Haki KARAPICI
Haki KARAPICI

Nga familja Karapici, Muharremi, gjyshi i Hakiut, njihet si patriot dhe nxënës i Kristoforidhit; ndërsa Halili, i ati i Hakiut, ishte burgosur dhe internuar për çështjen kombëtare.

Hakiu ka lindur në Tironë më 20-1-1913, ku mori edhe mësimet e para. Gjimnazin e qytetit, ku u dallua në mësime e në aktivitetet kulturore, ai e përfundoi më 1932.

Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Bolonjës, ku studionin edhe shqiptarë të tjerë, e mbylli me sukses në vitin 1937. Një vit më vonë, ai kreu edhe shkollën ushtarake të plotësimit. Karrierën profesionale e filloi menjëherë sapo kthehet në Atdhe.

Duke fituar në konkursin e shpallur nga Ministria e Punëve të Brendshme, ai emërohet ”Atashe” në Prefekturën e Tironës, detyrë të Cilën e kreu me mjaft profesionalizëm. Falë qytetarisë së tij, emri i Hakiut bëhej gjithnjë e më i njohur dhe më i respektuar. Me bindjet patriotike, pasi kishte marrë pjesë në demonstratat e 5 dhe 6 prillit 1939, kërkoi largimin nga prefektura.

Kjo kërkesë ju plotësua një vit më vonë kur u emërua sekretar i parë në Prefekturën e Dibrës, detyrë të Cilën e refuzoi për arsye shëndetësore. Pas kësaj, në fillim të vitit 1942, Hakiu nis aktivitetin privat, kur ai hapi zyrën e vet avokatore. Gjatë viteve 1943-1944, ishte edhe sekretar i SK “Tirona”, ku, duke dhënë kontribut të ndjeshëm, hartoi njëherësh edhe Statutin e këtij klubi me mjaft emër në historinë e sportit shqiptar.

Si për mjaft intelektualë, edhe për Hakiun, problemet erdhën pas vendosjes së diktaturës komuniste. Për te, filluan kur në mars të vitit 1945, ai ishte avokat mbrojtës në gquin famëkeq kundër deputetëve dhe vazhduan më tutje, kur, po me detyrën e avokatit, ai ishte i pranishëm edhe në gjyqe të tjera politike për civilë dhe ushtarakë.

Edhe pse anëtar i Komitetit Ekzekutiv për qytetin e Tironës dhe më parë edhe i komisionit të zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945, e arrestuan më 15 maj të vitit 1947, kohë që shënon fundin e karrierës së tij profesionale. Me vendimin nr. 212, datë 30-3-1948, dënohet me pushkatim ”si armik i popullit, për krime kundër shtetit dhe për pjesëmarrje në organizatën klandestine të deputetëve tradhëtarë”.

Fatmirësisht i falet jeta, me dekretin e datës 27-4-1949 të Presidiumit të Kuvendit Popullor. Lirohet nga burgu pas 15 vjetësh, më 28-12-1962

Por, 43 vjet diskriminim, deri më 19 prill 1990, kur ai vdiq, e lodhën ate, për të shpëtuar nga ajo jetë e imponuar prej atij rregjimi.

NGATirona
BurimiTirona
SHPËRNDAJE
Avatar
Mirsevini në faqen e komunitetit Tironas https://www.tirona.website/ Faqja Tirona ka si mision te bashkoje te gjithe qytetaret Tironas ne mbrojtje te vlerave historike, kulturore dhe patriotike te qytetit tone. Bashke jemi me te forte.