Halle Caja
Halle Caja

Banonte në Vilëz, nji katund i bukur në lindje të Tironës. Kur ishte e re, zbriste në qytet për çdo të Ejte; mirëpo tashti që dëbora e kohës ia zbardhi flokët, nuk luente nga shtëpija. Ceni, i biri, dërgonte në treg, për ditë pazari, prodhimet e fshatit dhe këtheheshte në mbramje me gomarin përpara.

Që të dy jetonin të lumtun, të mësuem me jetën e thjeshtë fshatarake. I biri i Cajes, gjatë kohës që qe ushtar, mësoi edhe pak këndim e shkrim. E ama pezmatohesh, sepse ajo donte që i biri të këndonte atë fletushkë të zverdhun arabishte që e ruente në dollapin e pluhnosun si sytë e ballit, e jo «shkresa kaurrësh». E me gjith’ ate nuk ia prishte qejfin të birit.

Kanë kalue plot katër vjet që Caja s’e ka pa Tironën. Tashti mbas kaq kohësh detyrohet që të zbresi në qytet, mbasi Ceni asht i sëmundë dhe barishtet duhen shitun. Në të vërtetë Caja ndiheshte e kënaqun që po e bante edhe nji herë atë rrugë që e përshkonte dikur në krye të çdo jave. Nji gëzim i thellë i vlonte në zemër kur po niseshte, me gjith’ se sëmundja e të birit e shqetsonte tepër.

Mos harro të më sjellish gazetat! Edhe të djeshmen e të pardjeshmen! More vesht a plakë? Kështu e porositi’t’ amën kur u nis me gomarin të ngarkuem plot.

Qysh ke spitalet, plaka e kuptoi se «Tirona e Kuqe» ishte zbardhue; nji pamje tjetër e panjoftun prej saj, randonte mbi të. Ke Pazari i ri u nakatos me katundarët e tjerë dhe shkarkoi barishtet. Plaka shikonte e habitun turmën e zotnijve që i afroheshin fshatarvet për të ble. Sa ka ndryshue Tirona! Caja po lodhte mendjen për të gjet në se ishin  evropjane apo shqiptare ato gra që i kishin fustanet përmbi gju! Ajo e kishte marë vesh se në Tironë ka shumë të huej, por nuk besonte kurrë se ishin zhduk kaq shpejt gratë me ferexhe! Ndërsa mendjen e saj e kishin kapërthye këto mendime, i afrohet nji nga ato flokë-shkurtat me krahë xhveshun:

Sa kostojnë vecat?

Caja i hodhi nji vështrim që nga kambët deri ke kryet, pastaj u mahnit me zhivën e shumtë që i zbardhte tiparët. Qenka ba si surrat bostani për të trembë sorrat: – tha me vete.
Zonjëza e përsëriti pyetjen plot nervozitet:

Interesant! Asistoni gjithnji në merkato dhe akoma s’u pratikuat të psonisni?

Caja e vështroi prapë e kuptoi se ajo diçka donte, prandaj kërkoi në mend nji fjalë që e kishte ndigjue shpesh në katund nga ushtarët e huej që blejshin vezë dhe iu drejtue:

Nonçe!

Zonja u këput së qeshuri. Mori pesë-gjashtë kastraveca, i dha Cajes të hollat dhe i tha:

-Jo, moj nanë, ene una jam shqiptare!

Oh sa bukur tingëllojshin këto fjalë në veshët e plakës. Syt e saj e shikuen me nji lloj dashunije këtë radhë:

Po pse mri bijë, pra, fol avropjançe? – e pyeti kur u largue.

Zarzavatet i shiti shpejt. Tashti nuk asht nevoja me ndejt gjithë ditën në diell dhe me u këthye në Vilëz me gjithë lakna. Lidhi gomarin në hanin ma të afërm dhe u drejtue për ke krypa. Aty përpara Xhamis vjetër, Caja mbeti si e ngrime: në midis të rrugës nji çaush beledije kishte hyp mbi nji arkë dërrase dhe lëvizte krahët sa andej këndej. Përse vallë bante kështu me dorë? Pastaj aty ke hamami dibranvet ishte një dyqan i madh. Në çdo vitrinë qëndronte në kambë nji zotni dhe nji zonjë (ma e bukur se ajo që bleu kastravecat) të veshun akull. S’ ngopeshte e shkreta plakë së admiruemi trupin e trandafiltë t’ atyne grave që ekspozoheshin në vitrinë! Ndonse po i sodiste me gëzim prej ma se nji ore,“ përmbrenda rënkonte.

O Zot, ia mbërrimë qametit!

E zgjoi prej kësaj kllapije nji za i hollë dhe tingëllues: Kombi! Gazeta Kombi me lajme të reja!

Nji fëmijë i vogël (nga ata kapilët e rrugave që s’e lejshin rehatë Cajen tu i vjedh ndonji kastravec nga koshat) me nji
grumbull gazetash nën sjetull, vraponte sa ke njani ke tjetri, i dorzonte nji gazetë dhe ikte vrap. Caja e qëndroi:

Çun-o, më jep dy lekë gazeta!

Gishtat e vegjël të fëmis shkëputën katër gazeta dhe ia zgjatën plakës. Pastaj ai u zhduk tue i hudh nji vështrim përpis klientes së rallë.

Caja u vërtit gjithë ditën nëpër rrugët e Tironës. Bleu kripë, sheqer, oris dhe të gjitha ato që i duheshin për të tanë javën. Rrem Bakallin e kishte myshteri të vjetër, prandaj ky e priti mirë dhe jo si ata zagarët tjerë që e përcollën me të qeshuna sepse kërkoi voj-guri. Caja pa në vitrinë disa shishe të mëdha të mbushuna me lang të verdhë dhe kërkoi voj-guri! Ata jo vetëm që nuk u përgjegjën por u shkulën së qeshuni. Pse a ishte turp me pyet-a? Ajo donte të blejë me pare! Tregtari, po të ishte esnafë, në vend që të qeshte mund t’i thonte kështu:

Jo moj nanë, ti ke ardhë gabim, këtu asht parfumeri, shitet livando, kolonjë, pudër, krem (natyrisht jo kos) e jo voj guri që don ti!

Dhe Caja, e kënaqun – sepse gjithkush mund të gabojë do të drejtohesh në nji vend tjetër.

Mbasi i mallkoi me gjith zemër të gjitha ato gra që dilshin zbuluet, me qen për dore ose hipun mbi biçikletë, u drejtue për në katund. Kur mbërrini në fshat, zani i muezinit ia përkëdheli dejët. U ngjit në kodrën e ullishtës dhe tue sodit dritat e panumërta të Tironës bëlbëzoi:

U prish bota!…

I biri e priti me gëzim t’ amën. U nxë pak mbasi të katër gazetat ishin të njajta, po t’ asaj date. Por e harroi idhnimin sepse i tërhoqi vërejtjen nji titull i randësishëm. Humbi në mbrendinën e artikullit.

Caja, që i kishte akoma në tru – si në perden e nji filmi sinematografik – skenat e Qytetit, iu drejtue të birit:

Ceno, gallxojë ’ne nonës ç’thotë gazeta!

I biri, që s’ përtonte, e filloi leximin që në krye me za të naltë:

Situata ekonomike e nji nacioni, me indipendencën politike, janë si dy linja paralele.

Caja i hapi syt edhe veshët sa mundi, por… s’e merte vesht e shkreta atë farsoj turçje. Përse, vallë, nuk qenka shqip gazeta?! Aaa, paska pasë të drejtë ajo zonja që folte evropjançe, atë evropjançe të gazetës, deri i biri, nji copë katundar, mësoi të flasi evropjançe!

E ama nuk e pyeti ma gjatë të birin, nuk i kërkoi spjegime të tjera. Po Ceni, e merte vesh vallë atë shqipe të gazetës?

Sidoqoftë Cajes i mbeti gozhdë në zemër problemi i gjuhës dhe prej asaj dite nuk zbriti ma në Qytet. Sa herë që shikonte prej kodrës dritëzat e Tironës, nji mallkim i gjatë rigonte prej zemrës së saj. Ajo e donte Tironën atëherë kur kalonin vijat e ujit midis rrugave, sepse atëherë gratë me velispit nuk hecnin dot!

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.