Hafiz Dalliu
Hafiz Dalliu

Jeta e Hafiz Ibrahim Dalliut është jeta e një patrioti, atdhetari të flaktë demokrat, e një mësuesi të shquar, e një publicisti e shkrimtari, që gjithçka ia kushtoi kombit e popu-
llit të vet.

Ai u lind në Tiranë më 1878 në një familje të nderuar fetare. Ka kryer studimet në Turqi. Ka patur një përgatitje të thellë fetare. Duke qënë një teolog i formuar, ai është njëkohësisht edhe atdhetar i zjarrtë e demokrat. Jeta e tij është jeta e një militanti patriot që sakrifikoi gjithçka për lirinë e demokracinë.

Më 1901 qe mësues i shqip-es në të parën shkollë të Tiranës, të drejtuar prej Filip Ashikut. Më vonë u mësonte shqip 23 vajzave tiranase, nga të cilat tri u dalluan e punuan si mësuese: Alije Këlliçi, Sabrije Haxhimehmeti dhe Servete Maçi.

Ishte anëtar i Partisë «Bashkimi» që aspironte për mvehtësi kombëtare në kohë të shpalljes së Kushtetutës (Hyrjetit) më 1908.

Më 1909 mori pjesë në Kongresin e Elbasanit. ku u vendos hapja e Shkollës Normale, mësues i së cilës ai qe për disa kohë.

Për ndjenjat e tij nacionaliste u burgos disa herë prej pushtuesve osmanë në vitet 1909-1911. Në kohën e ekspeditës së Shefqet Turgut Pashës qe dënuar me burgim të përjetshëm e më pas me dhjetë vjet burg. Qe internuar bashkë me atdhetarë të tjerë në Manastir e në Selanik. Me ndërhyrjen e deputetit patriot shqiptar në Parlamentin turk të asaj kohe Hasan Prishtina, u lirua prej burgu. Më vonë mori pjesë me armë në dorë në çetën e Serisalltikut të Krujës.

Më 1914 -1918 aspiroi për një qeverisje perëdimore me qëllim që Shqipëria të bënte pjesë në vendet e Perëndimit. Prandaj përkrahu qeverinë e Vidit.

Në vitet 1921 – 1924 mori anën e demokratëve dhe u rradhit në Partinë e «Xhokës».

Në vitet pas Luftës së Dytë Botërore shpreh mospajtimin e tij me pushtetin komunist në fuqi dhe dënohet me burgim. Vdiq në vitin 1951 në moshën 73 vjeçare.

Hafiz I. Dalliu është shquar si publicist me shkrimet e tij në gazetën «Xhoka», «Dajti» e «Dajti në gaz».

Ka shkruar vjersha satirike-politike, të cilat i ka përmbledhur në veprat «Dokrrat e hinit» (1922) dhe «Grenxat e kuqe» (1915).

Vepra madhore e Hafiz Dalliut “Patriotizma në Tiranë“, e botuar për herë të parë më 1930, ashtu si gjithë krijimtaria e tij, për fat të keq mbeti e panjohur për masën e gjerë të lexuesve dhe qëllimisht u la në harresë nga regjimi komunist.

Kjo vepër flet për ngjarje të jetuara nga vetë autori në vitet 1908 – 1915. Aty hidhet dritë mbi shumë ngjarje historike që përshkuan Tiranën në këto vite, duke marrë kështu vepra
një fizionomi historike. Pa pretenduar për një shtjellim shterrues të historisë së Tiranës, autori vë në dukje konfliktin ndërmjet patriotëve e halldupëve që ndiqnin verbërisht politikën e Turqve të Rinj. Jepet në të një listë e gjatë të patriotëve laikë e fetarë për të argumentuar në polemikë me ata që donin të mohonin atdhetarizmin e tiranasve, se patriotizmi dhe patriotët kanë qënë prezent në çdo kohë në qytetin e Tiranës. Vepra merr kështu edhe një karakter polemizues.

Në këtë vepër jepet lufta ideologjike e politike e kohës. Përshkruhen me saktësi përpjekjet e patriotëve tiranas për të përhapur shkrimin e këndimin shqip, sakrificat e tyre, rrahjet publike, internimet, burgimet. Goditen elementë me pikëpamje obskurantiste, antipatrietike si Musa Qazimi, Haxhi Qamili etj. Goditet gjithashtu edhe Esat Toptani, si njeri i lëkundshëm në ngjarjet historike, por më vonë autori ndryshon mendim për këtë figurë.

Në vepër vihet në dukje lufta politike e ideologjike që do të çonte në përpjekjet e armatosura, në organizimin e çetës së Sarisalltikut të Krujës. Ngjarjet marrin udhë kështu edhe jashtë trevës së Tiranës si në Krujë, Selanik, Shkodër, Mat, etj.

Autori përshkruan me emocion ngjarjen historike të ngritjes së flamurit kombëtar në Tiranë më 26 nëntor 1912 dhe ndihmesën që i dhanë patriotët tiranas Plakut të Nderuar Ismail Qemali për ngritjen e flamurit kombëtar në Vlorë më 28 Nëntor 1912.

Vepra merr karakterin e një traktati morale-filozofik. Autori kërkon të japë shpjegime për kuptimin e fjalës «Patriotizëm» e të zbërthejë cilësitë morale të «Patriotit».

Ribotimi i kësaj vepre është, ndoshta, shpërblimi më i pakët, por mirënjohja me e thellë ndaj Hafiz Dalliut, këtij patrioti të shquar, shkrimtari, publicisti e mësuesi të madh.

Për lehtësi leximi vepra botohet në drejtshkrimin e sotëm duke ruajtur stilin e autorit dhe të folmen e Shqipërisë së Mesme e duke dhënë shpjegime për fjalët e huaja, orientalizmat e termat fetare që ajo ka.

Nuk mund të ndahemi nga jeta dhe vepra e Hafiz Dalliut pa cituar disa vargje të pabotuara të tij, të shkruara rreth vitit 1949, ku shprehet humanizmi i tij, ndjenja e dashurisë së pastër për njeriun e kombin, urrejtja kundër , padrejtësisë e krimit të diktaturës së kuqe:

  • Po kërkove bukën, të japin urinë,
  • Po kërkove jetën, të japin patërdinë,
  • Po kërkove gjumin, të japin llaftarinë,
  • Po kërkove nderin, të japin :poshtërsinë,
  • Po kërkove shokun, të japin pabesinë,
  • Po kërkove besën, të japin tradhëtinë,
  • Po kërkove mëshirën, të japin gjakësinë,
  • Po kërkove njeriun, të japin kafshërinë,
  • Po të jesh shenjtor, ‘të bashkojnë me qenërinë,
  • Po kërkove dritën, të japin errësirën,
  • Po deshe shijen, të japin të vësihatirën,
  • Po kërkove fenë, të japin mundimin,
  • Po kërkove dhimbjen, të japin acarimin,
  • Po të duash paqen, të bashkojnë me krimin,
  • Po të duesh familjen, ‘të japin burgimin,
  • Po kërkove rregullin, të japin kukudhin,
  • Po këmkoze Zotin, të japin të paudhin.

Besoj se s’ka nevojë për koment për këto vargje të stilit nolian, me të cilat autori paraqet më së miri panoramën dhe realitetin e atyre viteve.

Si njohës i mirë i gjuhëve orientale, i arabishtes, dhe i turqishtes dhe si fetar i devotshëm, Hafiz Dalliu shquhet edhe si përkthyes i talentuar i Kuranit në gjuhën shqipe.

Ky është me pak fjalë Hafiz Dalliu, përfaqësuesi i brezit të fundit të rilindasve, përkthyes i një vepre monumentale siç është Kurani, shkrimtari dhe publicisti, njeriu i sakrificave të
mëdha, patrioti i shquar tiranas.

Shkeputur nga libri “Patriotizmi ne Tirane” me autor Petrit Kusi, ribotim i librit origjinal te Hafiz Dalliut “Patriotizma ne Tirane”