Në mars të vitit 1933 filloi në Tironë Kampionati i volejbollit midis skuadrave të qytetit. Morën pjesë 10 skuadra.

Për herë të parë një kampionat volejbolli për femra u zhvillua në Institutin Femror ”Nana Mbretneshë” në vitin shkollor 1933-1934. Deri në vitin 1936 u zhvilluan tre kampionate volejbolli midis klasave në këtë shkollë.

Në janar të vitit 1934 u zhvillua në Tironë Kampionati Krahinor i volejbollit. N’gjalli mjaft interes ndeshja midis Shkollës Teknike dhe Sport-Klub “Tironës”. Ndeshjen e fitoi shkolla Teknike.

Në skuadrën e shkollës Teknike bënin pjesë: Malupi, Stavileci, Llustra, Kryeziu, Xhara dhe Hatibi. Bie në sy pjesëmarrja në këtë skuadër e yjeve të ardhshëm të futbollit shqiptar Llustra dhe Kryeziu. Në ekipin e S.K.T. bënin pjesë: Peza, Hallulli, Kusi, Dake; Zaharia dhe Janku. Fituesi e Kampionatit Krahinor të vitit 1934 u shpall skuadra e Gjimnazit me 8 pikë. Në skuadrën e Gjimnazit bënin pjesë lojtarët: Pali, Begeja, Lleshi, Petrela, Dyrdiu dhe Hobdari. Në mars të vitit 1934 u zhvillua Kampionati Kombëtar i Volejbollit. Në kampionat morën pjesë ekipet e S. K. “Vlorës”, S. K. ”Tironës”, S. K. ”Kosovës” (Kukësit) S. K. ”Kavajës”, “Bashkimi Elbasanas”, ”Bashkimi Shkodran”, S. K. “Shqiponja”, S. K. ”Muzaka” dhe S. K. ”Skënderbeu”.

Në mars të vitit 1935 u zhvillua në Tironë Kampionati Lokal i Volejbollit me pjesëmarrjen e
Gjimnazit të Tironës, Sport Klub Tironës” dhe lnstitutit Teknik. Fitues u shpall ekipi i Gjimnazit. Në korrik të vitit 1936 Avni Zajmi organizoi disa ndeshje volejbolli në Kukës midis anëtarëve të shoqërive sportive të qytetit dhe nxënësve të shkollave të Tironës.

Në vitin 1937 evidentohen disa aktivitete në sportin e volejbollit. Në prill u zhvilluan dy ndeshje vajtje-ardhje midis Gjimnazit të Tironës dhe shkollës Normale të Elbasanit.

Në shtator të vitit 1937 u zhvilluan në Tironë ndeshjet e volejbollit për kupën “Gardlund”. Fitues u shpall Gjimanzi i Shtetit në Tironë, vendin e dytë e zuni Instituti Teknik. Më 6 prill 1937 u zhvillua kampionati i volejbollit në shkollën Qytetëse të Durrësit. Nga lojtarët u shquan: Naxhi Stringa, Vlash Goga, Ramazan Ngjalla, Fejaz Kalakul, Bahtjar Kokona dhe Petrit Kosova

Shkëputur nga libri: “Sporti Shqiptar 1900-1946” me autor Ilir Dojka

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.