Ilir Pernaska
Ilir Pernaska

Ilir PERNASKA lindi në Tiranë më 7 maj 1951. Pasi mbaroi shkollën e mesme, kreu studimet e larta në ILKF “Vojo Kushi”, ku u diplomua “mësues i edukimit fizik”. Nga viti 1974 deri në vitin 1998 ka qenë mësimdhënës në disa shkolla të Tiranës. Prej asaj kohe ka emigruar familjarisht në Itali.

Si futbollist Iliri është produkt fillestar i shkollës së KS “Tirana”, ku u aktivizua me ekipin e të rinjve të këtij klubi. Më pas, luan me ekipin e “Dinamos”, ku edhe e ushtroi të gjithë karrierën e tij. Talenti, puna këmbëngulëse dhe fuqia fizike e kalojnë Ilirin shumë shpejt me ekipin e të rriturve, ku, për 16 vjet radhazi ai u bë një nga titullarët kryesorë.

Me Ilirin, skuadra e futbollit e KS “Dinamo”, gjatë viteve 1966-1980, ka fituar gjashtë tituj kampion të vendit, tre kupa të Shqipërisë dhe dy kupa në spartakiadat kombëtare. Karakteristikë e Ilirit, në rolin e një sulmuesi të djathtë, përveç shpejtësisë dhe forcës shpërthyese, ishte intuita e rrallë në shënimin e golit. Si lojtar i mirëfilltë i sulmit, ka qenë përherë problematik për mbrojtësit kundërshtarë dhe, njëherësh po aq vendimtar në
fitoret e skuadrës së tij.

Ai mbetet edhe sot ndër golshënuesit me të mirë të kampionateve tona kombëtare. Revista “Guerin Sportiv” e vitit 1980, e rradhiti Ilirin të katërtin në Europë. Në 100-vjet futboll, ai ka dalë gjashtë herë radhazi golshënuesi më i mirë. Po në këtë drejtim, nga IFFHS (Federata Ndërkombëtare e Historisë dhe Statitikës së Futbollit), ciësohet i 17 në botë, për periudhën 1971-1977.

Duke qenë gjithnjë i dalluar mes shokëve për grintën dhe rezultatet e tij, Iliri ka qenë për 10 vjet edhe titullar i ekipit kombëtar të futbollit, me të cilin, në kuadrin e aktiviteteve europiane, ka zhvilluar 14 ndeshje ndërkombëtare të këtij niveli.

Për disa vite ai bëri detyrën e trajnerit të futbollit me grupmoshat duke i përgatitur dhe edukuar ata me motivet më të mira të sportit dhe të moralit njerëzor, cilësi që ai i ka shfaqur dukshëm edhe në karrierën e tij sportive.

Për këto e të tjera kontribute, ai mban titullin “Nderi i Sportit Shqiptar” dhe është dekoruar me Medaljen e Punës dhe Urdhërat “Naim Frashëri” të klasit III dhe II.

Burimi: Shoqata Tirana

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.