Kalaja e Dajtit
Kalaja e Dajtit

Kalaja e Dajtit gjëndet në njërën prej lartësive që ngrihen në jug të fushës së Dajtit. Lartësia ka formën e një piramide me bazë trekëndëshe dhe me dy maja, gjë që i jep pamjen e një samari. Faqja perëndimore është më pak e pjerrët dhe kalon poshtë në një pjesë të vogël fushe.

Faqet veriperëndimore dhe lindore bien me një pjerrësi të madhe mbi dy përrenj malorë. Muret kanë qenë të detyruar të ndjekin formën e kodrës, pra formojnë një trekëndësh, i cili është forcuar në tre këndet me nga një kullë të rrumbullakët.

Sipërfaqja e rrethuar nga këta mure është në pjesën më të madhe mjaft e pjerrët dhe e mbuluar me shkëmbinj, vetëm në rrëzë të mureve dhe në pjesën midis dy majave, kjo është e përshtatëshme për ndërtim banesash. Trashësia e mureve është e lidhur me cilësitë mbrojtëse të terrenit. Atje ku terreni ëshë shumë i pjerrët atje jepte mundësi mbrojtje dhe një mur jo i trashë, ndërsa në vendet pak të pjerrta nevojitet një mur i trashë. Nga ana perëndimore kjo trashësi është mesatarisht 2.70m, kurse nga ana veriperëndimore dhe lindore është mesatarisht 1.80m.

Për ndërtimin e mureve janë përdorur gurë të një madhësie mesatare që lidhen ndërmjet tyre me anë të një llaçi të bërë prej gëlqereje dhe zhavorri gëlqeror. Për të shtuar cilësinë mbrojtëse të kullave është përdorur kjo mënyrë ndërtimi: muri në ato pjesë lakohet në formë harku mbi të cilin vihet pastaj kulla. Kjo i jep formën e një kulle dyfishe, gjë që forcon mbrojtjen.

Kulla jugore gjëndet mbi më të ultën prej dy majave të kodrës. Muri që zbret nga lart kalon në gjysmën e majës duke formuar një hark, kulla zë anën tjetër të majës. Kështu formohet sistemi i kullës dyfishe. Së bashku me trashësinë e mureve kulla ka një diametër 7.60 m. Që nga brendia e kalasë futesh në kullë nëpërmjet një hyrje të gjërë 1.30 m. Diametri i pjesës bosh të kullës është 4 m, kurse trashësia e murit është 1.80 m. Gurët e kullës dhe të hyrjes janë punuar mirë.

Nga këtu muri me drejtim veriperëndimor zbret në pjesën më pak të sheshtë. Lehtësia e sulmit nga kjo anë ka bërë që muri të ndërtohet më me kujdes dhe me trashësi më të madhe-maksimumi 3.2 0 m. Në një lartësi afro 55 metra nga kulla jugore gjëndet një vend ku ka mundësi të ketë qenë hyrja kryesore, sepse nga të dy anët muri është ruajtur në një lartësi deri më 3 metra, kurse aty bie menjëherë, muri në atë vend formon një kënd dhe nga brenda duken thelemet e një kulle katërkëndëshe 5 x 3 m, me anën më të gjatë nga muri. Hyrja ka gjerësi afërsisht 3.30 m. Gurët e murit të kullës janë të lidhur me llaç dhe kanë trashësi 0.80 m.

Që këndej muri kthen më tepër nga perëndimi dhe njëkohësisht ngjitet me një kënd jo shumë të madh. Nga ana e brendshme e murit shikohen themelet e ndërtesave, që nga një anë shfrytëzojnë për mbështetje murin e kalasë. Njera prej këtyre, në njërën anë mbështetet tek muri kryesor, kurse në anën tjetër te një shkëmb, që vënde-vënde është plotësuar me gurë.

Afro 270 metra larg kullës që ishte vëshguar nga autorët, gjëndet kulla perëndimore. Në krahasim me të parën kjo është më pak e ruajtur dhe e mbuluar me bimësi. Muret e kësaj kulle janë më të trasha sepse përveç funksionit kryesor kjo kullë mbronte një hyrje ndihmëse që gjëndet pothuajse ngjitur me kullën nga ana lindore e saj. Edhe këtu është përdorur teknika e kullës së dyfishtë.

Muri pastaj i ngjitet faqes së pjerrët të kodrës për të dalë në majën më të lartë. Gjatë 190 metrave të këtij muri mund të dallosh qartë themelet e ndërtesave, që nga njëra anë mbështeteshin tek ky mur. Të tilla ndërtesa mund të shohësh edhe në pjesët e sheshta larg murit. Disa prej këtyre shfrytëzojnë për mbështetje shkëmbijtë e mëdhenj. Dallohet mirë njera prej ndërtesa të mbështetura në mur. Ajo ka përmasa 5.90 m x 5.89 m. dhe është ndërtuar prej gurësh të mëdhenj pa lidhje llaçi. Më e madhja prej ndërtesave ka përmasa 6.20 x 6.50 m. Kulla e fundit gjëndet në kuotën 1149 m. Pjerrësia e madhe e relievit në këtë vend ka bërë që muret e kësaj të ndërtohen me një trashësi 0.90 m. Gjithashtu kulla ndjek formën e shkëmbit mbi të cilin ndodhet, duke marrë kështu pamjen e një trapezi me perimetër 18 m.

Muri zbret pastaj drejt kullës jugore, duke ndjekur anën e faqes së kodrës, e cila këtu është mjaft e pjerrët. Duke iu afruar kullës jugore muri bëhet më i trashë dhe kalon në formë harku, duke formuar sistemin dyfish të kullave. Pjesa e brendshme e kalasë në përgjithësi është e papërshtatëshme për ndërtim banesash, prandaj për këtë janë shfrytëzuar pjesë të brendshme të mureve dhe një pjesë e majës më të lartë. Këtu për këtë qëllim janë ndërtuar tri terraca.

Terraca e parë fillon 30 m. larg nga ana jugore dhe 40 m. larg nga ana perëndimore e kullës më të lartë. Kryesisht ajo mbështetet në shkëmbej natyrorë dhe ka një gjatësi afro 40 m, kurse gjerësia është 4 m. Në shumë vende të kësaj terrace shikohen themele ndërtesash. Mbi këtë ngrihet terraca e dytë e cila është e mbuluar me një mori gurësh, që dikur ndoshta formonin murin, që ndante pjesën tjetër të kalasë nga “akropoli”. Në këtë terracë, afër murit veriperëndimor të kalasë, duken themelet e një ndërtese të bërë me gurë të mëdhenj e të palidhur midis tyre. Terraca e tretë dhe e fundit mbështetet mbi një mur prej gurësh të mëdhenj e të palidhur. Mbi këtë terracë nuk shikohen mure.

Në pjesën e brendshme të kalasë dhe në pjesën e sheshtë jashtë saj takohen mjaft fragmente qeramike. Këto janë të bëra prej një balte të pastër, janë pjekur mirë, por nuk janë ngjyrosur. Më shpesh takohen copat e tjegullave që janë tipike romake dhe më rrallë copat e enëve, të cilat japin pak mbi formën e parë të enës. Nga gjetjet e rastit është interesante një vegël hekuri në formë thike e gjatë 18 cm.

Nga qeramika më interesante është një fragment tjegulle me figura të stampuara, që të kujtojnë deri diku motivet e zbukurimeve ilire. Ky fragment i përket më tepër një sende zbukurimi se sa një ene të përdorimit të përditshëm, pasi nga brenda sipërfaqja është lënë pa u lëmuar.

Qëllimi i ndërtimit të kalasë është si duket mbrojtja e dy qafave që gjënden në të dy anët e malit të Dajtit. Por nuk ka qenë ky i vetmi qëllim i ndërtimit të kalasë. Kjo vërtetohet nga numri i madh i banesave që gjënden në të, nga qeramika lokale që takohet kudo dhe nga shumë copa zgjyre (pjesa që mbetet pas shkrirjes së një metali), që gjetën aty. Kjo tregon se aty prodhohej qeramikë dhe shkrihesh metal. Disa monedha të gjetura në kala mund të në ndihmojnë për datimin e saj.

Këto monedha i përkasin Tiber Kostandinit II (582-602). Nga disa fragmente faqesh enësh me kanelyra dhe nga një vegjë e profiluar kuptojmë se kalaja i përket kohës së vonë romake. Në mure dallohen dy duar ndërtimi: njera me gurë të mëdhenj katërkëndësh të palidhur midis tyre, që i përkasin ndoshta një kalaje ilire më të parë; dhe tjetra me gurë të vegjël të palatuar dhe të lidhur me llaç që i përket kohës së vonë romake.

Në kronikën e tij Prokopi i Qezaresë shkruan se perandori bizantin Justiniani (527-566) ndërtoi në Epirin e Ri 32 kala dhe rindërtoi 26 të tjera me qëllim që të mbronte Epirin e Ri nga sulmet e sllavëve. Në qoftëse kalaja jonë është njera prej këtyre, ajo i përket pra gjysmës së shekullit të VI.

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.