Hall me rrue, Hall me vdek – Mustafa GREBLLESHI
Hall me rrue, Hall me vdek – Mustafa GREBLLESHI

Natë për natë grindem me plakën t’ime. Grindemi (jo për xhelozi) por për punë të jetesës, për rrogën që ajo kujton se merret nj’a njizet herë në muej, për lluksin e ku di unë.

Edhe kjo deri diku asht nji lloj xhelozije plus ambicje. Plaka ime (them me mend) don që edhe un të fitoj 4-5 napolona në ditë, të vishem bukur, domethanë t’a ndjek modën mashkullore dhe ajo vetë e veshun elegant e (simbas modës së fundit femnore) të shitisi me… karrocë. Asht pra nji lloj xhelozije, por xhelozi për vehten e vet plus ambicje po për vehten e vet. Mirëpo rezultati asht gjithnji dallkaukllik. Nejse. Edhe jeta vetë asht dallkauke.

Dikur mersha pjesë aktive edhe un n’ ankimet e saj. Tashti nuk i var ma torbën as plakës as shokve.

I qaj hallet me vehte.

Ç’t’ju them? Që jam keq ekonomikisht? E ka marrë vesht gjithë bota.

Prandaj ma mirë or vëlla mos gri kot, mos lih si qeni në Hanët.

Shumë kohë mungova edhe nga qarkullimi. Ku ka ma mirë se pranë stufës në zyrë? I rash legenit aq sa munda. Due me thanë shkrova ksi pallavrash sa m’ erdh për durësh. Bile nji ditë m’u mbush mendja se jam i fortë, çelik fare. Dhe m’u shtue zelli.

Nji mik gazetar i vjetër, përkthente diçka nga nji gazetë turke.

Interesant! – tha miku im. Kjo pjesë që po përkthej asht e nji gazetari të famshëm turk. E din se ç’thotë? Nuk mund të shkruej as dy radhë po nuk e pata qetsue stomakun me nji supë të ngrofët e të shijëshme, me nji pjatë mishi të  pjekun ose rosto me nji ambëlsinë të mirë dhe me fruta të kohës. Ç’i thue ti kësaj?

Ç’t’i them mor mik, ai asht gazetar i madh.

Pun’e madhe. Po ne si jemi?

Të vegjël, çilimi fare.

S’më more vesht jo. Neve sepse jemi të vegjël (nga trutë) duhet të hajmë dy pjata supë, tri mish të kuqun në hell, katër ambëlsinë (sepse na mungojnë vitaminat) dhe nji shportë me pemë! Përndryshe nuk jemi në gjendje të shkruejmë artikuj.

S’asht e vërtetë. Neve kurrë s’i kemi pas ato që përmendëm e me gjith’atë vazhdojmë t’i biem legenit njisoj.

Pse ç’kujton ti se janë ato që shkruejmë ne?

Artikuj gazete mor jahu. Plagë shoqnore.

o mor mik, janë pallavra.

Pse pallavra?

Sepse jemi ankue ditë për ditë për drutë, sheqerin, vajin e ku di unë. Por askush s’na mori vesht.

Aaa. Tashti të kuptova. Atëherë nuk e kemi fajin neve, e kanë ata që s’duan të na marin vesht. Prandaj, lum miku për t’na kuptue duhet që ata kur të hajnë nji supë të nxehtë, mish viçi, ambëlsinë dhe fruta t’a çojnë mendjen edhe ke neve.

Shoku nuk m’u përgjegj. Më dha të drejtë.

Fjala e parë që më drejtoi plaka në mbramje, qe: Kur i marim harxhat në rruzullim? (kështu i thotë nozullimit).

Nesër moj plakë, nesër, por ki mendjen se më ka këshillue doktori (specialist për sëmundje gazetarësh) që të më shtrojsh në sofër ditë për ditë nji supë të ngrofët, me lang pule, nji pjatë dubël, me rosto ose mish të pjekun, nji ambël- sinë dhe frutat e kohës. Më more vesht?

Plaka më shikoi mahnitshëm, me mallëngjim: E shkreta un më paska luejt menç çuni!

 

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.