Kinema Nacional - Foto Gazmend Bakiu
Kinema Nacional - Foto Gazmend Bakiu

Historia e kinemasë në Shqipëri nuk është një histori e mirëfilltë e artit, e teknikës dhe e industrisë kinematografike, por histori e sallave ku në një ekran të madh janë projektuar filma. Kjo është shenjë e varfërisë dhe hapjes kulturore që vendi ynë ka pasur dhe ka me botën. Mjerim është që sot nuk ka asnjë gjurmë tradite të kinemasë publike, asnjë kinema alternative, as treg kinematografik dhe as botime për artin e shekullit të njëzetë. Model i këtij flamuri të leckosur kulture është Tirana. Si në shumë fusha të jetës, vendi ynë edhe në kulturë e ka të vështirë të ecë me ritmin e botës së qytetëruar, jo vetëm kaq por duke u nxituar t’i kapë në nxitim ato ritme dhe jo në mënyrë organike, po djeg etapa zhvillimi që i heqin mundësinë brezave të jetojnë shpirtërisht.

Përralla që nis me “na ishte një herë” vlen edhe për kinematë. Aktualisht në Tiranë nuk ka asnjë kinema të administruar nga struktura shtetërore që të jetë funksionale. Ndërsa kinematë e kompanive private mbajnë erë misër i pjekur, salçiçe dhe kafe-ekspres.

Nuk është kjo sot ajo që përfaqëson historinë e kinemave. Valter Gjoni na tregon “Kinemanë në bardh e zi”, në një ekspozitë që specialisti i sektorit të trashëgimisë në Bashkinë e Tiranës, e ka ideuar me rastin e 90-vjetorit të shfaqjes së parë filmike.

Koleksioni juaj tregon se historia e kinemave në Tiranë nis në një lulishte e quajtur “Orjent”. Në ç’mënyrë?

Këtu jemi në lulishten e quajtur “Orjent”, pranë Lagjes “Fortuzi”, e cila u sistemua më 1917 nga Ushtria Austriake. Duhet thënë se kjo e fundit ka mbajtur qëndrim shumë dashamirës ndaj popullsisë vendase për problemet shëndetësore, të ushqimit dhe u kujdes që të ngrejë një kinema. Me aparaturat e veta që quheshin “Feld Kino” ose në shqip “kinema fushore” gjetën nëpër këto ambiente të gjelbra të qytetit mundësinë për të shfaqur herë pas here film. Bile ka dhe një emërtim pak humoristik për qytetarët e Tiranës të cilët kishin parë disi teatër dhe kur panë film për herë të parë i vunë emrin “teatër elektrik”.

Kjo kinema mban emrin e lulishtes “Orjent” kur vetë kinemaja është një kulturë që nuk i përket orientit, apo jo.

Më duket ky emërtim është krejt rastësisht, ndërsa ajo që kinemaja është një kulturë që nuk i përket orientit është reale. Tirana, fillesat e elementëve të veta kulturorë ose shpirtërorë i ka nisur me objektet e kultit, fillimisht me xhamitë, pastaj gradualisht me kishat shumë të pakta, ndërsa objektet e mirëfillta kulturore dhe artistike në histori hyjnë fillimisht me lulishte “Orjent”. Një tjetër objekt është një kafe shumë e thjeshtë në qendër të qytetit që kishte emrin simbolik “Kafe Lirija”. Në këtë pronë të një familjeje ortodokse, filluan të shfaqeshin filma pa zë. Aty mblidheshin njerëz nga elita e Tiranës, kalonin kohën duke pirë kafe, duke pirë një gotë dhe duke parë ato filma. Ka një fakt historik që në Shqipëri filmi ka hyrë të paktën dhjetë vjet me vonesë, pra është një kohë e shkurtër.

Gjatë kohës midis seancave, administatorët e kinemave vinin muzikë. Kemi fatin e madh që në fondin e kinema “Glorias” e cila më vonë u quajt kinema “Republika” dhe më vonë kinema “Millenium 1”, kemi gjetur një sasi disqesh, pllaka gramafoni dhe ky që shihni është një disk i viteve ’30, i realizuar nga Tefta Tashko Koço me tekst të Lasgush Poradecit. Ky disk ka bërë pjesë në këtë fond të kinemave të Tiranës. Kinematë kanë pasur vlerë si teatrot e parë, si sallat e para ku kryheshin veprimtaritë kulturore të qytetit, madje ishin dhe ambientet e para politike.

Pak nga pak teatrot sollën edhe zhvillimin e një “industrie” apo të një tregu kinematografik. Kinema “Nacional” botonte në vitet ’30 një revistë që quhej “Kino-sport”, madje dërgonte në festivalin e Venecias gazetarë që bënin edhe rolin e reporterit, por edhe të agjentit të filmit.

Është një moment interesant, sepse filloi industria. Filloi reklama në kinema, filloi reklama në qytet. Kemi edhe botime të veçanta të kinemave, por edhe të organeve shtetërore. Shohim që kemi urdhëresa të bashkisë, sistem taksash që dëshmojnë se nuk ka qenë thjesht kalimtare kjo punë. Kemi një ligj të kohës së Zogut që rregullonte marrëdhëniet e këtyre institucioneve.

Por kemi edhe një aspekt tjetër, shumica e artistëve tanë, aktorë, regjisorë etj. kanë dalë nga kinematë ku interpretonin në periudhën e pushimit ndërmjet shfaqjeve. Pandi Stillu dhe Mihal Popi kanë dhënë shfaqje në kinema “Nacional”. Lasgush Poradeci ka recituar në kinema “Gloria”, Tefta Tashko dhe Lola Gjoka kanë kënduar në këtë kinema. Pra kinematë na japin historinë që nga Lufta e Parë Botërore.

Kinematë ishin vendi i propagandës. Dihet që Benito Mussolini ngriti Cine-Citta për këtë qëllim. Paralelisht me këtë kohë ngriheshin në Tiranë 4 a 5 salla: Kinema Tomorri, Savoja, e quajtur Kosova më pas, Akademia e Arteve ku ishte qendra kulturore sportive propagandistike, apo Qendra Kulturore e Ushtrisë, të gjitha këto të ngritura nga ushtria italiane që u bënë baza e parë e kinemave pas Çlirimit. Të gjitha ato kinema të pronarëve dhe të ushtrisë italiane u shtetëzuan.

U shtetëzuan dhe u shfrytëzuan drejtpërdrejt politikisht për progandë, këtë herë për gjyqet “në emër të popullit”.

Kinematë u kthyen në salla gjyqi. Gjyqi kundër deputetëve u bë në kinema Nacional ose “17 Nëntori”, tek kinema Gloria një gjyq tjetër kundër armiqve të popullit. Ndërsa tek kinema Brigada (sot godina e Partisë Socialiste) shihni njerëz që ndjekin nëpërmjet altoparlantëve gjyqin kundër gjeneral Teme Sejkos.

Pas Çlirimit Kinematë u kthyen prapë në një lloj industrie, me ngritjen e Kinostudios “Shqipëria e re”, ndërsa kinemaja e Akademisë së Arteve kthehet në sallë të Asamblesë Kushtetuese.

Duhet thënë se me shtetëzimin e kinemave na janë marrë vlera të mëdha arkivore nga Mosk Film. Po të pyesësh veteranët e Kinostudios do të mësosh se si kaseta të tëra “gjoja” për t’u riprodhuar kanë ikur në Moskë. Këtu përfshihen kinoditarë të Luces, kinoditarë të ushtrisë austriake, gjermane, apo filma që kishin hyrë në Shqipëri nga qendra kinematografike shumë të fuqishme nëpërmjet tregtarëve shqiptarë.

Tek kinema “Nacional” vinin edhe filmat e fundit nga Festivali i Venecias.

Po, po sepse kinematë funksiononin edhe si kompani. Mënyra e futjes së filmave ishte shumë e rregullt që gjë favorizohej edhe nga ligji. Kinematë e Tiranës kishin degët e tyre në Durrës, Vlorë, Korçë etj.. Pronarët kishin krijuar rrjetet. Prandaj pas Çlirimit ka pasur fonde vërtet të pasura për të cilat veteranët e Kinostudios tregojnë që u morën me kamionë dhe kaluan kufijtë e Shqipërisë me idenë e riprodhimit. Nuk janë kthyer më.

Na keni dhënë një informacion që është dëshpërues për temën në fjalë: kinemaja e fundit e ndërtuar në Tiranë është kinema partizani më 1957 e cila u dogj më 1988. Pra ka gjysmë shekulli ku nuk është ndërtuar ndonjë objekt posaçërisht me destinacion kinemanë.

Po është e vërtetë që në Tiranë ka pesëdhjetë vjet që nuk ndërtohet kinema, brenda qytetit se në periferi janë bërë. Për shembull kemi kinemanë e Qytetit Studenti, kinemanë e Universitetit Bujqësor, kinemanë e Kombinatit që kanë qenë salla të përshtatura, por mirëfilli kinema nuk është ndërtuar, as teatër jo.

Tirana, për sa u përket institucioneve kryesore, gëzon ato vlera që ka trashëguar që para Çlirimit. Po flas për Akademinë e Arteve, për Teatrin Kombëtar për Kinema Partizanin. Tani ndjej se vende-vende po krijohen salla të reja jo më me traditën e aparatit me film, por me projeksion siç janë Milleniumet dhe Imperialët. Në projektet që janë në bashki shihet që brenda një kohe shumë të shkurtër do të kemi të paktën tetë-nëntë salla të reja.

Ka një opinion se edhe po t’i kishim sallat njerëzit nuk do të shkonin në kinema.

Kam përshtypjen që spektatori ynë është i prirur të pëlqejë filmin komercial. Një treg i tillë nuk rregullohet me ligj. Filmi dhe kinematë po kthehen në gjendjen ku kanë qenë, të administruara nga kompani private si dikur.

Sa kinema ka në varësi bashkia?

Bashkia ka në varësi tre kinema që janë “Agimi”, “Dajti” dhe “Lapraka”, por që janë në një ide të një rruge të re. Lapraka hyn në një projekt të fuqishëm italian. Ka projekte interesante që i vijnë bashkisë për mënyrën e rifunksionimit të tyre, sepse ka ikur koha e funksionimit tradicional, shfaqja e filmit me karbon.

Përmenda faktin që prej 50 vjetësh nuk është ndërtuar sallë e re, por ndihem mirë kur shkoj në Millenium apo Imperial. Megjithatë gjithmonë kam nostalgji për shiritin e filmit. Tirana apo Shqipëria botën, izolimin e ka çarë me filmin, si në kohën e Zogut si në kohën e Enverit. Izolimi ynë është thyer nëpërmjet filmit.

Cila ishte kinemaja juaj?

Kinema “Agimi”, ose ndryshe kinemaja sovjetike. Kinema “Dajti” dhe kinema “Agimi” kanë pasur nga një emër në varësi të spektatorëve që i ndiqnin. Deri në vitin 1961 unë këto dy kinema i kam pasur afër. Deri në vitin 1961 kinema “Agimi” quhej “kinemaja e sovjetikëve” sepse pothuaj gjithë lagjja përreth ishte e mbushur nga familjet sovjetike që punonin në Shqipëri. Ndodhi kjo gjë nga vitet ’66-’67 me kinema “Dajtin” që u quajt kinemaja e kinezëve. Pati edhe mensë të kinezëve, sallë lodrash e kinezëve, lagje e kinezëve. Të shihje çdo mëngjes shumë kinezë: ca shkonin në televizion se ata e kanë ndërtuar, ca shkonin tek antenat në Dajt se ata i kanë ndërtuar, ca tek Autotraktori, ca në Kombinat Tekstil, ca tek uzina “Enver”. Pra Tirana ishte kthyer në një “China town”.

Kinemaja e Hoxhës

Kjo vilë e familjes Kote, më 1947 u shtetëzua dhe më pas u përfshi brenda ish- Bllokut të udhëheqjes komuniste ku shërbeu si vilë për takimet në kohën e lirë për drejtuesit e partisë dhe shtetit, kryesisht ata që jetonin në “Bllok”.Në këtë vilë u përshtat edhe një sallë prej 40 vendesh ku bllokmenët shikonin filma së bashku me familjarët e tyre. Këto shfaqje ishin edhe si komisione miratimi për filmat shqiptarë, aty vendosej për vlerat e filmave tanë.

Vila që ndodhet në zemër të Bllokut, vila e diktatorit Enver Hoxha, ka pasur një shtesë që ka shërbyer si sallë për seanca filmi pasi në të ishte instaluar një sistem kinemaje. Në këtë sallë shfaqeshin për familjen Hoxha shumë filma dokumentarë ku Enver Hoxha ishte protagonist.

E famshmja Nacional

Kinema “Nacional” e vitit 1926 është kinemaja e parë moderne e Tiranës, kinemaja e parë me zë (pas përshtatjes për këtë qëllim në vitin 1930) dhe kinemaja e parë me kino-verore (pas përshtatjes në vitin 1930). Ishte me oborr të rrethuar që më pas u kthye në kinema verore “Nacional”. Emri i saj ndryshoi nga Kinema -Teatri “Nacional” në vitet 1926-1939, në Kinema “Rex” në vitet 1939-1943, përsëri Kinema “Nacional” më 1943-1946 dhe Kinema “17 Nëntori” në vitet 1947-1991. Ndodhej në rrugën “Mbretërore” sot “Barrikadat”. U ndërtua nga shoqëria aksionare “Nacional” Beshiri & Koliaka & Hobdari & Vokopola.Më pas vëllezërit Beshiri sigurojnë shumicën e aksioneve duke u bërë pronarë të vetëm.

Nga kjo sallë filloi demonstrata e parë antifashiste e 28 nëntorit 1941. Aty do të zhvilloheshin disa “gjyqe të popullit”, procese gjyqësore nga regjimi komunist pas vitit 1947 (dënimi i deputeteve) dhe së fundi është shndërruar në qendër biznesi dhe banimi.

Diçiturë:

– Viti 1917. Lulishte “Orjent” ku ushtria austriake instaloi përkohësisht një kinema fushore (feldkino) dhe ku u shfaq film për herë të parë në Tiranë

– Reklamë e Kinema Nacional

– Para një seance gjyqi në sheshin e hyrjes së kinema “17 nëntorit”

– Sallë filmi për familjen mbretërore 1930-1939. Ndërtohet në vitin 1931, pjesë e ansamblit të godinës së princeshave që shërbente për sallë ngrënieje dhe sallë filmash e koncertesh për familjen mbretërore dhe të ftuarit e saj.

Kjo sallë shërbeu si kinema për hierarkinë komuniste në vitet 1945-1951. Patifunksionin e sallës filmike edhe për udhëheqësit komunistë që e kishin kthyer pallatin e princeshave në godinë të përkohshme të Komitetit Qendror të Partisë.

– Reklamë e kinema “Gloria”

– Seancë gjyqësore në kinema “Republika”. Në vendin e saj po ndërtohet sot një kompleks kinemash milenium, brenda një qendre moderne bisnesi.

– Kinema “Tomori” 1940-1945

Ndërtuar më 1940 nga ushtria italiane, si pjesë e propagandës fashiste e cila e konsideronte veprimtarinë filmike si një element shumë të fuqishëm. Regjimi fashist krahas veprave madhore në Itali siç ishte ndërtimi qendrës së madhe filmike Cino-Cittandërtoi në Tiranë edhe tre kinema moderne si Tomori, Savoja dhe godinën ku është sot Akademia e Arteve.

Kinema “Tomori”, shërbeu si sallë kinemaje për italianët, kryesisht për ushtrinë, në të ushfaqën fillimisht filma dokumentarë dhe artistikë për ushtrinë italiane por edhe për qytetarët e Tiranës. Pas shtetëzimit në vitin 1946 si kinema e përdorur nga pushtuesit merr emrin Kinema “Brigada” dhe shërbeu si kinema e qytetit gjatë viteve 1947-1970. Në këtë sallë u zhvilluan edhe disa “gjyqe të popullit”, procese gjyqësore nga regjimi komunist pas vitit 1947 veçanërisht gjyqi i gjeneral Teme Sejko.

Burimi: Elsa Demo, Gazeta Shqip

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.