Kadri Nuriu
Kadri Nuriu

I lindur në Tiranë më 5 dhjetor 1954, Kadriu merrej me alpinizmin që në moshë të vogël. Më vonë prirjet e tij shfaqen në sportin burrëror të mundjes, në të cilin, falë punës këmbëngulëse të tij u bë mjaft i njohur. Për moshën e të rinjve përfaqësoi KS “Studenti”, ndërsa me të rriturit, ku është edhe angazhimi i vërtetë sportiv, përfaqësoi me dinjitet KS “17 Nëntori” (sot KS shumësportesh “Tirana”).

Karriera e tij sportive në mundjen klasike, e shtrirë gjatë periudhës njëzetvjeçare (1976-1985), karakterizohet nga niveli i lartë i këtij sportisti, nga teknika në kapje dhe në mbrojtje dhe nga forca e tij. Falë këtyre aftësive, formës konstante dhe stërvitjeve të pandërprera shumëvjeçare, ajo është e mbushur me mjaft trofe, dhe jo vetëm për nga numri. Kadriu, në ndjekje të gjurmëve të boksierit të madh tiranas T. Janku, përsërit faktin e rallë se dymbëdhjetë titujt kampion i vendit janë edhe po aq vjet radhazi.

Duke dominuar në këtë periudhë të angazhimit të tij në sport, ai bëhet gjithashtu fitues i dy medaljeve të arta në spartakiadat kombëtare (1979 e 1984), për çka nderohet edhe me një kupë të veçantë. Kadriu është evidentuar në ”Librin e Artë” të KS “Tirana” në listën e tre mundësave më të mirë klasikë. Disa herë është fitues i anketës së përvitëshme “10 sportistët më të mirë të vendit”, organizuar nga gazeta “Sporti Popullor”.

Pas vitit 1991, në vazhdim të profesionit të tij të shoferit, Kadriu është angazhuar në aktivitete të bisnesit tregtar. Por, ai, rrethi dhe familja e tij asnjëherë nuk e kanë kuptuar jetën e tyre të palidhur me botën e sportit, edhe pse jo në karrierën e sportistit. Dhe për këtë, përsëri ka gjetur mënyrat për të mos i ndërprerë ato lidhje. Bashkë me djemtë e tij drejton Qendrën e Fitnesit “ARENA”, tashmë të njohur në Tiranë. Por, ky njeri i nderuar mbetet njëherësh edhe nga sponsorizuesit sportivë. Vëllezërit e tij Lutfiu dhe Avniu kanë kontribuar dukshëm për ekipin e futbollit KF “Tirana”. Për këto mbështetje materiale dhe shpirtërore, të gjithë vëllezërit Nuri kanë fituar simpatinë e të gjithë dashamirësve sportivë dhe tashmë janë të njohur e të respektuar nga i gjithë komuniteti tiranas.

Për motivet e mësipërme mban titujt: “Nderi i Sportit Shqiptar”, Nderi i Federatës së Mundjes” dhe “Mirënjohja e Qytetit të Tiranës”, sikurse edhe është dekoruar me ”Medaljen e Punës”.

Burimi: Shoqata Tirana
Përgatiti për faqen Tirona: Olsi Ferazini

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.