Hasan MENIKU
Hasan MENIKU

Hasan Mëniku, i lindur më 5-8-1907 në një familje të njohur e autoktone tironase, është nga ata intelektualë të hershëm që nuk qendruan larg politikës. Ai dhe kushëriri bashkëmoshatar Halil Mëniku, për arsimimin e të cilëve është folë në vëllimin e tretë, pas mbarimit të arsimit fillor e plotor, të kryer në Tironë gjatë periudhës 1915-1923, nisin formimin e tyre jashtë Shqipërisë.

Në Insbruk të Austrisë, megjithëse të dy në të njëjtin gjimnaz, marrin drejtime të ndryshme: Hasani, në atë klasik, kurse Halili në atë real. Më tutje, Hasani futet në Universitetin e po atij qyteti, ku ndjek studimet e larta për farmaci dhe të cilat i mbaroi më 1933; ndërsa Halili shkoi në Francë.

I pajisur me veti të larta morale e shoqërore, patriotike e demokratike, Hasani kthehet në Shqipëri më 1943 pasi kishte punuar disa vjet te një profesor farmacist në Austrinë e poshtme. Me formim të lartë profesional, ky intelektual i kompletuar, u punësua në Tironë, në farmacinë e madhe e të mirënjohur të vëllezërve Shundi, ku qendroi deri në vitin 1946.

Në bindjet politikoshoqërore, sikundër edhe kushëriri i tij, ai shquhesh si nacionalist i vendosur dhe si kundërshtar i fashizmit në ideologji e në aktet e tij pushtuese, për çka ishte shprehur që para luftës së dytë botërore, në vitin 1936. Por, njëherësh, Hasani kishte edhe mendimet e patundura të një antikomunisti. Me këtë formim, në zgjedhjet e tetorit të vitit 1943, ai u bë pjesë e grupit prej 10 deputetësh të Tironës në Asamblenë Kombëtare të Shqipërisë.

Duke shkruar për protagonistët e këtij libri, deputetë të kësaj Asambleje si dhe të legjislaturave të tjera para saj, nuk kemi pasë për detyrë të analizojmë shkaqet dhe rrethanat historike e politike mbi shkallën e pranisë së përfaqësuesve të trojeve shqiptare jashtë kufinjve shtetërorë të 1913-s. Megjithatë, Asamblea Kombëtare e Shqipërisë apo Kuvendi Kombëtar që u quajt pas datës 10-11-1943, kishte specifikë të veçantë dhe krejt të dukshme, frymën “kombëtare” e pra jo vetëm atë “shtetërore”. Kjo Asamble që ishte organizuar dukshëm mbi këtë këndvështrim, kishte pra autoritetin e vet edhe në territoret shqiptare jashtë kufinjve zyrtarë.

Eshtë thënë se, në këtë institucion të lartë legjislativ, krahas deputetëve të prefektuarave të Beratit, Dibrës së vogël, Durrësi Elbasanit, Gjirokastrës, Korçës, Kukësit, Shkodrës, Tironës dhe Vlorës  75 të tjerë ishin përfaqësues të Kosovës nga prefekturat e Mitrovicës,Pejës, Prishtinës e të Prizrenit; ndërsa 30 të Dibrës së madhe.

Mendojmë se, për realitete të tilla, megjithëse mjaft të rralla, por me interes kombëtar dhe me mjaft vlerë, është në dobi të historisë tonë dhe të formimit të çdo shqiptari që domosdoshmërish ata të propagandohen dhe aq më tepër tani, kur ekziston edhe një shtet i ri shqiptar, ai i Kosovës. Por, nuk ndodh gjithnjë kështu, madje fatkeqësisht ndonjëherë, këta fakte kundërshtohen. Ja një rast. Në vitin 1942, Kampionati X-të i futbollit u zhvillua bashkë me ekipe të Kosovës, çka do të thotë që, ai ishte shumë më tepër ”kombëtar” se paraardhësit e vet, madje edhe se pasardhësit, megjithëse të dy mbartin po këtë përcaktim.

Ky aktivitet mbarëkombëtar u organizua i ndarë në tre zona: e veriut, me Shkodrën, Prishtinën, Pejën dhe Prizrenin; e mesme, me Tironën, Durrësin dhe Elbasanin dhe e jugut, me Korçën, Beratin dhe Gjirokastrën. Ndeshjet në grupe, nxorrën në gjysëmfinale Shkodrën e Prizrenin nga zona e parë (me që ishin më shumë skuadra); Tironën, nga e dyta dhe Beratin nga e treta. Nga çiftet Shkodra-Berati dhe Tirona-Prizreni, që u zhvilluan përkatësisht me 26 dhe 27 qershor 1942, në finale dolën dy të parat. Ndeshja finale e 29 qershorit shpalli Tironën kampione.

Por, ky aktivitet, megjithëse i vetëm i kësaj natyre në planin sportiv, nuk njihet ende zyrtarisht nga organet tona përkatëse. Arsyeja sikur thonë se, ai është zhvilluar ”në kohë të okupacionit”. Me këtë logjikë, ndoshta nuk duhet të njihet p.sh., as arsimimi i mijra shqiptarëve të kryer në atë kohë e sidomos të atyre jashtë shtetit?.

Duke u kthyer përsëri Hasani, bindjet politike të tij, të papërputhura me rregjimin e diktaturës, patën rrjedhimet e veta. Atë e arrestuan për tentativë arratisje, akt për të cilin, pas kërcënimeve dhe torturave, e dënuan me shtatë vjet që i kaloi në burgun e Tironës e në kampin e Maliqit. Por, edhe më pas, prej vitit 1953, jeta e tij ishte e dhimbshme. Nuk u lejua të banonte në Tironë, por të paktën 5 km larg saj. Me ndihmën e disa miqve, mundi të strehohej në Selitë, prej nga vinte fshehurazi për të shitur qymyr dhe për të takuar shokët e tij intelektualë si E. Çabej, Dh. Pasko etj..

Pas tre vjetëve (1956), Hasanit iu lejua ushtrimi i profesionit të farmacistit, por përsëri jo në Tironë. Për 26 vjet, duke banuar në shtëpinë e pedagogut Pandi Vakëflli, që ai e ka kujtuar gjithnjë me mjaft respekt, Hasani punoi me profesionalizëm dhe ndershmëri në Farmacinë e Beratit dhe të Spitalit të qytetit. Ai dhe e shoqja e tij, Muhazesi, zotëruese e katër gjuhëve, në spital e në Drejtorinë e Shëndetit ku ajo ish te e angazhuar, mbetën gjithnjë modelë të punonjësit shembullor.

Megjithatë, edhe kur doli në pension (1981), diktatura nuk e lejoi Hasanin të kthehej në Tironë. E, për këtë, ai vazhdojë të jetojë po atje, madje shumë gjatë, deri kur vdiq më 20 korrik të vitit 1993.

Burimi: Shoqata Tirana

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.