Ihsan Abdi TOPTANI
Ihsan Abdi TOPTANI

Ihsan Abdi TOPTANI ka lindur Tironë më 25-8-1908. Bashkë me motrat e tij, Hyqmeten dhe Zenepen, edhe ai bën pjesë në grupin e fëmijëve të familjeve Toptani, që u dërguan për t’u arsimuar në Austri.

Me mbarimin e Gjimnazit klasik të Grazit, më 1928, regjistrohet në fakultetin e shkencave politike të po këtij qyteti, në të cilin diplomohet me rezultate shumë të mira. Duke qëndruar dhe punuar për disa kohë në Austri, më 1940, kreu po atje edhe doktoratën me temë “Mendime (opinione) ekonomiko-ushtarake kontradiktore lidhur me drejtimin e politikës gjermane të tregëtisë së jashtme përpara luftës së dytë botërore”. Me këtë realitet, Ihsan Toptani duhet të jetë tiranasi i parë me gradë shkencore.

I specializuar për shkencat shoqërore dhe politike, gjatë gjithë jetës së tij, natyrshëm, ndoqi zhvillimet në këto fusha dhe në çështjet ndërkombëtare. Përveç se në përgjithësi, ai ishte i interesuar për Ballkanin. Duke qenë i dhënë pas politikës dhe ngjarjeve të atëhershme të luftës së dytë botërore, në vitin 1942, Ihsani kthehet në Shqipëri dhe merr pjesë aktivisht në veprimtaritë e Partisë së Legalitetit.

Si njeri mendimtar dhe burrë i jashtëzakonshëm e që fliste disa gjuhë, vuri në lëvizje një mekanizëm të vështirë, atë të pajtimit të forcave të ndryshme politike shqiptare. Ai shquhet në përpjekjet e tij për t’i bashkuar njerëzit dhe për këtë, edhe sot, njihet roli që luajti ai në organizimin e mbledhjes së Mukjes në gusht të vitit 1943, fillimet e së cilës ishin në shtëpinë e tij, në Tapizë.

Situatat politike të kohës e detyrojnë Ihsanin që bashkë me Abaz Kupin të emigrojë jashtë vendit. Prej tetorit 1944, deri më 1947, qëndroi në Itali, ku punoi në revistën “News Week”. Më tutje, dhe përgjithnjë, deri sa doli në pension në vitin 1968, ai ishte në seksionin shqip të BBC. Edhe pse jo dakord me regjimin, devotshmëria për Atdheun ishte e vazhdueshme dhe për këtë, ai ndiqte gjithçka ndodhte. Ihsani u lumturua mjaft kur, pas 50 vjetësh më 1994, ju dha mundësia për të vizituar vendin e tij dhe kur nga Presidenti i Republikës u nderua me titullin “Pishtar i demokracisë”.

Vdiq më 2001, në Londër, në moshën 93 vjeçare. Atë e kanë vlerësuar si njeri pa paragjykime, me një shqiptari të kulluar dhe që nuk e preku kurrë ndonjë ndjenjë sadopak shoviniste. Ai ishte mishërimi i shqiptarit derëhapët e të sjellshëm, i mendjes së lirë e të çliruar nga prangat e ideologjive dhe i njeriut shpirtmadh.

Burimi: Shoqata Tirana

Publikohet për her t`par në faqen Tirona

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.