Kreshnik Tartari
Kreshnik Tartari

Kreshnik Tartari ka lindur më 21-7-1943 në një familje qytetare të Tironës. Pasi mbaroi më 1965 arsimin e lartë në ILKF “Vojo Kushi”, me diplomën “mësues i edukimit fizik”, punoi me këtë profesion në disa shkollat e mesme të Tironës, prej nga kaloi në detyrën e trajnerit profesionist (1975 1982, 1985-1991 dhe 1999-2003) me volejbollistet femra të KS “Dinamo”.

Ai ka patur edhe detyrën e zëvëndësministrit të MKRS (1997-2001) dhe nga viti 2003 mban atë të përgjegjësit të sektorit në Qendrën Kërkimore Shkencore të Sportit dhe të drejtorit teknik në Shoqatën e Volejbollit “Aulona”.

Falë konstruktit fizik, ai kishte prirje për të zhvilluar disa sporte por, talenti i tij shpërtheu në volejboll. Ishte 15 vjeç kur u aktivizua me ekipin e të rriturve të KS “Dinamo”. Në rolin e një organizatori të përsosur të lojës, ai shërbeu për 14 vjet radhazi. Ka qenë pjesëtar aktiv edhe i ekipit kombëtar të volejbollit, duke dhënë kontribut me vlerë në mjalt ndeshje ndërkombëtare brenda dhe jashtë vendit.

Veprimtaria sportive e Kreshnikut, së cilës i kushtoi një jetë të tërë bëri më shumë emër në rolin e trajnerit të volejbollit. Puna e tij me femrat KS ”Dinamo” ka qenë shumë e lavdërueshme jo vetëm për sukseset e arritura, por mbi të gjitha për nivelin e shkëlqyer të lojrave të zhvilluar.) Këto tregues kanë qenë po kaq të lartë edhe në aktivitetet e përvitëshme ndërkombëtare ballkanike dhe europiane. Për ekipet kombëtare të Shqipërisë të volejbollit për femra, Kreshniku mbetet trajneri më i suksesshëm.

Gjatë karrierës së tij, si lojtar apo trajner, me ekipet e klubit apo me ato kombëtare, ai ka një bilanc të shkëlqyer. Ka zhvilluar mbi 1600 ndeshje, ndër të cilat 300 janë ndërkombëtare; 25 herë është shpallur kampion i vendit, 18 herë fitues i kupës së Shqipërisë dhe dy herë i spartakiadave kombëtare. Në 17 edicione të kupës së Evropës, katër herë ka dalë në finale dhe një herë është renditur në vendin e tretë; në Lojrat Mesdhetare nji herë ka marrë medalje ari. Në Lojrat Ballkanike ka fituar dy medalje ari, dy argjendi dhe katër bronxi; ndërsa në Lojrat e Shteteve të Vogla (zhvilluan në San Marino), tre herë, me medalje të argjenda.

Përvojën e vlefshme dhe kualitetin e lartë të tij si specialist i volejbollit, ai e reflektoi edhe jashtë Shqipërisë: Ai ishte trajner në Palermo të Italisë (1991-1992) e në San Marino (1992-1997), si dhe anëtar i byrosë së divizionit sportiv të Strasburgut-CDDS (1999-2001). Ka titujt trajner i kategorisë së parë italiane dhe trajner i kategorisë ndërkombëtare.

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.