Prof. Dr. Kadri Kërçiku
Prof. Dr. Kadri Kërçiku

Kadri Kërçiku, që edhe sot njihet si një nga emrat më të shquar të mjekësisë shqiptare, ka lindur në Tironë më 14 janar të vitit 1906 në një familje të njohur e të nderuar. Rezultatet e shkëlqyera të Kadriut në shkollën fillore e qytetëse dhe natyra arsimdashëse e tironasve ishin arsyet që, prindët e tij, Sulejmani dhe Hajrija, pasi kishin konstatuar prirjet intelektuale të tij, investuan për djalin e tyre dhe e dërguan në Austri që në vitin 1922.

I ati i Kadriut, pas mësimeve të para në Tironë, kishte mbaruar një shkollë të mesme ushtarake në Stamboll. Si punoi disa kohë në organe të ndryshme, në vitin 1914 emërohet nënprefekt i Tironës (në atë kohë kjo krahinë varej nga Prefektura e Durrësit). Më pas, prej vitit 1920, ai u tërhoq në jetën e tij private.

Rezultatet shumë të mira që Kadriu arriti në Gjimnazin real të Freystadit, pranë Linzit të Austrisë, kur përfundoi me sukses arsimin e mesëm, i vazhdoi më tutje. Prej vitit 1926 dhe deri më 1933 ndoqi studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Gratzit, ku diplomohet “mjek”, prej nga, deri në vitin 1933, ai u specializua në Universitetin e Vjenës për dermatologji e venerologji.

Në Atdhe, u kthye menjëherë dhe pasi nuk kishte pranuar ofertat e profesorit të tij për t’u punësuar në Klinikën Universitare të Vjenës. Me një përgatitje të nivelit evropian për profilin e tij, emërohet mjek dermatolog dhe venerolog në ambulancat e Tironës, Durrësit dhe Krujës, nga ku, më 1935, kalon në repartin e dermatologjisë të Spitalit Civil të Tironës. Në detyrën fisnike të mjekut, dhe aq më tepër të specialitetit të tij, gjithnjë është karakterizuar nga humanizmi dhe kërkimi shkencor.

Ai është mjeku i parë shqiptar që u angazhua në hulumtimet mbi përhapjen e sifilizit, gonorresë e lebrës dhe në luftën kundër tyre. Gjatë viteve 1935-1946, punoi me përkushtim për zbulimin e vatrave të infeksionit jo vetëm në Tironë, por edhe në të gjithë Shqipërinë. Megjithatë, diktatura e arrestoi atë në Vitin 1947, si pjesë të grupit të intelektualëve. Vetëm pas dy vjetësh, ai u lirua krejt i pafajshëm.

Menjëherë, Kadriu rifilloi kërkimin shkencor. Plot pasion, lodhje dhe mundime dhe pa përfillur dyshimet që ende rëndonin mbi të, ai ndërmori një punë kolosale e vetëmohuese, duke shkuar në të gjitha anët e Shqipërisë. Kërkesat e mjekësisë bashkëkohore për ato sëmundje, ai i shoqëroi edhe me të gjitha skedimet dhe kartelat e nevojshme.

Eshtë e njohur puna e tij këmbëngulëse për luftimin e sëmundjes së lebrës, madje në dy drejtime: së pari, ai duhet të bindte organet shtetërore për hapjen e një  spitali të posaçëm, çka u arrit në Shtepaj të Elbasanit dhe së dyti, duhet të bindte, një-herësh edhe familjarët e të prekurve mbi nevojën e evidentimit të kësaj sëmundje e të nënshtrimit ndaj mjekimeve të posaçme dhe në kushtet e izolimit të plotë. Po kështu, ai ka studiuar sëmundjet e gonorresë dhe të leishmanisë kutane dhe ka organizuar luftën kundër tyre.

Me sensin e tij prej kërkuesi, ai asnjëherë nuk iu nda botimeve. Në revistën “Djalëria” njihet artikulli “Sëmundjet gjenitale, rreziqet dhe luftimi i tyre” (1927), të cilin e kishte shkruar që kur ishte student. Më tutje, në revistën “llyria”, me temën “Randësia shoqnore dhe luftimi i sëmundjeve gjinore”, ai shkruan një seri prej pesë artikujsh (1935-1936), megjithëse në atë kohë ishte mjek i ri dhe në formim.

Duke qenë ndër pedagogët e parë të Institutit të Lartë të Mjekësisë, që u hap në vitin 1951 (paraardhës i fakultetit të mjekësisë, pjesë e Universitetit të Tironës), ai zhvillon lëndën e dermatologjisë, çka kujtohet me shumë konsideratë nga studentët e kohës. Angazhimin shkencor, e ndoqi gjatë gjithë karrierës së tij, madje edhe me më shumë arritje. Në vitet 50-60 të shekullit XX, në BShN, ka botuar artikujt shkencorë “Historia e sifilizit”, Nr. 2/1954; ”Përhapja e sifilizit në Tironë”, Nr. 1/1955 dhe Nr. 4/1965; “Përhapja dhe luftimi i sifilizit në qytetin dhe qarkun e Durrësit”, Nr. 1-2/1957; “Dermatomukozat në Shqipëri”, Nr. 3/1955 (me bashkautor) etj..

Në planin akademik, si pjesë e rëndësishme e kontributit të tij për mjekësinë shqiptare, është libri “Dermatologjia”. Kjo vepër bashkëkohore e me shumë vlera, edhe pse u botua pas vdekjes, shënon kontribute të çmuara dhe pranohet si një thesar i madh që Dr. Kërçiku la për mjekët më të rinj.

Krahas detyrës së shefit të klinikës universitare të dermatologjisë, që ju ngarkua prej krijimit të saj, ai ishte njëherësh edhe këshilltar në Ministrinë e Shëndetësisë, për problemet e sifilizit dhe të sëmundjeve të tjera veneriane e mykotike. Falë kulturës së gjerë të tij dhe pasionit për të hartuar historinë e mjekësisë shqiptare, Kadriu u mor edhe me probleme demografike, të cilat, sidomos për fushën e dermatologjisë, i kombinoi dhe i kanalizoi me metodat e avancuara të mjekësisë popullore. Nga të gjitha viset tona të Shqipërisë, prej burrave dhe grave të njohur si mjekë popullorë, ai grumbulloi një numër recetash dhe formulash, me qëllim që një ditë t’i ndriçonte ato në një traktat të posaçëm.

Ai ka edhe një meritë të veçantë megjithëse jashtë formimit të tij profesional e shkencor. Me artikullin “Kontribut në historinë e Shkollës Shqiptare” (Gazeta “Mësuesi”, 10-17 korrik 1964, fq 3), Kadriu ka dhënë ndihmesë të madhe edhe në lëmin e historisë e të pedagogjisë shqiptare.

Përfundimet që arriti ai janë rezultat i punës së tij në vrojtimin e dosjeve ”Missionen Tirana” të Arkivave të Vjenës që përmbajnë raportet e konsujve austro-hungarezë në Durrës e Tironë gjatë viteve 1871-1911 dhe 1911-1918. Nga këto hulumtime të tij, ne mësojmë një fakt mjaft të rëndësishëm, shkolla e parë shqipe është hapur në Tironë që më 1886 (një vit para asaj të Korçës).

Si pjesë të punës së tij kërkimore, ky intelektual i njohur e me njohuri të thella derdhi jo pak energji për një kryevepër të historisë së mjekësisë shqiptare. Punimi i tij, i titulluar “Zhvillimi i shëndetësisë në Shkodër, gjatë shekujve XVIII-XX”, Tiranë, 1962, dhe me të cilin ka mbrojtur disertacionin, është një kontribut mjaft i rëndësishëm që ai i ka lënë pasardhësve. Për kualitetet e larta të tij, kishte titullin shkencor “Profesor” dhe gradën shkencore Doktor”.

Kadriu ishte anëtar i Shoqatës Ndërkombëtare të Dermatologjisë”.

Ndonëse i sëmurë nga zemra, ai vazhdoi të punojë, të luftojë dhe të kontribuojë deri në fund të jetës së tij për eliminimin e atyre sëmundjeve aq të rënda e të rrezikshme, veçanërisht asaj të sifilizit dhe të lebrës. Më 29 te- tor 1972, ai vdiq nga infarkti i miokardit.

Prof. Dr. Kadri Kërçiku për brezat që pasojnë mbetet shembulli i një mjeku të papërtuar, i një shkencëtari të palodhur, i një pedagogu energjik dhe i një patrioti demokrat. Si qytetar, ai ishte po aq i vlerësuar; gjithnjë i gatshëm dhe në shërbim të pacientëve të vet.

Me këtë frymë, ai edukoi edhe fëmijët e tij. E bija, Eva, pasi kreu studimet e larta, bëhet një arsimtare model e shkollave të mesme të Tironës, kur sot është edhe nënkryetare e Shoqatës tonë “Tirona”; i biri, Ariani, ndoqi rrugën e të jatit, bëhet mjek, por nuk jetojë gjatë; ndërsa Arbeni, një inxhinier shumë i mirë.

Më 21-4-2000, me vendim të këshillit bashkiak të Tironës, Kadriut iu dha titulli ”Mirënjohje e qytetit të Tironës”, me motivacionin “Për vlerat e larta qytetare dhe intelektuale, të vëna në shërbim të qytetit të Tironës dhe për të cilat, qytetarët e saj i shprehin mirënjohje”.

Po në nderim të këtij personaliteti të shquar e të mirënjohur të mjekësisë shqiptare, klinika universitare e dermatologjisë në Qendrën Spitalore Universitare ”Nënë Tereza”, me shumë të drejtë, ka emrin e birit të Tironës, ”Prof. Dr. Kadri Kërçiku”.