Hamid Begeja
Hamid Begeja

Ka lindur më 13 mars 1907 në Tironë, ku kreu edhe arsimin fillor.Bindjet arsimdashëse të të jatit, tregtar i manifaturës, dhe të nënës së tij, amvisë, bënë që fëmija i pestë i tyre të aspirojë për gjithnjë e më tepër.

Arsimin e mesëm, të filluar në Selanik, e mbaroi në Korçë në vitin 1927.

Rezultatet shumë të mira të arritura në atë shkollë ishin garanci për të ardhmen intelektuale të tij. Përsëri familja, dhe sigurisht me shpenzimet e veta, e dërgon për studime, por këtë herë më lart. Për këtë synim u zgjodh Universiteti i Montpeliesë në Francë, ku kishte edhe studentë të tjerë nga Shqipëria, ndër to edhe tironasi Hysni Mulleti. Fakulteti i Ekonomisë që ndoqi Hamidi dhe të cilin e përfundoi më 1932, me titullin ”inxhinier komercial”, ishte një mundësi për të vazhdu traditën tregtare të Mahmud Begesë.

Megjithate, nga ky objektiv, pat paksa devijim. I kthyer në Tironë, ai filloi menjëherë si nëpunës i lartë në Bankën Tregtare të Napolit; kohë kur martohet edhe me vajzën tironase Sebiha Petrela, me të cilën pati një djalë dhe dy vajza. Ky njeri i formuar, i pajisur me kulturë të gjërë, i ndershëm dhe i suksesshëm në të gjitha angazhimet e tij, gjatë periudhës 1933-1937, ka qenë edhe anëtar i kryesisë së Dhomës së Tregëtisë së Tironës. Pasi, në vitin 1938, kreu në Itali edhe një specializim gjashtëmujor, ai punoi po në atë bankë deri në okupimin italian në prill të Vitit 1939.

Më tutje, madje edhe në vitet e luftës së dytë botërore, bashkë me të jatin dhe me vëllezërit e tij, Hamidi ishte pjesë e aktivitetit tregtar familjar Magazina Nacionale e Manifaturës, Vllazën Begeja”. Me vendosjen e diktaturës komuniste, në Dhjetor 1944, edhe për të nis persekucioni ekonomik dhe politik.

Pasi pasuria e tyre, e tundshme dhe e patundshme, u konfiskua, vëllezërit Begeja u arrestuan. Kur ky tregtar, i pari me arsim të lartë, u lirua nga burgu, ishte i detyruar të pranojë çfarëdo lloj pune, që nga ato më të rënda fizike e deri në bujqësi, në ndërtim dhe më vonë shitës frutash etj., prej nga edhe doli në pension.

Gjithsesi, ai mbeti përherë i palodhur, optimist dhe i bindur për moton e tij ”puna është nder dhe njeriu duhet të punojë sa të ketë mundësi”, të cilën e respektoi pa ndërprerje, madje deri në moshën 81 vjeçare, atë ditë kur nuk mundi të punojë më. Vdiq pas gjashtë muajsh, më 23 shkurt të vitit 1989.

Për miqtë e vet, Hamid Begeja kujtohet si qytetar korrekt, i dashur dhe i respektuar; për familjen, një prind që aspiroi gjithnjë edhe për shkollimin e fëmijëve të tij.

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.