bronz, që të mos prishej me kurrë…”17).

Po atë vit Paskali shkoi në Torino dhe një nga kujdesjet e tij të para ka qenë restaurimi i bustit të vogël të Skëndërbeut, krijuar nga Toptani. Punoi mbi modelin e vogël duke përdorur thjerrëz zmadhuese mbi kartolinen, që ishte botuar sipas origjinalit të Toptanit dhe copave te argjilit që kishte marrë me vete. Derdhi në bronz dy ekzemplarë dhe i shënoi me numrat romake I dhe II. Në dhjetor të po atij viti, Paskali u kthye në Tiranë me të dy bustet e vogla të Skëndërbeut prej bronzi. Historiku i këtij busti sipas Paskalit vazhdon më poshtë:

“Ekzemplarin nr. I ia dorëzova Bibliotekës dhe Muzeumit Kombëtar për selinë e institucionit (sot ndërtesa e Monumenteve të Kulturës) dhe ai u vendos në një vitrinë ku ishin objektet arkeologjike.

Ekzemplarin II ia dhurova djalit të skulptorit ta ruante në familje, në vend të origjinalit prej balte të thatë që u thye.

Shumë vite më vonë kur isha drejtor i Galerisë së Arteve, më takoi të vete një ditë në Muzeun Etnografik për të kërkuar një dorëshkrim mbi mjeksinë popullore kur rastësisht më zuri syri brenda në një raft bustin e vogël prej bronzi të Skëndërbeut, të mbyllur atje pa qëllim. Drejtori i muzeut pati shkathtësinë të ma jape bustin aty per aty, pa asnjë formalitet, gjë që shtoi gëzimin tim dhe unë e vendosa në galerinë tonë i qetësuar më së fundi se angazhimi im shumëvjecar u plotësua.

Më 1967, me rastin e vitit jubilar të 500-vjtorit të Skëndërbeut, muzeu i Krujës siguroi një bust prej bronzi të vogël të Skëndërbeut. Ishte ekzemplari II i bustit të Murat Toptanit që unë i kisha dhënë më 1931 familjes së djalit të skulptorit.

Mbetet akoma një dëshirë e imja që të bëhet një studim krahasues mbi fotografinë e vjetër të bustit marrë nga argjili dhe botuar në kartolinë dhe mbi nje fotografi të re të marrë në kondita të njëllojta pozicioni dhe drite, nga busti prej bronzi, për të konstatuar ndryshimet e vogla interpretimi me rastin e restaurimit dhe derdhjes në bronz”18).

Murat Toptani ka qenë edhe poet dhe prozator. Krijimet e tij letrare janë botuar në disa gazeta dhe revista të viteve të Rilindjes dhe të Pavarësisë. Pas vdekjes, nën kujdesin e të birit Saidit, u botua një libër i vecantë ku u permblodhen pjesa më e madhe e vjershave19). Më vonë disa nga krijimet letrare të Muratit janë botuar edhe në përmbledhje të tjera20).

Të tjerët për Muratin

Lidhjet e shumta të Muratit me disa nga figurat më të shquara të historisë shqiptare, që u përmendën në fillim të këtij shkrimi, janë vlerësim i madh për personalitetin e tij si krijues dhe patriot. Një vlerësim tjetër i cmuar është edhe proza poetike që Faik Konica ia kushtoi Muratit dhe e botoi te Albania e tij e famshme. Ajo titillohet “NË LIQEN për Murad Bej Toptanin” dhe është shkruar në vitin 1898, një vit para se skulptori të bënte bustin e parë të njohur të Skëndërbeut21).

Në vitin 1935, skulptori Odhise Paskali bëri në reliev portretin e Murat Toptanit në Allci dhe ia dhuroi bijës së artistit që në atë kohe ishte gjallë. Tani nuk gjendet me ai reliev, ndërkohë që edhe Paskali, i cili ka qenë tepër i rregullt për të dokumentuar krijimtarinë e tij nuk ruajti as edhe një foto te asaj vepre. Ky punim përmendet edhe në monografinë “Murat Toptani, artist dhe patriot”22), ku pershkruhet më gjerë jeta dhe veprimtaria e skulptorit të parë shqiptar. Mbështetur në të dhënat dhe përshkrimet e këtij libri u realizua edhe një tablo në pikturë për figurën e Murat Toptanit, nga piktori i njohur Vilson Halimi. Tabloja “M.Toptani në studio” u paraqit në një ekspozitë kombëtare të viteve ’80-të dhe tërhoqi vëmendjen për vlerat artistike, por edhe për faktin se i kushtohej një figure të rëndësishme të kulturës kombëtare që ende nuk kishte marrë vlerësimin e merituar.

Nga Murat Toptani ruhen fare pak vepra në krahasim me ato që ai ka krijuar. Megjithatë, dy prej tyre zenë vend të vecantë në Galerinë Kombëtare dhe në historinë e artit shqiptar. Për këto vecori, Murat Toptani vlerësohet si një nga autorët më të rëndësishëm të artit shqiptar të Rilindjes.

Njërës nga rrugët pranë qendrës së Tiranës dhe pikërisht asaj që kalon në anën e Galerisë Kombëtare, akademisë së Shkencave, Teatrit Kombëtar, Institutit të Monumenteve dhe Kinemasë Millenium 2, pra midis disa institucioneve më të rëndësishme kombëtare të kulturës shqiptare, i është vënë emri “MURAT TOPTANI”.

SHENIME:

“Një ndër karikaturat e para”. Revista “Ylli”, nr. 5, fq 24, Tiranë 1966

K. Buza. “Murat Toptani”, patriot dhe skulptor”, 18 shtator, Tiranë, 1962.

Për më gjerë shih: F Hudhri. “Shqiptari i flamurit në Panteon”, Gazeta “Drita”, 28 dhjetor, fq.12, Tiranë, 1980. Të dhëna të reja për pjesmarrjen e Saidit në krye të studentëve të huaj në Revolucionin Francez, si dhe për vendosjen nga ana e tij të flamurit në Panteon, është shkruar në librin: “Gjysma tjetër e botës” nga B. Ferziu. Botuar nga “Grupi Brezi 22”, Tiranë, 1994.

Revista “Albania”, Bruksel 1898.

Revista “Albania”, Bruksel, 1898. Botuar edhe te Vepra e Faik Konices. Shtëpia botuese “Naim Frasheri”, fq. 68, Tiranë 1993.

N. Frasheri. Dosja nr.2 Fotografitë. Arkivi Qëndror i Shtetit Tiranë.

S. Frasheri. Dosja nr. 5. Korespondenca. Arkivi Qendror i Shtetit Tiranë.

Në një letër që A Lorenchio i ka derguar M. Toptanit, i shkruan: “… i ndermi vjerr i zotërisë sate, Naim Frasheri, përse nuk ka dashur të më shkruajë asnjëherë? U lutem fort shum’ t’i shkruani të më dërgojë ndonjë korrespondencë për ditoren “La nazione Albanese” … ”. Sipas revistës “Java”, nr. 67, fq. 2, Tiranë 1936.

V. Dodani. “Memoriet e mia”. Botuar te shtypshkronja “Albania”, Costanze, Roumanie 1930.

“Rilindja Kombëtare Shqiptare”, album. Shtëpia Botuese “Naim Frasheri”, Tiranë 1962.

F. Hudhri. “Murat Toptani”. Shtepia Botuese “8 Nentori”, Tiranë 1978.

Sipas kujtimeve të djalit të Muratit, Shadan Toptani, Doreshkrim, Tirane 1976 (arkivi personal – F.H.)

V. Dodani. “Memoriet e mia”. Shtypshkronja “Albania”, Costanze, Roumanie. V. 1930, fq. 80.

“Il busto di Scanderbeg”. Gazeta “La nuova Albania”, 16 mars, Napoli, Italia.

Shih te artikulli (i ketij libri) “Vepra që na mungojnë”. *Enver Toptani (19-19), Shadan Toptani (19-19).

“Vjershat e Murat Toptanit”. Shtypshkronja “Tirana”, Tiranë 1930.

O. Paskali “Ekspozita e parë e artit dhe busti i Skëndërbeut punuar nga Murat Toptani”. Botuar në librin “Murat Toptani” të F. Hudhrit, Shtëpia e Botimit “8 Nentori”, Tiranë 1987

Po aty.

“Vjershat e Murat Toptanit”. Shtypshkronja “Tirana”, Tiranë 1930.

Disa nga vjershat e Muratit janë botuar edhe në librat: “poete të Rilindjes”. Sh. Botuese “Naim Frasheri”, Tiranë 1962, dhe “Murat Toptani”, Shtepia Botuese “8 Nentori”, Tiranë 1978

Kjo skicë poetike në fillim u botua te revista “Albania”, Bruksel 1898. Është botuar edhe te libri “Veprat e Faik Konices”. Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, fq. 68, Tiranë 1993.

Paskali “Ekspozita e parë…”. Botuar në librin “Murat Toptani” të F. Hudhrit. Shtëpia Botuese “8 Nentori, Tiranë, 1987.

Burimi: Familja Toptani