Inxhinier Ferid STERMASI
Inxhinier Ferid STERMASI

Ferid Stërmasi mbetet nga inxhinierët më të talentuar të Shqipërisë. Ka lindur në Tironë në shkurt të vitit 1927, ku u rrit dhe u edukua në një familje të njohur dhe me tradita të kësaj treve.

Studimet e larta për diplomën ”inxhinier ndërtimi” i kreu më 1958, në fakultetin e inxhinierisë të Universitetit Shtetëror të Tironës.

E gjithë karriera e tij profesionale i është kushtuar fushës së projektimeve. I prirur nga motoja e tij se “shkenca jep zgjidhje, por ato duhet të dish dhe të duash t’i kërkosh”, ai arriti nivelet e një konstruktori të shquar, mjaft prodhimtar dhe, njëherazi, po aq cilësor.

Në bilancin projektues, i angazhuar gjithnjë në institutet tona më të mira studimore e projektuese, kontributi i tij mjaft i madh numëron mbi 100 vepra sociale e industriale,ndër të cilat mund të përmenden kombinati i tekstileve në Tironë, Pallati i
Madh i Kulturës, Muzeu Historik Kombëtar, Muzeu ”Gjergj Kastrioti” në Krujë, uzina e superfosfatit në Laç, uzina e nikel-kobaltit në Elbasan etj.

Falë nivelit të lartë tekniko-shkencor të tij, ai shquhej edhe në zgjidhjen e shpejtë të situatave të ndryshme, dhe, për këtë, kolegët e tij e thirnin zjarrfikësi”. Ai është laureuar dy herë me çmimin e Republikës, së pari, më 1970 për projektimin e Pallatit të Kulturës dhe, së dyti, më 1984 (pas vdekjes) për ndërtesën më të lartë, hotel “Tirona”. Po pas Vdekjes, në maj të vitit 1983, u dekorua edhe me Urdhërin ”Flamuri i kuq i punës” i klasit I.

Si studiues dhe shkencëtar, Ferit Stërmasi ka dhënë kontribut të veçantë edhe në fushën e botimeve. Janë të njohura librat dhe manualet teknike për metodat e llogaritjes së shumë strukturave betonarmeje me shkallë të lartë vështirësie, të cilat edhe sot ruajnë vlera të mirëfillta shkencore dhe projektuese.

Ai ka kontribut edhe në fushën e arsimit, duke luajtur rol të rëndësishëm edhe në formimin e inxhinierëve të rinj. Eshtë aktivizuar për shumë Vite si pedagog i jashtëm në katedrën e konstruksioneve të ndërtimit të fakultetit të inxhinierisë. Ka udhëhequr projekt-diploma dhe ka marrë pjesë në komisionet shtetërore për mbrojtjen e tyre.

Ka qenë anëtar në mjaft forume shkencore dhe këshilla teknike. Për vlerat e mësipërme emri i Ferid Stërmasit është vendosur edhe në Fjalorin Enciklopedik të Shqipërisë, Sëmundja e rëndë e ndau nga jeta fare të ri më 1983 dhe në kulmin e pjekurisë profesionale. Por, gjithsesi, kanë mbetur veprat dhe bujaria e tij.

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.