Jonuz Tafaj
Jonuz Tafaj

Pas arrestimit të Jonuz Tafajt, katër vajzat e tij, Afërdita, Vjollca, Lili, Fatmira, dhe nëna e tyre, Habibe Tafaj, mbetën si mos më keq, pasi komunistët ua morën shtëpinë dhe atyre iu lanë vetëm një dhomë e një barake në oborrin e vilës së tyre. Jonuzi u lirua nga burgu në vitin 1950-të dhe që nga ajo kohë ai nuk mundi që të punonte dot më, pasi ishte i lodhur dhe i drobitur nga torturat dhe sëmundjet që mori gjatë periudhës së vuajtjes së dënimit.

Vjollca Tafaj e kujton me lot në sy atë periudhë për të cilën shprehet: “Pas dënimit të babait, ne mbetëm si mos më keq dhe për të siguruar bukën e gojës detyroheshim të shisnim ato pak plaçka që na kishin mbetur në shtëpi. Duke qenë se babai njihte shumë mirë gjashtë gjuhë të huaja, me ndihmën e Aleks Budës, ai punoi si bashkëpunëtor i jashtëm në Institutin e Historisë dhe Kulturës Popullore, ku paguhej me fare pak me disa honorare që ia jepnin për hatërin e Prof. Budës.

Ne na quanin familje reaksionare dhe nga të katër motrat, vetëm unë munda që të mbaroja shkollën e lartë me ndihmën e Ministrit të Arsimit, Shemsi Totozanit, i cili nuk deshi të dinte fare për biografinë tonë. Unë munda të punoja mësuese muzike në Lice, ndërsa motra tjetër, Lili, që ishte e talentuar në piano, pati gjithë ato konsekuenca duke e hequr disa herë nga koncertet.

Vetëm në vitin 1988, kur shihej se diçka po ndryshonte, asaj ia dhanë titullin Artiste e Merituar”, kujton Vjollca Tafaj vitet e persekutimit të babait dhe familjes së saj, ku ajo me tre motrat e saj. Lilin, Afërditën dhe më të voglën, Fatmirën, që nuk jeton më, nuk patën mundësinë që të krijonin dot familjet e tyre, për faktin e vetëm se ishin të bijat e Jonuz Tafajt, intelektualit të diplomuar në Perëndim, që regjimi komunist e shpalli armik duke e burgosur dhe persekutuar deri në vitin 1970-të, kur ai ndërroi jetë.

Publikohet per her t`par ne faqen TIRONA

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.