Hamid Shehi
Hamid Shehi

Hamid Shehi, pinjoll i familjes shumë të njohur të Sheh Abazit, ka lindur në Petrelë të Tironës më 20 tetor të vitit 1889.

Kjo familje, sa patriotike dhe po aq arsimdashëse, ka kontribute të veçanta. Edhe në ato kohëra, kur të gjithë djemtë e saj u dërguan për të mësuar në Tironë, nuk u harruan as vajzat. Nga një person i caktuar prej vetë familjes, bashkë me shoqe të tjera të lagjes, ata merrnin mësim privat në shtëpi.

Prej katër djemve të Abazit, Xhemali dhe Selimi ishin mësues në Tironë; kur tjetri, Qamili u vra në luftën e Jemenit, ku ishte me shërbim ushtarak. Vetëm Osmani, i ati i Hamidit qëndroi në Petrelë.

Kontributet e konsiderueshme të kësaj familje patriotike shkuan edhe më tej, madje edhe
me të rënë të tjerë; Abdullai, i biri i Osmanit dhe vëllai i Hamidit, u vra në Luftën e Shkodrës (1912-1913) për të mbrojtur qytetin nga agresioni serbo-malazez; ndërsa Hakiu, i biri i Selimit, mes 104 të tjerëve, mbeti në kampin gjerman të Prishtinës, gjatë luftës së dytë botërore, ku atje ishte i internuar.

Edhe Hamidi, sikurse paraardhësit e vet, mësimet e para i mori në Tironë. Falë aftësive të tij dhe në moshë fare të re, i ati e dërgoi në Turqi. Atje, me rezultate mjaft të mira, plotësoi gjithë formimin parauniversitar dhe u përgatit për studimet e larta, të cilat i filloi më 1910 në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit “Daryl Fynun” të Stambollit.

Por, kundër dëshirës së tij, megjithëse me sukses, ai nuk mundi për më shumë dhe i ndërpreu ato pas një viti. Lufta e parë Ballkanike shënoi një kthesë të rëndësishme në jetën e Hamidit. Në pragun e saj, në vitin 1912, kur Turqia kalonte krizën më të rëndë në historinë e vet, mësimet u mbyllën. Në mbrojtje të kufijve të Perandorisë osmane, Hamidi u dërgua në Damask (Sham) të Sirisë.

Prej kësaj kohe, informacionet për jetën e tij janë edhe më të pakta; por, siç mendohet, pas mossuksesit të Ushtrisë turke dhe shkëputjes së zotërimeve të gjëra të Perandorisë Osmane, mjaft prej pjesëtarëve të kësaj ushtrie mbetën atje, të lirë dhe për të gjetur vetë mënyrën e jetesës. Ndër to ishte edhe Hamidi.

Për shkak të veprimeve të armatosura ndërmjet shteteve mesdhetare dhe të atyre të Lindjes së Afërme, ushtarët kishin humbur lidhjet me familjet e veta, sepse ishin ndërprerë të gjitha komunikimet postare dhe telefonike me zonat ku ata ndodheshin.

Megjithëse kjo gjendje shkoi relativisht gjatë, edhe pse nuk i dispononte më dokumentet e nevojshme personale, i bindur për rrugën që kishte zgjedhur për t’u formuar si intelektual, Hamidi, ky njeri i dëshiruar për arsim, nuk ndenji kot. Krahas mësimit të frëngjishtes, falë kontakteve me studentë dhe me pedagogë të një Instituti të Inxhinierisë së Ndërtimit të ndodhur në sektorin perëndimor të qytetit të Shamit dhe larg qendrës së vjetër historike, atij iu dha mundësia të ndërrojë profilin e arsimimit të nisur në Turqi.

Hamidi iu përvesh seriozisht këtyre studimeve dhe përsëri me sukses e me ritmin e nevojshëm mbylli edhe këtë herë të gjitha provimet. Ndërkohë, për të përballuar jetesën, punoi edhe në zyrën teknike të Damaskut, kryeqytetit sirian.

Gjithsesi, atij nuk i eci në jetë. Pa e mbaruar fakultetin, pasi më parë kishte marrë vendimin përkatës, me një anije që lundronte nëpër portet turke e greke, ai u kthye në Atdhe, në vitin 1927. Si teknik i ndërtimit, Hamidi punoi në Bashkinë e Tironës. Me këtë detyrë, ai drejtoi disa punime, ndër të cilat, ato për ndërtimin e rrugës së re “Hoxha Tahsin”, vepër që edhe sot ka Vlerat e veta.

Por, përsëri me probleme. Në vitet 1930-1931, iu shfaq një miopi e thellë optike, sëmundje që, jo vetëm e detyroi të largohet nga puna, por edhe e dëmtoi ekonomikisht me shpenzimet e bëra nëpër klinikat e Vjenës, Romës, Janinës e Stambollit. I vetmi dokument i asaj kohe, pasaporta e Shtetit Shqiptar, pasqyron të gjitha veprimet përkatëse të kryera në postat
kufitare, gjatë udhëtimeve të tij.

Tentoi edhe në tregëti, por u bind shpejt se nuk ia dilte. Për shkak të gjendjes së vështirë shëndetësore dhe ekonomike, nga organet shtetërore, përfitoi për disa kohë edhe një ndihmë mujore. Pas luftës së dytë botërore, duke ruajtur gjithnjë karakterin e tij, atë të një njeriu të ndershëm dhe të një intelektuali me vlera, kërkoi të shiste pjesën e pasurisë bujqësore në Petrelë, por që sigurisht nuk mund të lejohej nga ligjet e kohës së diktaturës. Për të përballuar shpenzimet e jetës, para vdekjes së tij që i erdhi më 7 prill 1963, ai kishte shitur në dy faza shtëpinë e vet që ndodhej në rrugën “Qemal Stafa” të Tironës.

U varros me nderime në Petrelë.

Burimi: Shoqata Tirana

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.