Hysni Mulleti
Hysni Mulleti

Hysni Reshit MULLETI lindi në Tironë më 1905, ku, prej vitit 1913 deri më 1918, kreu arsimin fillor. Falë karakterit arsimdashës të prindërve të tij, më tutje, Hysniu shkollohet në Korçë.

Atje, krahas mësimeve, merr pjesë aktive në veprimtaritë letrare të Shoqërisë “Shpresa”, në të cilën, së bashku me shokë të tjerë formojnë edhe degën e Shoqërisë “Bashkimi” të Rinisë Shqiptare, të njohur për pikëpamjet demokratike dhe për përkrahjen e saj ndaj Revolucionit të Qershorit të vitit 1924.

Në këto rrethana, më 1926, Hysniu ndërpret mësimet e mesme në Liceun e Korçës për t’i mbyllur në Monpellie të Francës më 1928. I pajisur edhe me bakaloreatin përkatës, po këtë vit, ai filloi studimet e larta në Universitetin e Lillës, ku kishte edhe shqiptarë të tjerë, shkollim të cilin me diplomën ”inxhinier komercial” e përfundoi në vitin 1932. Për pikëpamjet e tij antizogiste, ai zgjodhi rrugën e mosardhjes në Shqipëri.

Duke qenë në Francë, qëndroi në Paris te Qazim Mulleti, vëllai i vet më i madh, që, përmes një restoranti, ushtronte biznesin e tij privat. Këtë personazh të njohur të politikës shqiptare, gqui i zhvilluar në Tironë e kishte dënuar me vdekje në mungesë. Ai kishte qenë ndër organizatorët dhe pjesëmarrësit e atentatit kundër Mbretit Zog, më 21 shkurt 1931 në Vjenë.

Të dy vëllezërit, mjaft të njohur për fisnikërinë e tyre, u kthyen në Shqipëri vetëm në vitin 1939. Krahas miqve të tij si R. Turdiu, S. Demneri e të tjerë, ai ruajti të njëjtat pikëpamje politike. Gjatë qëndrimit në vendin e vet, Hysniu nuk u angazhua në veprimtaritë shtetërore, edhe pse nga Qeveria e regjencës ju ofrua posti i Guvernatorit të Bankës Kombëtare.

Ai do të emigronte më 1944, në vitin që shënoi kthesën politike për fatet e vendit. Pas qëndrimeve të shkurtra në Austri dhe në Zvicër, bashkë me të vëllanë, u vendos përfundimisht në Itali më 1945, ku jetoi në Romë deri më 1956, atëherë kur vdiq Qazimi. Prej kësaj kohe dhe deri sa ndërroi jetë më 7-2-1979, ky burrë i pashëm e altruist, që ndihmonte shqiptarët në Itali, që nuk krijoi kurrë familje por gjithnjë i palëkundur në pikëpamjet e tij antikomuniste, qëndroi në Bolonja.

I bindur se një ditë do të rikthehej në vendin e tij dhe se për këtë duhet të ishte aktiv, aspiratë që nuk iu plotësua asnjëherë, ai merret edhe me politikë. Ishte konsulent në Partinë Agrare. Si figurë e rëndësishme, në vitin 1949, mori pjesë në themelimin e Komitetit “Shqipëria e lirë”, ku u zgjodh edhe në organet drejtuese të tij. Disa herë ka folë edhe në Radio Londra dhe në atë ”Zëri i Amerikës”.

Burimi: Shoqata Tirana

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.