Jusuf BEGEJA
Jusuf BEGEJA

Në Tironë, qytetin ku harmonishëm gërshetohen tradita me të renë, aty ku lindën dhe u rritën burra të mençur, atdhetarë e intelektualë, prej të cilëve mjaft janë përmendur edhe në këtë libër, aty ku u rrit një rini e përpjekjeve të mëdha, nga një derë e vjetër fisnike vendase e me tradita, në vitin 1908 lindi Jusuf Begeja, që u edukua po me këtë mjedis. Ishte më i madhi i gjashtë vëllezërve dhe i pari ndër tre prej tyre që shkuan për studime të larta para vitit 1944.

I ati i tij, Ali Begeja, megjithëse i padiplomuar në drejtësi, falë kulturës së tij, kishte zyrtarisht të drejtën e juristit. Gjatë viteve 1911 deri më 1914, kreu detyrën e gjykatësit paqtues në Tironë. Në përputhje me një ligj të vitit 1931, që parashtronte plotësimin e disa kushteve të nevojshme, hapi edhe zyrën e tij avokatore. Me emrin e tij, e drejta e ushtrimit të aktivitetit vërtetohet në të gjitha listat periodike të regjistrimit të avokatëve.

Ky personalitet dhe patriot i njohur, më 1908 kishte qenë anëtar i një komisioni të drejtuar nga Refik Toptani e që pat për detyrë hartimin e programit për përhapjen e gjuhës shqipe. Më vonë, më 1919, ishte edhe anëtar dhe sekretar i Shoqatës “Drita” të formuar nga një grup intelektualësh të kryesuar nga Osman Myderizi dhe që synonte për një sistem demokratik dhe qytetërim evropian.

Në emër të kësaj shoqate, Aliu ishte delegat në Kongresin e Lushnjes, që u mbajt më 21 janar 1920. Në vazhdim, ka qenë zgjedhur kryetar i Bashkisë së Tironës (1922-1923) dhe më pas ishte i pari kryetar i Dhomës së Tregëtisë (1923). Ai ka karrierë edhe si ligjëvënës: deputet në Kuvendin Kushtetues, prej 27 dhjetorit të vitit 1923 e në Legjislaturën e tretë të Parlamentit (1937-1939), si dhe asambleist në Asamblenë Kushtetuese (1939-1940). Për aktivitetet e tij, më 1914, nga Princ Vidi, atij i është dhënë medalja “Besë e Bashkim”, që edhe sot ruhet nga familja e vet.

Pas mbarimit të luftës, më 1944, Aliu vazhdoi profesionin e avokatit deri më 1947, kur u arrestua nga regjimi komunist. Në birucat e hetuesisë pësoi torturat më çnjerëzore, si rrjedhojë e të cilave gjeti vdekjen. Më 1995, nga Presidenti i Republikës, Sali Berisha, i është dhënë medalja ”Për veprimtari patriotike”, me motivacionin “Ka kontribuar për çeljen e shkollave shqipe dhe përhapjen e ideve përparimtare. Pjesëmarrës aktiv në luftën për çlirimin kombëtar e pavarësinë e Vendit”.

Duke u rikthyer edhe një herë te i biri i tij, Jusufi, arsimin e mesëm që ai nisi në Liceun e Korçës dhe ku mësoi gjatë viteve 1926-1928, e përfundoi në Kolegjin Ushtarak të Romës në vitin 1932. Kjo zhvendosje për në Itali,  e përballuar me shpenzimet e familjes së vet, plotësoi dëshirën dhe pasionin e Halimit ndaj karrierës ushtarake.

Më tutje, ai nisi studimet e larta dhe po në Itali, në Akademinë Ushtarake të Modenas, të cilat i kreu gjatë periudhës 1932-1936. Për rezultatet e arritura nga ai, mbreti i Italisë Viktor Emanueli III i ka dhënë atij, në vitin 1938 dekoratën ”Kavalier i Urdhërit të Kurorës së Italisë”, dokumenti i të cilit ndodhet në Arkivin e Ministrisë së Jashtme, ndërsa kopja në vetë familjen Begeja.

Mmjëherë pas mbarimit të studimeve ai erdhi në Shqipëri. Me gradën e nëntogerit, atë e emërojnë në Batalionin e parë të Gardës Kombëtare, detyrë me të cilën nuk vazhdoi gjatë. Pas prillit 1939, largohet nga vendi i tij, për t’u vendosur përfundimisht në Francë. Jusufit ju dha mundësia për të riparë Shqipërinë vetëm pas largimit të diktaturës (1991), kur kishin kaluar 52 vjet mërgim.

I bindur në pikëpamjet antifashiste, gjatë Luftës së Dytë Botërore, ka marrë pjesë në Ushtrinë “France Libre” të gjeneralit De Gaulle, ku arriti deri në gradën e kolonelit dhe u dekorua me urdhërin më të lartë francez, atë “Legion d’Honneur”. Si nacionalist, aktivitetin patriotik e vazhdoi pandërprerë dhe gjatë gjithë jetës.

Ishte organizator dhe pjesëmarrës në të gjitha demonstratat e organizuara nga shqiptarët në mërgim, për demaskimin e regjimit komunist në Shqipëri dhe për çështjen e Kosovës. Po ashtu, ai njihet edhe si një nga bashkëpunëtorët kryesorë të komisionit të angazhuar për nderimin e Skënderbeut dhe ngritjen e bustit të kësaj figure të shquar në njërin nga sheshet e Parisit, që do të kishte edhe po këtë emër.

Dashurinë e tij për vendin e vet, njërit nga autorët e këtij libri ka pasur kënaqësinë t’a konstatojë në vitin 1972, periudhë që i përket atyre kohëve të mbrapshta politike. Ajo lexohej dukshëm në fytyrën dhe në sjelljen e tij, kur fare rastësisht ata u panë në Hotel “Kalifornia” të Parisit ku Jusufi punonte dhe kur të dy palët u kuptuan se janë shqiptarë. Por, kjo ngjarje e shkurtër ishte e pamundur të tregohej atëherë.

Nga martesa e Jusufit me Jeaninën (me kombësi franceze) lindën dy vajza, Liria dhe Viktoria, dy emra domethënës për të dy gjuhët dhe që morën nga formimi i vetë prindërve. Liria iu përkushtua kinematografisë në detyrën e regjisores. Duke patur në vëmendje edhe Shqipërinë, sipas romanit “Prilli i thyer” të Kadaresë, ajo ka realizuar filmin “Larg nga barbarët”, me temë nga lufta për fitoren e demokracisë. Ajo është autore edhe e mjaft filmave dokumentarë. Viktoria punon si agjente publicitare.

Si njeri familjar, i dashur dhe i sakrificës, Jusufi mbahet mend edhe për një akt të veçantë. Në vitin 1973, ai shkoi në ShBA për t’i dhuruar njërën veshkë vëllait të tij, Halimit, po ashtu pjesë e këtij libri dhe që jetonte e punonte atje. Falë kësaj ndërhyje kirurgjikale, ai mundi të jetojë edhe katër vjet të tjera, kur vetë Jusufi vdiq në Paris, madje shumë më vonë, pas 8 vjetësh, më 5 mars të vitit 1992.

Burimi: Shoqata Tirana

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.