Hysen Kusi
Hysen Kusi

Ka lindur më 1912 në Tironë në një familje vendase. Shkollën e mesme e ka kryer në Gjimnazin “Zosimea” të Janinës. E deshi futbollin që në moshën e fëmijërisë dhe për këtë, edhe pse pa shtatlartësi, ai ngriti vazhdimisht vlerat e tij cilësore dhe fizike. Këtu ishte esenca e nofkës “Dake” që i vunë bashkëmoshatarët e tij.

Gjatë karrierës së tij 14 vjeçare që luajti futboll, u shqua si mesfushor i majtë që dinte të mbronte, por edhe të sulmonte. Te SK “Tirona”, kjo linjë e mesit që, në sistemin klasik piramidal të asaj kohe, ishte bazamenti i ekipit si në mbrojtje edhe në sulm, plotësohesh në qendër nga A. Karapici, ndërsa në të djathtë nga L. Jakova.

Dakja, që luajti prej kampionatit të parë (1930), fitoi edhe titullin kampion, sukses të cilin e përsëriti në dy vitet e mëpastajme. Ngritja e tij profesionale u bë shkak i interesimit të SK Teuta”. Shkaqet ekonomike e detyruan atë që kampionatin e vitit 1934, me kontratë të rregulltë njëvjeçare, si e para në historinë e futbollit shqiptar, të luajë për atë skuadër. Pas përfundimit të kontratës, rikthehet te SK “Tirona” për t’u aktivizuar deri në mbylljen e karrierës së tij, kohë gjatë së cilës plotësoi gjithsej katër tituj kampionë (1930, 1931, 1932 dhe 1936).

Ndeshja më e bukur për te, dhe ku Dake Kusi u cilësua si heroi i fushës, është veçuar ajo e 28 qershorit të vitit 1936, ndaj “Vllaznisë” së Shkodrës, vendimtare për titullin e kampionit, që u fitua nga SK “Tirona” me rezultatin e thellë 4 me 1. Ai ka marrë pjesë edhe në aktivitete të tjera, kupa të ndryshme private apo edhe në takime miqësore ndërkombëtare brenda dhe jashtë vendit, kryesisht me ekipe italiane dhe malazese.

Për vlerat e tij, ai ishte edhe pjesë e ekipit kombëtar të futbollit që u përgatit nga tekniku hungarez Samu Singer për turneun në vendet skandinave. Edhe pse ishin vendosur posterat, ajo nuk u realizua me që koincidoi me pushtimin fashist.

Gjatë pushtimit italian, ka punuar me aktivitetin e tij privat dhe, për dy vjet, ishte inspektor në seksionin ekonomik të bashkisë së qytetit. Pas mbarimit të luftës, jeta e Dakes ishte fatkeqe. Sikurse dy vëllezërit e tij, dënohet edhe ai, duke provuar veç pesë vjetëve burg edhe kampet e internimit.

Rinis jetën pasi martohet më 1950. Duke qenë gjithnjë i ndërgjegjshëm se, për situatat e krijuara, duhet të pranonte çdo lloj pune, kaloi jetën plot strese dhe me pak kënaqësi, deri sa vdiq në vitin 1974.

Burimi: Shoqata Tirana

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.