U lind më 1864 në Tiranë. Pas mbarimit të shkollës Plotore në Tiranë, shkoi në Turqi, ku
dhe u diplomua në degën e Financës në Stamboll në vitin 1887. Më pas u kthye në Tiranë pranë familjes së tij. Për shkak të nëpunësisë së tij u njoh me mbiemrin “Banka”.

Me cilësinë e sekretarit u bashkua me Abdi e Refik Toptanin, Shefik Kondin dhe Hafiz
Ibrahim Dalliun, të cilët formuan Klubin “Bashkimi”. U kërkua të arrestohet nga autoritetet
osmane, por mundi që të shpëtonte. Një nga firmëtarët e telegramit të pavarësisë, më 26 nëntor të vitit 1912. Arrestohet dhe burgoset dy herë nga rebelët e Haxhi Qamilit. Pas vrasjes së ministrit Nexhati Libohovës, më 27 maj 1915 emërohet ministër i Financave.

Pas rënies së qeverisë në janar 1916, u largua së bashku me Esat Toptanin në Selanik, për t’u kthyer në Shqipëri në vitin 1918, duke shërbyer më pas nga 12 janari 1919 nënprefekt i Kavajës (AQSH, F.152, V.1918, D.2, fleta 1 – 7).

Jusuf Banka ishte nënprefekt i Tiranës më 28 dhjetor 1920 – 26 prill 1921. Deputet i Durrësit në zgjedhjet e 5 prillit 1921, dhe përfaqësues i Partisë Përparimtare. U zgjodh kujdestar i Kryesisë së Këshillit Kombëtar në periudhën 9 maj 1921 – 3 mars 1923. Më 1921 caktohet i plotfuqishëm i qeverisë për shtypjen e kryengritjes së Mirditës. Më 12 dhjetor 1921 ishte propozuar nga Rexhep Mitrovica të bëhej kryeministër, por nuk u pranua nga Këshilli i Naltë që të dekretohej (AQSH, F .422, D.17, fleta 79 – 121). Më 22 dhjetor 1922 propozohet si njëri nga deputetët që do t’i bënin të ditur Aqif pashë Biçakçiut, vendimin e Këshillit Kombëtar. Pas kryengritjes së qershorit 1924, ishte një prej drejtuesve të Partisë Demokrate Nacionale në tetor 1924 (“Koha”, 25 tetor 1924).

Vdiq më 1 shtator 1944 në Tiranë.

Publikohet per her t`par ne faqen Tirona

Burimi: Tirana, Prefektët dhe Nënprefektët e saj 1912-2017 me autor Gazmend A. Bakiu & Kastriot Dervishi
Të interesuarit për librin mund ta blejnë edhe nëpërmjet faqes Tirona, na shkruani në kontakt@tirona.info ose na dërgoni mesazh në facebook.

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.