Intelektuali Reshat KELLICI
Intelektuali Reshat KELLICI

Reshat Këlliçi, që, ndaj protagonistëve të tjerë të këtij libri, ka një pikënisje krejt të veçantë të arsimimit të tij të lartë, lindi në Tironë, më 1901.

Që në moshë parashkollore, familjarisht, shkon në Turqi, ku i ati, Mas’har Këlliçi, ishte nënpunës në administratën turke. Me dy motrat e veta mbaroi në Stamboll arsimin e ulët. Më vonë, krejt familja e tij, së cilës i ishin shtuar edhe tre fëmijë të tjerë, kthehet në Tironë në vitin 1915.

Arsimin e mesëm e kreu në Gjimnazin e njohur italo-arbëresh te’ San Demetrio Corona të Italisë, ku kishte edhe nxënës të tjerë nga Shqipëria. Miqësia e atjeshme e Reshatit me Avni Rustemin, Sejfulla Maleshovën, Zoi Xoxen e të tjerë, ndikoi në forcimin e ideve të tij bolshevike.

Lidhja e tyre shkoi më tej, kur ata u kthyen në Atdhe, e sidomos me Shoqatën e njohur “Bashkimi”, të krijuar nga Fan Noli, në krye të organit të së cilës, që kishte të njëjtin emër u vu Reshati. Më vonë, si pjesëmarrës në Revolucionin e Qershorit të 1924-ës, ai dha kontribut të ndjeshëm përmes shkrimeve të tij të karakterit politik, atdhetar e kulturor.

Me kthimin e Zogut, për Reshatin mbeti vetëm një rrugë, mërgimi. Sipas porosisë së Nolit, më 1925, së bashku me të tjerë, u vendos në Moskë, ku qëndroi tetë vjet, periudhë gjatë së cilës kreu studimet në Shkollën e Lartë Politike-Ushtarake.

Në BS, ai pësoi zhgënjimin e parë, kur përjetoi zinë e bukës, mjerimin dhe skamjen e popullit, si dhe përndjekjen e zhdukjen e intelektualëve e të ushtarakëve të njohur. Pa u larguar nga bindjet e tij, ai përfitoi prej një amnistie të shpallur nga mbreti Zog dhe më 1933 kthehet në Atdhe.

Në Tironë, bashkë me shkrimtarin e njohur Petro Marko, nisi botimin e revistës “ABC”, e cila, për shkak të qëndrimit të saj kritik, u ndalua shpejt, pas tre numrave të parë. Gjithnjë i survejuar, ai lëvizi nga një punë në tjetrën dhe nga një qytet në tjetrin, duke simpatizuar më vonë edhe luftën nacionalçlirimtare. Kur në Shqipëri u vendos diktatura komuniste, gjithnjë e më shumë te ai evidentohej zhgënjimi i dytë, madje edhe më i madh.

Si në BS, edhe në Shqipëri, ai pa po ato forma të përndjekjes: vrasjet, burgimet e intemimet dhe po ato qëndrime ndaj shtresave të caktuara shoqërore. Ai u trondit sidomos nga denigrimi dhe internimi që ju bë mikut të tij Sejfulla Malëshovës, të cilit nuk iu nda për 50 vjet, deri në fund të jetës, në nëntor 1966.

Më vonë, ai punoi si përkthyes dhe redaktor në ShB ”Naim Frashëri”. Të gjitha kujtimet e tij, faktet dhe ngjarjet historike, të përjetuara deri në fillimin e luftës, me një linjë mjaft mbresëlënëse, ai i përmblodhi në librin ”Me djemtë e Bashkimit”, i cili, u hoq nga qarkullimi në vitin 1974.

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.